Maqedoni: ja kush janë “armiqtë e rinj” të emigrantëve të ardhur nga Lindja

Nga Miradie Hasani  

Maqedonia dy viteve të fundit ishte në hall me “rrugën ballkanike”, kur emigrantët, kryesisht nga Lindja e Mesme, kalonin nëpër këtë vend duke shkuar drejt vendeve evropiane.

Nga viti 2015 e deri më tani, në Maqedoni janë futur rreth 500 mijë emigrantë. Ndërsa me mbylljen e kësaj rruge, në kampet e përkohshme në Gjevgjeli dhe Tabanoc qëndrojnë rreth 30 emigrantë në kushte të përmirësuara.

Ekspertët e sigurisë nuk përjashtojnë mundësinë që kriza me emigrantët të përsëritet. Ata theksojnë se bashkëpunimi në mes shteteve të Ballkanit duhet të jetë i vazhdueshëm për të shkëmbyer përvojat mes tyre rreth menaxhimit sa më të suksesshëm me krizën e migrantëve.

“Duam të veprojmë në mënyrë pro-aktive, dhe të kemi një vizion pro aktiv, në rast se do të ketë krizë, patjetër kriza më shumë e kaploi Maqedoninë gjatë dy viteve të kaluara, megjithatë nuk mund të pohojmë se kjo gjë nuk do të përsëritet”, tha Nexhat Koraeviq.

Sipas dekanit të fakultetit Filozofik, gjatë krizës me emigrantët janë evidentuar edhe raste të tregtisë me njerëz. Nga këto përvoja duhet marrë mësim se si të parandalohen raste të tilla.

“Mendoni që kanë qenë 40 mijë fëmijë të pashoqëruar, tregti me njerëz, pra një milion njerëz në kufi, dhe kuptohet që për kapacitetin tonë mund të ketë pasur ndonjë problem ose lëshim të vogël, e megjithatë edhe pse kanë qenë një milion njerëz në kufi, njerëzit tanë modest, të punësuarit në MPB, në Agjencinë shtetërore për shpëtim, në Qendrën për  Menaxhimin me Kriza, prapëseprapë arritën ta përballojnë”, tha Ratko Duev, nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”.

Ndërkohë që kryetari i organizatës joqeveritare “Legis”, Jasmin Rexhepi theksoi se në krahasim me situatën e para dy viteve, tani ekziston situatë e re me të cilën ballafaqohen refugjatët, pasi që me mbylljen e rutës ballkanike janë hapur kanalet për qarkullim ilegal të emigrantëve të cilët po keqpërdoren nga grupet e kontrabanduara.

Edhe Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut dhe UHNCR, vlerëson faktin se refugjatët të cilët qëndrojnë në Tabanoc e braktisin shpesh kampin dhe kërkojnë mënyrë se si të dalin ilegalisht nga Maqedonia  është shqetësues.

“Ata grupe të kontrabanduara ndodhen në fshatrat përreth afër kufirit të Tabanovcit. Disa herë kam apeluar që duhet përgatitje më e madhe e MPB-së për ta ndjekur situatën për arsye se refugjatët gjithmonë bëhen viktima të të gjitha llojeve të keqpërdorimit. Për momentin unë kam frikë se bëhet fjalë për trafikim me njerëz, për keqpërdorime të çfarëdo lloji”, tha Pirovska. /tesheshi.com/