728 x 90 Leaderboard

Lulëzim Shishani, ky shqiptar i mirë që përkushtohet për përparimin dhe dixhitalizimin e Gjuhës Shqipe

Mbi qindra mijëra persona përdorin produktet softuerike të gjuhës shqipe të cilat janë bërë me iniciativën dhe menaxhimin e tij, shumë të tjerë i lavdërojnë këto produkte që iu ndihmojnë që të shkruajnë dhe ta kuptojnë pa gabime gjuhën shqipe, por ndoshta një pjesë nuk e njohin, sepse ai nuk dëshiron të dalë shpesh në media, por me insistimin e portalit tesheshi.com, arritëm të realizojmë një intervistë.

Është ky Lulëzim Shishani, drejtor i Qendrës për Edukim dhe Përparim. Ai ka një projekt të madh që e ka emëruar “Gjuha Shqipe dhe Kompjuteri”, ndërsa thotë se misioni i tij është që ta zhvillojë dhe ta dixhitalizojë gjuhën shqipe dhe ta bëjë të krahasueshme me vendet me të zhvilluara. Ai është krijues i programeve softuerike si: Drejtshkrimori ose korrektuesi i gjuhës shqipe, Kulla e Shqipes që shpjegon gramatikën, Fjalori i Informatikës, Tastiera Elektronike AS Qendra, Abetarja digjitale që e lehtëson shumë mësimin e shkronjave dhe alfabetit për fëmijët e vegjël, Fjalori Elektronik Shpjegues, Windows 7 shqip, Office 2010 shqip, libra elektronikë etj., etj. Ai tregon se në afat më të gjatë ka si synim programin kompjuterik për njohjen e zërit dhe shndërrimin e tekstit në zë.

Shishani është ideator dhe krijues i Librit Gjigant të Gjuhës Shqipe, që është më i madhi në botë, i cili i ka 8000 faqe, ndërsa një faqe e tij është rreth 2 metra me 1 metër. Ai ka krijuar një mostër të tij prej steropori se si do të duket, por projekti ka ngecur në këtë fazë. Ai garanton se po të kishte përkrahjen e Qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë për më pak se dy vite, gjuha shqipe do të kishte të gjitha mjetet digjitale më bashkëkohore që njeh sot bota.

A mund që të na tregoni në pika të shkurtra për aktivitetin tuaj, konkretisht për kontributin që keni dhënë për kulturën shqiptare. Kur keni filluar që të merreni me këtë mision?

Personalisht jam i përfshirë në përparimin e kulturës shqiptare që nga viti 1997, megjithatë, në mënyrë më të organizuar, si udhëheqës i një grupi shumë të madh ekspertësh dhe bashkëpunëtorësh, merrem që nga viti 2000.  Që nga kjo periudhë kemi qenë kryesisht të orientuar në prodhimin e softuerëve për mbrojtjen dhe përparimin e gjuhës shqipe. Kohëve të fundit jemi duke punuar në softuerin e ri për sinoniminë shqipe. Frymëzimi ynë është i madh dhe i sinqertë, ashtu siç është edhe angazhimi jonë në këtë fushë i domosdoshëm për shkak të mungesës së një angazhimi serioz të institucioneve qeveritare.

Këtë vit bëhen dhjetë vjet që ekziston një softuer korrigjimi i shqipes. Si ju kanë vlerësuar të tjerët dhe si e vlerësoni veten sot? 

AS Drejtshkrimori 2.0 ka qenë dhe është mësuesi dhe ekzekutuesi më masiv dhe më i përpiktë i normës së gjuhës shqipe. Ai që e ka të instaluar dhe që e përdorë mbi 99% e leksikut aktiv të fjalëve të shqipes nuk mund t’i shkruajë gabimisht. Vlerësime pozitive dhe fjalë të mira për këtë fakt ka pasur dhe ka nga të gjithë. Dobia dhe rëndësia e këtij dhe softuerëve tanë të tjerë, kuptohet më së miri nga interesimi i madh për t’i përdorur dhe nga numri i madh i instalimeve. Sot ka mbi 400.000 përdorues aktiv të këtyre softuerëve.

 A e keni rifreskuar kohëve të fundit këtë program dhe deri ku u keni shkuar projekteve tuaja për gjuhën shqipe dhe mbrojtjen e saj. Ka disa fjalë që konsiderohen në rregull me drejtshkrimin, por që korrektuesi nuk i pranon.

Ne punojmë rregullisht në shtimin e fjalëve të reja dhe përparimin teknik të këtyre softuerëve. Kemi mbledhur edhe 15.000 fjalë të reja që janë shtuar në versionin e ri të AS Drejtshkrimorit. Të gjithë softuerët aktualë AS Drejtshkrimori 2.0, AS Fjalori i Termave të Informatikës 1.0 , AS Kulla e shqipes 1.0, AS Fjalori elektronik shpjegues 1.0 janë në fazën e avancimit dhe nëse do të ketë një bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, brenda këtij viti do të dalim me versionet e reja, të përparuara. Sidomos, e shohim shumë të nevojshme të kemi softuerin për sinonimet që do ta përmirësonte shumë kulturën e të shprehurit.

Cili ishte dhe është bashkëpunimi juaj me ekspertët gjuhësorë të të gjitha viseve ku jetojnë shqiptarët? 

Bashkëpunimi ynë me gjuhëtarët ka qenë i shkëlqyeshëm që nga fillimi. Vetëm me përfshirjen e gjuhëtarëve më të mirë në nivel kombëtar ka qenë i mundur realizimi i këtyre softuerëve. Aspekti profesional gjuhësor është me shumë rëndësi për këto projekte softuerike, sepse dobia e fundit nga softuerët është gjuhësore. Së fundi, jemi duke përgatitur një portal me një softuer special, ku të gjithë gjuhëtarët do të kenë mundësi të ofrojnë dijen e tyre për përparimin e gjuhës dhe secili gjuhëtar shqiptar, nga cilido rajon qoftë ai, do të ketë mundësi që të ketë faqen e tij të internetit në këtë portal, pa asnjë shpenzim dhe të jap kontributin e tij gjuhësor rreth këtyre softuerëve po ashtu.

A keni pasur ndonjë model ekzistues korrigjimi gjuhësor, a keni shfrytëzuar përvojat e mëparshme të të tjerëve kur keni hartuar modelin tuaj elektronik? Nëse po, cili ka qenë ai model?

Po, kemi bashkëpunuar me shumë organizata ndërkombëtare të specializuara për softuerë. Do të përmendja vetëm bashkëpunimin me Microsoft-in, pasi edhe modulet tona softuerike janë kryesisht për paketën MS Office. Por, jemi ne ata që e udhëheqim projektin dhe i japim drejtimin e duhur dhe jemi ne ata që mbulojmë të gjitha shpenzimet financiare.

Sa ka ndikuar dhe sa do të ndikojë programi juaj që bashkatdhetarët tanë të shpërndarë kudo nëpër pjesë të ndryshme të globit të mbeten shqiptarë dhe të mos asimilohen? Cilat produkte ata mund t’i shfrytëzojnë specifikisht?
Libri Gjigant 2

Falënderimet më të mëdha çdoherë i marrim nga bashkatdhetarët tanë jashtë vendit dhe ata kanë një përfitim të madh nga softuerët tanë. Që nga gushti ne do të kemi shumë të reja dhe një ofertë shumë të pasur për bashkëpunim në ruajtjen e gjuhës sonë të dashur duke ofruar shumë softuerë dhe shërbime përmes portalit tonë për gjuhën shqipe. Ky portal praktikisht do të ketë çdo gjë për gjuhën shqipe duke filluar me: MS Windows dhe MS Office në gjuhën shqipe, Kullën e shqipes si aplikacion të uebit, Fjalorin e termave të informatikës, Fjalorin elektronik shpjegues si aplikacion të uebit, Tastierën shqip 1.0, Abetaren elektronike e cila është shumë e efektshme dhe atraktive për fëmijët që ta përdorin, Teste për gjuhën shqipe, Libra elektronikë, Lajme për gjuhën, Artikuj për gjuhën, Udhëzime dhe rregulla të gjuhës shqipe, Kurse për gjuhën shqipe e shumë gjëra të tjera për gjuhën tonë të ëmbël.

Cilat kanë qenë falënderimet, sugjerimet, kritikat dhe vërejtjet më interesante që keni marrë? A vazhdojnë ato edhe sot? Sa ju motivojnë për ta vazhduar dhe për ta çuar përpara punën që keni marrë përsipër? 

Falënderimet kanë qenë me mijëra. Falënderimi më i madh është përdorimi i këtyre softuerëve nga më shumë se 400.000 përdorues. Vërejtje nuk ka, por, kërkesa që ne të bëjmë shumë më tepër dhe të jemi plotësisht në hap me gjuhët e tjera nganjëherë na duket e padrejtë dhe barrë e rëndë, sepse tek e fundit ne jemi organizata private që morëm gjuhën shqipe në mbrojtje, por, nuk mund të kemi detyrim të njëjtë me qeveritë shqiptare, përveç atij atdhetar, që si duket qeverive tona ky detyrim atdhetar u ka munguar shumë deri tani.

Çfarë kënaqësie dhe krenarie ju shkakton renditja dhe vendosja e shqipes në familjen e gjuhëve që kanë korrektues elektronik?

Frymëzimi ynë është i madh dhe i sinqertë. Personalisht e kam kuptuar që angazhimi im dhe familjar në këtë projekt, si nismëtar dhe udhëheqës është i domosdoshëm. Shumica e synimeve janë bërë publike, por, projekti synon edhe prodhime elektronike të tjera. Me një përkrahje shumë të vogël të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Qeverisë së Kosovës do të mund të bënim mrekulli dhe për më pak se dy vite të gjitha këto synime do të përmbylleshin. Kemi shpresë, por, fatkeqësisht, për momentin kjo përkrahje mungon.

Cilat janë planet e ardhshme te shoqatës suaj?

Projekti “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” është shumë i gjerë. Jemi duke punuar në shtimin e komponentit të sinonimeve dhe atij sintaksor për AS 2.0. Po ashtu jemi duke punuar në hartimin e fjalorit elektronik shpjegues dhe programit kompjuterik për studime të thella gjuhësore që pritet të përfundohen gjatë këtij viti. Ndërsa në afat më të gjatë kemi si synim programin kompjuterik për njohjen e zërit dhe shndërrimin e tekstit në zë, çdo herë duke pasur parasysh bashkëpunimin me Microsoft-in dhe shumë organizata tjera ndërkombëtare.

Ju në vitin 2011 keni prezantuar idenë konkrete për librin gjigant të Gjuhës Shqipe si dhe një mostër të tij se si do të duket. A mund të na sqaroni se cila është ideja e këtij libri, çka përmban dhe pse nuk është realizuar?

Libri Gjigant

Në vitin 2011, ne i kemi dorëzuar ministrit të arsimit z. Ramë Buja projektin për financim të publikimit të një kopjeje të “Librit Gjigant” të gjuhë shqipe. Po ashtu i kemi dorëzuar edhe një mostër të këtij libri e cila sot e asaj dite qëndron në sallën për media në Ministrinë e Arsimit. Përveç premtimeve të shumta, deri sot, nuk kemi pasur mirëkuptim për këtë projekt. Ky libër është krijimtari gjuhësore dhe shkencore e njerëzve të kombit tonë. Ky libër është një përmendore e gjallë e gjuhës shqipe, ku është pasqyruar me rreptësinë më të madhe shkencore struktura gramatikore e saj, e realizuar në tërësinë e formave të mundshme paradigmatike të fjalëve, si dhe pasuria më e madhe leksikore e shqipes e mbledhur së bashku në një libër, botimi i së cilës me siguri do të mundësonte hyrjen në Librin e Gines-it si libri/krijimtaria më e madhe. Sipas informatave tona, libri më i madh për momentin është 4000 faqe të librit të zakonshëm, ndërsa ky është 8000 faqe dhe një faqe e tij është rreth 2 metra me 1 metër.

Nëse do të kishit përkrahje qeveritare qoftë nga Kosova apo Shqipëria në aktivitetet tuaja, çfarë do të iu kishit ofruar shqiptarëve?

Po qe së qeveritë shqiptare do të ishin qëllimmira, do të kishin mirëkuptim për aktivitetet tona dhe do të bashkëpunonin, ne garantojmë që për më pak se dy vite, gjuha shqipe do të kishte të gjitha mjetet digjitale më bashkëkohore që njeh sot bota,ashtu siç i ka anglishtja dhe gjuhët tjera evropiane të zhvilluara. Këto mjete do të mundësonin përfundimisht mësimin dhe përdorimin e saj të saktë të gjuhës shqipe.  

 

    Intervistë redaksionale –  /tesheshi.com/

Related posts