“Maria” i afrohet Porto Rikos: 3.5 milionë banorë në rrezik nga uragani…

Maria, uragani i dytë i fuqisë maksimale që u krijua në Atlantik, është përplasur mbi ishujt Virxhin dhe po i drejtohet Porto Rikos.

Stuhia e kategorisë së pestë ka arritur forcën maksimale në ishujt St. Croix, një ditë pasi shkaktoi një sërë dëmesh në Dominika.

Uragani po lëviz pothuajse në të njëjtën rrugë me Irmën, edhe ajo e kategorisë së pestë dhe me një formë shkatërrimtare.

Guvernatori i Porto Rikos i ka kërkuar 3.5 milionë banorëve të territorit amerikan të gjejnë strehim tani që stuhia po afrohet. Zyrtarët druhen se mbeturinat e lëna pas nga Irma mund të kthehen tani në një element tejet të rrezikshëm nga erërat e forta të Marias.

Ka gjithashtu shqetësime se reshjet e dendura të shiut mund të shkaktojnë rrëshqitje dheu, ndërsa në zonat e ulëta stuhia parashikohet të ngrejë dallgë deri në 3 metra të larta.

Porto Riko ka qenë një parajsë e mbrojtur për njerëzit që i janë larguar këto javët e fundit ishujve të tjerë të shkatërruar të Karaibeve, por tani, edhe ky vend është në rrugën e një tjetër stuhie shkatërrimtare.

Presidenti Donald Trump ka shpallur gjendjen e emergjencës për Porto Rikon dhe Ishujt e Virgjër, si dhe ka autorizuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Agjensinë Federale të Emergjencave për të koordinuar të gjitha përpjekjet e shpëtimit.

Një tjetër stuhi, e pagëzuar me emrin “Lee”, po pason nga lindja urganin Maria, por nuk parashikohet nga metereologët që t’i afrohet Karaibeve. /tesheshi.com/

 

Related posts