Lufta reale për Akademinë: Sa para iu hoqi Rama shkencëtarëve dhe ç’fshihet pas “tundjes së flamurit sovjetik”?

Kryeministri Edi Rama ka shpallur fundin e Akademisë së Shkencave dhe rithemelimin e një institucioni që ai e emërtoi si “Akademia Shqiptare”. Rama deklaroi se qeveria nuk do t’i japë Akademisë më fonde për botime dhe investime, por vetëm shpërblimet e honoraret për anëtarët e saj.

Po të shikosh fondet, pra sasinë e parave që bëhet fjalë, lufta që po konsumohet gjithë këto ditë merr kuptim, pasi janë në lojë jo pak por një sasi marramendëse. Buxheti vjetor i Akademisë së Shkencave është plot 1 miliard lekë të vjetra, apo rreth 739 mijë euro, të cilat menaxhohen nga grupi që ka drejtuar deri tani këtë institucion. Një fond mjaft i madh, i cili sipas auditit të bërë vitin e kaluar, në pjesë më të madhe është harxhuar për pajisje dhe mjete sesa bibioteka apo botime shkencore.

Po si u shndërrua Akademia e Shkencave, nga një tryezë ku uleshin ajka e trurit shqiptar, në një organ ku për mbi 25 vite ka prodhuar botime që nuk kanë hyrë në punë, apo së paku kanë hapur përplasje në shoqëri?

Akademia e Shkencave u krijua nga regjimi komunist. Me një vendim natyrisht politik që diktatura synoi që ta përdorte si marketing për veten. Thelbi i këtij institucioni ishte i thjeshtë: anëtarë të Akademisë do të jenë të parët e shkencës shqiptare. Pra më të mëdhenjtë. Ajo kishte 17 anëtarë dhe 5 korrespondentë.

Mjafton të kujtohen emrat: Aleks Buda, kryetari i parë i saj ishte i pari dhe më i njohuri historian në vend; Eqerem Çabej, ishte më i miri ndër gjuhëtarët; Androkli Kostallari, rival i Çabejt por edhe gjuhëtar ndër më të mirët’ Shaban Demiraj, gjuhëtar; Kristo Frashëri, historian, ndër më të mirët në vend; Dhimitër Shuteriqi, filolog’ Bajram Preza, mjek nga më të njohurit në vend; Bedri Dedja, psikolog dhe pedagog; Hajredin Kumbaro, inxhinier metalurg; Fejzi Hoxha, mjek; Kolë Popa, kimist; Hysen Laçej agronom;  Kolë Paparisto, botanist; Odhise Paskali, artist; Mahir Domi, gjuhëtar; Petraq Pilika, matematikan; Petrit Radovicka, inxhinier energjie; Selaudin Bekteshi, mjek; Sotir Kuneshka, fizikan; Stefanaq Pollo, historian; Tish Dajia, muzikolog; Zef Kakarriqi veteriner; Teki Tartari, biolog; Zija Këlliçi, inxhinier ndërtimi, e padyshim dhe emra të tjerë.

Thuajse të gjithë këto emra që vunë themelin e Akademisë ishin të shkolluar në universitetet më të njohura jashtë vendit, dhe këtë shkollim e praktikuan në vend duke hartuar tekstet bazike të shkollave dhe universiteteve shqiptare.

Baza e Akademisë ishte natyrisht Albanologjia; pra gjuha dhe trashëgimia historike e shqiptarëve, ku pati arritje të rëndësishme shkencore dhe identiteti i shqiptarëve u vendos në autoritet shkencor të botimeve të njohura botërisht. Kurse pjesa tjetër ishte inxhinierë të industrisë dhe specialistë të bujqësisë, fusha që pati gjithashtu arritje të kërkimit shkencor.

Kjo Akademi ishte krijuar sipas sistemit të centralizuar, ku gjithçka që bëhej në shkencë komandohej nga lart. Asnjë tekst shkollor dhe universitar nuk miratohej pa vulën e Akademisë së Shkencave. Por me rënien e sistemit komunist, universitetet dhe institutet u decentralizuan dhe u futën në një rrugë tjetër, ku edhe studimin shkencor e diktonte tregu.

Akademia e Shkencave e pas vitit ‘90, në kuadrin e një lëvizje të decentralizuar kreu disa ndryshime në tekstet bazike të Albanologjisë, si të gjuhës dhe historisë, duke hapur një polemikë të madhe publike. Një pjesë e madhe e këtyre botimeve u futën në shkolla, tekste që u cilësuan nga specialistë të ndryshëm si të dobët dhe ç’është më e rëndësishme, një devijim i punimeve bazike të Albanologjisë që u krijuan nga themeluesit e Akademisë së Shkencave.

Po sot kush janë Anëtarët e Akademisë?

I pari që renditet në listën e anëtarëve të rregullt të Akademisë është Anastas Angjeli, dy herë ministër sot deputet.Profesor në fushën e ekonomisë dhe financës dhe pronar i një Universiteti privat. I dyti është Apollon Baçe. i treti është Gudar Beqiraj, matematicien. i katërti është Salvator Bushati i njohur për studimet në gjeofizikë. Më pas vjen studiuesja e letërsisë Floresha Dado, për të vijuar me antropologun Albert Doja, më pas Neki Frashëri (matematikë), Artan Fuga (sociologji), Nazim Gruda (Bujqësi), Skënder Gjinushi (matematikë), Jorgaq Kacani (mekanikë), Adnan Kastrati (mjekësi), Fatos Kongoli (letërsi), Rexhep Mejdani (fizikë), Arben Merkoci (kimi), Beqir Meta (historian), Petraq Petro (Matematikë), Edmond Pinguli (ndërtim), Bashkim Resuli (mjekësi), Xhevahir Spahiu (letërsi), Vasil Tole (muzikologji), Vangjeli Jani (biologji), Mariglen Verli (histori) dhe Floran Vila në fushën e fizikës. Mes anëtarëve të rregullt vihet re një ishpresident dhe disa figura që kanë qenë dhe janë pjesë e politikës si Skënder Gjinushi.

Për 25 vjet Akademia e Shkencave ka publikuar shumë tekste studimore, por shumë pak prej tyre kanë gjetur impakt në Shqipëri dhe në trevat shqiptare. Kjo ngaqë pesha e teksteve të hartuara prej themeluesve dhe investimi që u krye ndër breza shkollorë ishte e madhe, padyshim e ndikuar nga cilësia dhe serioziteti shkencor i tyre.

Megjithatë, shumë prej këtyre punimeve që në Shqipëri nuk kanë gjetur terren, edhe pse të hartuar nga Akademia e Shkencave, ata janë arkivuar në institucione të ndryshme të disa vendeve të botës si punime të shkencëtarëve shqiptarë. Disa nga këto punime, madje janë marrë referencë për të mbështetur edhe në përfundime politikë të vendeve përkatëse.

Një informacion i rezervuar nga një agjenci e rëndësishme i cili i është dorëzuar qeverisë shqiptare, thekson se disa punime akademike janë përdorur dhe referuar nga disa ente që kanë pasur qëllim për të shtrirë influencën ruse në Ballkan. Ky informacion mbetet mjaft konfident dhe pritet të sqarohet në ditët në vazhdim. Megjithatë deklarata e Edi Ramës se “Akademia vazhdon të tundë flamurin sovjetik” nuk duket se është e rastësishme. Ndaj dhe kryeministri nuk pranoi që ta reformonte këtë institucion por ta ribënte nga fillimi. /tesheshi.com/