“Lufta” mes Lladrovcit e Bazajt: a do ta humbë PDK-ja pushtetin në Drenas?

Nga Blendi Gashi

Një “luftë” e rinisur mes Ramiz Lladrovcit dhe Naim Bazajt, mund t’i kushtojë PDK-së së Kadri Veselit me humbjen e Drenasit, komunë të cilën e qeveris nga paslufta.

Se ky qytet i Drenicës nuk është më bastion i sigurt i PDK-së e treguan zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura vitin e kaluar, ku kjo parti e fitoi pushtetin vetëm pas balotazhit, ku ndihmë të madhe dha pikërisht Bazaj i cili u tërhoq nga kandidatura si i pavarur pas lutjeve që i bëri Veseli dhe e mbështeti Lladrovcin.

Ky lëshim nga Bazaj erdhi pasi ai besonte se në zgjedhjet e rregullta që do mbahen më 22 tetor do jetë kandidat i PDK-së për kryetar i Drenasit, por megjithatë nuk iu dha besimi nga qendra.

Dhe kjo “tradhëti” e bërë ndaj tij ka revoltuar tashmë Bazajn i cili haptas po punon ditë e natë kundër PDK-së dhe kandidatit të saj Lladrovci.

Se PDK tashmë është përçarë keq dhe nuk ka më pajtim e tregon rasti i sulmit ndaj Lladrovcit në Tërstenik. Llavdroci akuzoi pikërisht Bazajn se e planifikoi sulmin për çka policia tashmë e ka marrë në pyetje.

Por Bazaj e ka mohuar duke thënë se ai nuk qëndron prapa sulmit dhe është pikërisht ai që ka ndalur banorët e revoltuar të fshatit Tërstenik.

Bazaj i cili njihet si njeri me ndikim të madh në komunën e Drenasit ua ka bërë të qartë PDK-së se do të bëjë çmos t’i rrëzojë nga pushteti. Ai ka paralajmëruar se do të bëj publike disa fakte për Lladrovcin që dëshmojnë se si ka kërcënuar haptas presidentin e shtetit, Hashim Thaçin dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.

Bazaj shprehet i bindur se Lladrovci ka ardhur nga Shqipëria ku ka shërbyer si ambasador me një qëllim për ta shkatërruar PDK-në.

“Lladrovci ka ardhur me një vizion për të përçarë partinë në Drenas. Ai është i mësuar me lloje të tilla kërcënimesh e shantazhesh sikurse ia ka bërë Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Por unë nesër apo pasnesër do të publikoj këto dëshmi që i kam në dorë.Ai shantazhoi Thaçin e Veselin me një “çantë të zezë” prej Shqipërie lidhur me disa vrasje dhe disa gjëra të tjera”, ka thënë Bazaj, duke kërkuar nga të gjitha subjektet politike dhe banorët e Drenasit që mos ta votojnë “këtë mashtrues ordiner” siç e ka quajtur Lladrovcin.

Bazaj në ndihmë të NISMA-s

I “hasmëruar” me Lladrovcin por sigurisht dhe me kryetarin e partisë Kadri Veseli se nuk e kandidoi për kryetar, Bazaj ka dalë në mbështetje të kandidatit të NISMA-s Isa Xhemajlaj.

Bazaj, pak ditë pas hapjes së fushatës, është parë në aktivitetin e NISMA-s që është mbajtur në fshatin e tij Terstenik, ku për herë të parë doli publikisht në mbështetje të Isa Xhemajlajt, ku shihet i ulur pranë Jakup Krasniqit dhe Milaim Zekës.

Bazaj shprehet i bindur se PDK këtë herë nuk do të dalë fituese në Drenas dhe se NISMA do të marrë udhëheqjen e komunës siç thotë me mbështetjen e anëtarëve dhe kryesisë së PDK-së.

Padyshim që kjo përkrahje e hapur e Bazajt për NISMA-n mund të thyejë përfundimisht PDK-në në Drenas, pasi ai njihet si një prej më të “fortëve” në këtë komunë, ku pas vetës ka një numër jo të vogël të qytetarëve.

Përkrahje për partinë e Limajt që të fitojë Drenasin, që nga dita e parë ka dhënë edhe vëllai i Naimit, Dritoni i cili mori pjesë në hapjen e fushatës së NISMA-s në Drenas.

Ai në një foto të publikuar shihet pas Fatmir Limajt e Milaim Zekës. Kjo tregon qartë se familja Bazaj që ka ndikim të madh në Drenicë nuk po lë gurë pa lëvizur që ta rrëzojnë PDK-në nga psuhteti.

Megjithatë mbetet të shihet pas 22 tetorit nëse do të fitojnë Bazajt dhe NISMA të cilën tashmë e përkrahin apo PDK do ta mbajë pushtetin në Drenas. /tesheshi.com/