Marshimi në kohë: udhërrëfyesi i Medlin Ollbrajt për fashizmin, në të shkuarën dhe në të tashmen

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit është ende e acaruar nga zgjedhja e Donald Trump ndërkohë që paralajmëron qytetarët të mos nënshtrohen.

Brenda çdo zemre njerëzore qëndron etja e pashuar për liri, “apo kështu na pëlqen të besojmë ne demokratëve”, shkruan Madeleine Albright nga fundi i librit të saj “Fashizmi: Një Paralajmërim”, një libër që tregon sesi kombet zhyten në tirani. Në realitet, kjo dëshirë shpesh konkurron me një tjetër: nevoja për të na thënë se ç’duhet bërë. Kur njerëzit janë të mbushur me frikë, të zemëruar apo konfuzë, vëren ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Ollbrajt, ata joshen për të lëshuar liritë e tyre apo liritë e të tjerëve, ndaj liderëve që premtojnë rend e rregull. Në kohëra të pasigurisë, shumë njerëz nuk duan më të pyeten se çfarë mendojnë: “Ne dëshirojmë të na thuhet se ku të marshojmë”.

Libri i saj i kushtohet viktimave të fashizmit, por po ashtu, “të gjithë atyre që luftojnë fashizmin tek të tjerët dhe tek vetja”. Ollbrajt e ka fituar të drejtën për deklarata ambicioze. Në momentin kur demokracitë Perëndimore po përndiqen nga pyetja “A nis kështu?”, ajo shkruan me autoritet të rrallë. Ajo nuk është vetëm një grua shteti e shquar, përveçse në moshë, një ish-ambasadore e Shteteve e Bashkuara në OKB përpara se të caktohej në krye të diplomacisë si sekretare Shteti gjatë viteve 1997-2001. Ajo ka qenë po ashtu një fëmijë-refugjat, dikur nga fashizmi në të djathtë, dhe më pas nga ai në të majtë.

Ollbrajt ishte fëmijë në vitin 1939 kur ardhja në pushtet e nazistëve bëri që familja të saj të ikte në azil nga Çekosllovakia në Londër. Në fund të luftës, ajo u rikthye në shtëpi: i ati rimorri punën në shërbimin e jashtëm çek. Në vitin 1948 kërcitja e çizmeve komuniste në rrugët e vendit sinjalizoi një azil të dytë, të përhershëm drejt Amerikës.

Ajo u bë dëshmitare e marshimeve të tjera djallëzore si kryediplomate e presidentit Bill Klinton. Në tetor 2000, Ollbrajt e gjeti veten në një stadium në Pyongyang ngjitur me Kim Jong-Il, duke parë rreth 100 mijë fëmijë dhe të rritur të Koresë së Veriut tek kërcenin dhe hidhnin bajonetat në unison perfekt. Diktatori doli të ishte i shkurtër (Ollbrajt dhe mikpritësi i saj kishin veshur taka të së njëjtës lartësi, zbuloi ajo), i mirëinformuar dhe i përzemërt, sigurisht i pasinqertë. Ai i tha në konfidencë se e kishte dizenjuar ai vetë shfaqjen. Ajo nuk e shfaqi mendimin e saj: që kërkohet nivel fashist i disiplinës që të krijohet një trup i vetëm nga kaq shumë njerëz.

Ditët e sotme, Uashingtoni mbushet çdo disa muaj me marshues që zotohen për rezistencë ndaj presidentit Donald Trump (i cili së fundmi, u kërkoi gjeneralëve të tij t’i organizonin një paradë ushtarake ku ai të inspektonte). Profesore prej një kohe të gjatë e marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin Georgetoën, Ollbrajt dëgjon, dhe i vjen keq që dëgjon thirrje “fashiste” nga më të hedhurit e të dyja palëve. Ajo ka takuar kaq shumë despotë të jetës reale saqë të mund të ketë mendimin e duhur, dhe ka parë aq shumë nga veprat e tyre, duke nisur me vrasjen e shumë të afërmëve të saj gjatë Holokaustit.

Ajo përshkruan një seminar me studentët e saj në sallonin e vet, “me pjata letre me lazanjë në prehër”, ndërsa i sfidon të përkufizojnë fashizmin. Ajo i kujton klasës që fashizmi mban maskime të ndryshme ideologjike, ndonjëherë duke bërë thirrje për diktaturën e proletariatit apo për pensione më të larta për të moshuarit, në raste të tjera merr pushtetin në emrin e rracës, fesë apo të drejtës së lindjes. Në një paragraf të dobishëm, ajo e përcakton një fashist si dikë që pretendon të flasë për një komb apo grup, i shqetësuar për të drejtat e të tjerëve dhe me vullnetin për të përdorur të gjitha mjetet, përfshirë dhunën: “Një fashist me gjasa do të jetë një tiran, por një tiran nuk ka nevojë të jetë fashist”. Testi i lakmusit përfshin edhe përfshirjen në armatime. Shumë mbretër apo diktatorë u frikësohen masave dhe krijojnë forca truprojesh për t’i ruajtur, vë në dukje ajo. Fashistët kërkojnë ta kenë turmën në anën e tyre.

Ollbrajt sheh vetëm një regjim fashist sot, në Korenë e Veriut, me ultra-nacionalizmin e vet dhe përçmimin vrastar për të drejtat e njeriut. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk është plotësisht i tillë, për shkak se ende nuk ka pasur nevojë për këtë.

Turpërim dhe nënshtrim

Nëse njohuritë e Ollbrajt priten të jenë të tilla, mënyra e saj me fjalët është një suprizë e bukur, ashtu sikundër mençuria e saj për natyrën njerëzore. E çliruar nga zhargoni gjeopolitik, proza e saj e thjeshtë në dukje është e spërkatur me vëzhgime mendjemprehta për emocionet që qëndrojnë pas vendimeve të këqija apo mjeshtërore të politikanëve. Në takimin e saj të parë me Putin, për shembull, ai pranoi se muri i Berlinit nuk do të kishte zgjatur përgjithnjë, por shprehu keqardhje për nxitimin kaotik të daljes sovjetike nga Gjermania Lindore. Ai “është në siklet nga ajo çfarë ndodhi me vendin e tij dhe është i vendosur t’i kthejë madhështinë”, vëren ajo në një shënim. Një njeri krenar është, në të vërtetë, në gjendje të bëjë çdo gjë për të shpëtuar nga turpi.

Dyqanet e librave janë plot me udhërrëfyes ekspertësh për të dalluar rrëshqitjen e vendit në autokraci. Me emra të tillë si “Si vdes Demokracia”, apo “Trumpokracia”, ato zakonisht fokusohen tek njeriu në Shtëpinë e Bardhë. Ky libër është më i gjerë: Ollbrajt thotë se së pari e kishte planifikuar atë si një abetare për mbrojtjen e demokracive nëpër botë, kur mendonte se Hillari Klinton mund të fitonte. Megjithatë, në kapitujt historikë që ndonjë student kolegji mund t’i quajë Fashizmi 101, ajo mbart një lloj argëtimi prej profesoreje kur përshkruan taktikat despotike me jehonë në botën moderne, duke vënë në dukje se Benito Musolini premtoi të “thajë kënetën” duke shkarkuar nëpunësit civilë.

Gazetarëve iu drejtohej gishti në tubimet e tij, kështu që mbështetësit të mund të thërrisnin kundër tyre.  Vetëm në periudha relativisht të qeta, qytetarët janë “të durueshëm” mjaftueshëm për të debatuar dhe menduar me qëllim, shkruan ajo, apo për të dëgjuar ekspertët.

Sa për Trump, tribun i padurimit, lodhja e Ollbrajt nga hiperbolizimi nuk do të thotë se ajo është “e nxehur”. Ajo e quan atë “presidentin e parë anti-demokratik” të Amerikës në kohët moderne. Transplantuar në një vend me më pak garanci mbrojtëse, ai “do të fitonte çdo audicion për diktator, për shkak se këtu e drejton instikti i tij”. Në një tjetër epokë, ajo do të kishte pasur besim se impulse të tilla do të përmbaheshin nga institucionet e Amerikës. “Kurrë nuk e kam menduar që në moshën 80-vjeçare, të nisja të kisha dyshime”.

Nëse kjo deklaratë tingëllon alarmante, e ka arritur qëllimin. Por kriticizmi i saj shkon po aq shumë për votuesit me mirëbesim sa edhe për presidentin. Ajo sjell në kujtesë ankthin e të atit kur mbërriti në Amerikën e pas-luftës dhe gjeti kaq shumë vendas të mësuar me lirinë – kaq “shumë, shumë të lirë”, shkruante ai – saqë mund ta merrnin demokracinë për të mirëqënë. Sot ajo sheh detyrë urgjente për qytetarët dhe politikanët e përgjegjshëm, të cilët mund të priren të mbyllin sytë dhe të presin që të kalojë më e keqja. Ajo citon idenë përçmuese të Musolinit për rolin e turmës: “të pranojë të marrë formën”. Nënshtrimi është hapi i parë në një marshim që përndryshe, edhe mund të shmanget.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts