728 x 90 Leaderboard

Luka Modriç thyen hegjemoninë e Ronaldos dhe Mesit: Topi i Artë për të (foto)

Topi i Artë është tashmë në duart e një kroati, dhjetë vite pasi ka qarkulluar sa nga duart e Kristiano Ronaldos te ato të Lionel Mesit.

Fitues i çmimit prestigjioz për këtë vit është shpallur mbrëmjen e së hënës mesfushori kroat Luka Modriç, lojtari i Realit të Madridit dhe i përfaqësueses së Kroacisë.

Modriç ka hyrë në histori me këtë çmim, duke i dhënë fund dominimit të dy yjeve të futbollit botëror, njëri portugez e tjetri argjentinas.

Ky ishte çmimi i tretë për të gjatë këtij viti pas fitimit të Champions League-s me Realin e Madridit dhe një paraqitjeje të shkëlqyer të Kroacisë në Botëror.

Pas Modriçit u renditën Ronaldo, një ish-shok skuadre me kroatin, dhe Grizman, sulmuesi i Atletikos së Madridit.

“Dua të falënderoj çdokënd që më ndihmoi të fitoj këtë çmim, çdokënd te Reali i Madridit dhe të gjithë shokët e ekipit tim te Kroacia, gruan time dhe fëmijët e mi… Është një ëndërr e bërë realitet. Është një nder i madh…,” do të shprehej Modriç mes të tjerash pas marrjes së çmimit.

Modriç u bë lojtari i parë kroat që e fiton këtë çmim. /tesheshi.com/

 

 

Related posts