Maqedoni: gjenden ilaçe të falsifikuara, ja sëmundja tjetër që po vuajnë pacientët

Në Maqedoni, një kohë të gjatë në publik qarkullojnë informata që kanë të bëjnë me barna të falsifikuara dhe jocilësore nëpër barnatore. Dhe kjo ndikuar në përhapjen e një psikoze deri në pikën sa pacientët, ata që janë nën ndonjë sëmundje, të vuajnë mungesën e sigurisë në efektin shërues të terapisë që ndjekin. Pra, një sëmundje shtesë, ajo e dyshimit deri në mosbesim.

“Ato barnat e falsifikuara janë tërhequr nga barnatoret dhe qytetarët duhet të ndjehen të sigurt në lidhje me terapinë që e marrin”, thotë  zv/ministri i shëndetësisë, Goce Çakarovski. Ai thekson se është duke u kryer hetim dhe kërkon durim qytetar derisa institucionet të publikojnë se kush i ka falsifikuar barnat.

“Nëse mendoni se ekziston në botë një institucion i cili mund t’i informojë qytetarët brenda 24 orëve, se cilat barna janë të sigurta e cilat jo në momentin kur shpiken, që do të thotë të zbulohet nëse janë të falsifikuar apo jo, më tregoni se cili shtet mund ta bëjë këtë gjë dhe do të dërgojmë ekspertë atje që të trajnohen për këtë gjë. Lejoni që institucionet ta kryejnë punën e tyre. Të gjitha ato barnat janë tërhequr”, u shpreh Goce Çakarovski.

Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski njofton se policia vepron në lidhje me rastin e barnave të falsifikuara, por ai tha se për informata më konkrete presin udhëzime nga ana e prokurorisë.

“Unë kam informata se prokuroria publike ka hapur një rast të tillë. Ne, nga aspekti ynë tashmë ndërmarrim aktivitete në pajtim me udhëzimet që i marrin nga ana e prokurorisë  publike”, tha Spasovski.

Miradie Hasani  – /tesheshi.com/