Manifestime e protesta: Italia kalon në nivelin “e kuq” të sigurisë, në prag të zgjedhjeve

Italia ka kaluar në nivelin më të lartë të sigurisë në prag të dhjetëra manifestimeve dhe protestave që janë parashikuar vetëm 10 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 4 marsit. Kështu, prej disa ditësh klima politike në vend është karakterizuar nga protesta të dhunshme me thirrje raciste apo antifashiste.

Militantë të forcave të ekstremit të majtë janë përplasur me policinë italiane për të ndaluar zhvillimin e tubimeve të forcave të ekstremit të djathtë të cilët, në këtë fushatë elektorale, janë karakterizuar nga tone të forta raciste.

Mbi 0 manifestime politike do të mbahen në Romë, Milano, Bolonja, Palermo dhe për të mundësuar mbajtjen e qetësisë dhe rendit public, me pritshmërinë për protesta, policia ka blinduar rrugët dhe sheshet.

Në Romë, janë nxjerrë në terren 3500 agjentë të forcave të rendit, ndërsa do të kontrollohet edhe nga ajri me anë të dronëve policorë.

Policia shkencore do të filmojë të gjithë tubimet për të pasur nën kontroll e identifikuar përgjegjësit në rast përdorimi dhune.

18 persona janë ndaluar gjatë mbrëmjes së djeshme nga Policia e Romës të gjithë militantë të forcës ekstreme të djathtë “Forza Nuova” të cilëve iu gjetën bombola spray, bomba tymosëse, flamuj të zinj e sllogane raciste. /tesheshi.com/

Related posts