728 x 90 Leaderboard

Maqedoni: të dhënat tregojnë thellim të hendekut mes të pasurve dhe të varfërve

Nga Mensur Krasniqi

Kriza e thellë politike në Maqedoni, si duket është bërë refleksion i krizës ekonomike të qytetarëve. Në bazë të dhënave të fundit të Entit Shtetëror për Statistika, pothuajse 30 përqind e amvisërive disponojnë vetëm 100 euro në muaj të ardhura, ndërsa burimi i tyre kryesor i tyre janë pensionet, ndihma sociale dhe remitancat. Po ashtu, sipas analizave të këtij institucioni, thuhet se vetëm 6.3 për qind e amvisërive të anketuar mund t’i mbulojnë nevojat mujore.

Në krahasim me këtë kategori, amvisëritë më të pasura në vit disponojnë me 14.555 euro në vit ose 1.212 euro në muaj, që është gati 12 herë më shumë në krahasim me amvisëritë e varfra.

Sipas ekspertit ekonomik Ali Maksuti, amvisëritë për shpenzimet bazë, minimum duhet të kenë 200 euro në muaj, diçka që nuk korrespondon me mjetet të cilat disponojnë(100 euro) nga pensionet, ndihmat sociale dhe remitencat, andaj ata për ta siguruar kafshatën e gojës të futen në borxhe tjera.

al

“Niveli i varfërisë në Maqedoni ka pësuar rritje këto pesë vitet e fundit, kjo ka ndikuar drejtpërdrejtë në të hyrat mujore familjare – amvisërive në raport me shpenzimet. Nëse të hyrat mujore për një familje janë rreth 100 – 110 euro për muaj, nga ana tjetër kemi po nga këto familje shpenzime bazë mbi 200 euro mujore minimale, që do me thënë jo vetëm nga pensionet, ndihmat sociale dhe remitencat, por edhe nga borxhet , qofshin ato kredi nga bankat konvencionale qofshin borxhe klasike, një familje për kushtet bazë i siguron të ardhurat për të kaluar muajin. Kjo sitatë tregon për një thellim me të varfër të popullsisë që jeton ne varfëri apsolute”, deklaroi për portalin tesheshi.com, Ali Maksuti.

“Duke pasur parasysh që në të njëjtën kohë kemi kategori të amvisërisë që disponojnë të ardhura rreth 15.000 euro vjetore, apo rreth 1200 euro mujore, që në përqindje është rreth 20% e popullatës, kurse tjerat janë nën këtë përqindje deri tek ato te varfërisë ekstreme që në Maqedoni janë rreth 1.2%, sipas Maksutit, kjo situatë tregon se në Maqedoni është duke u krijuar një hendek mes atyre që jetojnë në varfëri apsolute dhe një kategori që jeton një jetë të mirë.

Ky hendek ndikon edhe në indikatorët tjerë ekonomik,, si rënia e fuqisë blerëse, rënie e të ardhuravë nën këtë mesatarë që kemi tani, rënie të çmimeve etj”, shtoi Maksuti.

Edhe përkundër rritjes kontinuele të çmimeve të shumë produkteve, faktit që shumë produkte apo shërbime të reja bëhen pjesë e patjetërsushme e përditshmërisë (interneti, kompjutorët, telefoni, kablloviku…..), normës së  inflacionit si dhe pagesa të ndryshme që ndër vite vetëm se vijnë e shtohen,  sipas profesorit universitar Gadaf Rexhepi, rrogat në Maqedoni nuk kanë lëvizur në të njëjtën tempo.

gadaf rexhepi

“Po edhe nëse krahasohen rrogat momentale me të kaluarën, ata duken më të mëdha por fuqia blerëse e këtyre rrogave për shkak të faktorëve të lartpërmendur rezullton të jetë më e vogël. Në Maqedoni vërehet që një pjesë e madhe e qytetarëve jetojnë në kushte shumë të rënda, e sidomos është evidente në pjesën shqiptare ku fatkeqësisht kjo përcillet edhe me një infrasturkturë shumë të rënduar që dita dita keqësohet e jo të përmirësohet, dhe ndikon që këta njerëz edhe më shumë ta ndjejnë veten si të diferencuar. Kjo në mes shtresës së varfër dhe të pasur në kontinuitet vjen e rritet.

Atij ende nuk i kujtohet një vendim i qeverisë që rritjen e rrogave e ka bërë në shumë, çdoherë kjo bëhet në përqindje, kështu duke rritur më shumë pagat e tyre se sa të qytetarëve.

“Kemi raste që disa pozicione të cilat paguhen nga buxheti i RM arrijnë pagës mujore prej 70.000- 90.000 denarë por dhe kemi rroga 9000 denarë, nëse i rrisim ato për 40% në fund do të kemi rritje deri 36.000 den për njërën palë ndërsa për tjetrën vetëm 3600 den. Kjo pra edhe më shumë ndikon në rritjen e gepit nëmes njërës dhe tjetrës shtesë. Gjithashtu, edhe pse jemi ekonomi e lirë por mendoj se edhe sektori privat duhet të jetë pak më altruist pasi që rrogat e shumë të punësuarve ndër vite ngelin të njëjta dhe fatkeqësisht edhe më të vogla se në sektorin publik që mendoj se është edhe një ndër arsyet në mesin e të rinjve që ata kërkojnë të punësohen në sektorin publik”, përfundoi Rexhepi. /tesheshi.com/

 

 

Related posts