728 x 90 Leaderboard

Man. Siti rigjen fitoren dhe i afrohet fitimit të trofeut të Premier Ligës

Skuadra kryesuese e kampionatit anglez ka lënë pas një dhjetëditësh të vështirë, për të fituar këtë të shtunë 1-3 ndaj Totenhemit në Premier Ligë.

Dy humbjet me Liverpulin në Champions League, dhe ajo me Mançester Junajtedin në kampionatin anglez, kishin lënë gjurmë te “qytetarët”, që pavarësisht shifrave nuk e patën të lehtë në “Wembley”.

Ata e panë veten në kryesimin me dy gola pas 25 minutave të para të lojës; në të 22-tën minutë do të shënonte Gabriel Jesus, dhe tre minuta më pas Gündoğan do të kthente në gol një 11-metërsh të paqenë.

Goli i Eriksen-it pak pas mbylljes së pjesës së parë i tronditi pozitat e miqve, që ngjashëm e patën pësuar vetëm një javë më parë në derbin ndaj Man. Junajtedit.

Totenhemi ngulmoi në gjysmën e parë të pjesës së dytë, por më pas u la terren udhëtuesve, të cilët realizuan golin e tretë me anë të Sterling-ut.

Mançester Sitit tani i mjaftojnë vetëm tre pikë për t’u shpallur kampion i Premier Ligës për këtë sezon, veçse titulli mund të bëhet i tij edhe nëse Mançester Junajtedi i vendit të dytë humb të dielën ndaj Uest Bromuiçit. /tesheshi.com/

Related posts