Maqedonia dhe Greqia formojnë grupe pune për çështjen e emrit

Çështja e emrit, pozitat e Maqedonisë dhe të Greqisë, si edhe pritjet për atë se çfarë ndryshimesh do të pasojnë në rajon pas zgjidhjes së këtij kontesti 25-vjeçar edhe më tej, janë temë kryesore në opinion në të dyja shtetet. Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Ministria e Jashtme kanë formuar grupe të përbashkëta pune me Ministrinë e Jashtme të Greqisë që drejtpërdrejtë të negociojnë rreth propozimeve për zgjidhjen e emrit. Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov në intervistë për Reuters kishte thënë se këto grupe të punës pritet të takohen shpejt, në shkurt.

“Është e qartë se identiteti është shumë i rëndësishëm për ne. Duhet të gjejmë mënyrë për t’i bindur kolegët tanë grekë se ekziston distinkcion i qartë midis vendit tonë dhe rajonit të tyre, i cili e përfshin Greqinë Veriore”, tha Dimitrov.

Shefi i diplomacisë së Shkupit theksoi se Maqedonia e cila prej vitit 2005 e ka statusin e kandidatit për anëtarësim, shpreson se në qershor do të marrë datë për fillimin e negociatave, si dhe ftesë për anëtarësim në NATO.

Zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Xanakopulos, nga ana tjetër, në një intervistë për radion Selaniku, potencoi se ndryshimi i emrit kushtetues, përdorim në brendi të vendit dhe angazhim i qeverisë pas vetes ta lë irredentizmin, janë kërkesa prej Athinës zyrtare për arritjen e zgjidhjes.

“Pozita jonë është një emër, erga omnes, që do të përdoret për të gjithë, ndërsa fqinjët tanë do ta përdorin në brendi, gjegjësisht do të ekzistojë edhe ndryshim i emrit kushtetues që të mund të gjendemi në fushën e zgjidhjes”, thotë Xanakopulos i cili shton se Greqia nuk mund ta pranojë retorikën irredentiste prej të kaluarës.

Çështja e emrit hapi edhe front të ri në Greqi midis qeverisë dhe kishës. kjo e fundit nuk pajtohet termi “Maqedoni” të jetë pjesë e emrit, pasi që kështu do të ishte pjesë përbërëse edhe e emrit të kishës së Maqedonisë.

Ndryshe, raundi i dytë i negociatave për zgjidhjen e kontestit të emrit, pas ripërsëritjes së tyre është caktuar për më 17 janar në Nju Jork.

Me intensifikimin e negociatave për zgjidhjen e emrit, në Greqi janë paralajmëruar protesta për të kundërshtuar përdorimin e termit “Maqedoni” në bisedimet për zgjidhjen e emrit.

Miradie Hasani – /tesheshi.com/

Related posts