Maqedoni: “Monstra” kthehet në rigjykim, shpresë për 6 të akuzuarit për terrorizëm

Grupi i gjykatësve në Gjykatën Supreme të ngarkuar për vlerësimin për rastin “Monstra”, pas rrethanave shtesë që dolën nga përgjigjet ka votuar pro rikthimit të rastit në Gjykatën Themelore. Që lënda e këtij rasti të rikthehet nga fillimi, javë më parë u paralajmërua nga prokurorja Liljana Spasovska, e cila udhëhiqte lëndën. Duke marrë për bazë ankesat e mbrojtjes dhe njëkohësisht duke analizuar provat e rrethanat por edhe me dëshmitë e siguruara nga materialet e përgjuara, Spasovska kërkoi javë më parë që një organ më i lartë të vendosë për fatin e kësaj lënde. Për vrasjen e pesëfisht në liqenin e Smillkovcës në vitin 2012 me burg të përjetshëm u dënuan 6 persona nën akuzën për vepër terroriste.

Pas vendimit për rikthimin e rastit “Monstra” nga fillimi, Avokati Naser Raufi theksoi se avokatët mbrojtës do ta argumentojnë atë që e kanë thënë për 5 vite, se të akuzuarit janë të pafajshëm. Raufi u shpreh i sigurt se të burgosurit do të lirohen nga akuzat.

Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, disa herë paralajmëroi se opinioni përmes “bombave” do ta mësojë të vërtetën për këtë rast, por megjithatë ai nuk publikoi biseda të përgjuara për vrasjen makabre të katër djelmoshave nga Radishani dhe peshkatarit nga Cresheva, si dhe për dënimin me burg të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve. /tesheshi.com/