reklama juaj ketu

LSI, rikthim në 2009-ën: i kthehet “vesit” të bashkimit të votave me PD-në!

Pas batutave dhe qëndrimeve të ndryshme, tashmë PS dhe LSI kanë nisur gati periodikisht të votojnë ndryshe dhe kundër njëri-tjetrit.

Pas Këshillit Bashkiak të Durrësit, mund të thuhet pa frikë se tashmë nuk përbën lajm sa herë partia e Edi Ramës dhe ajo e Ilir Metës kanë mospërputhje, të cilat  shprehen me gjuhë kartoni kundër njëra-tjetrës. Ato do të vijojnë me gjasë deri në ditën kur edhe formalisht aleatët e 2013-s do të ndahen përfundimisht. Më e fundit ishte ajo e djeshmja kur LSI bashkoi votat me PD-në në komisionin e Reformës Zgjedhore.

Por le të bëjmë një rikthim pas në kohë për të kujtuar se është i njëjti “ves” i LSI-së, që e sinjalizon me karton, ku mundet, papajtueshmërinë e saj me PS-në.

Po të ndjekësh historinë e aleancave të brishta mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, duket se në këtë rast po zbatohet e njëjta skemë e fundvitit 2008 dhe vitit 2009.

Si sot, edhe atëherë revolta e parë e LSI-së nisi nga kundërshtia për Kodin Zgjedhor, çka futën Ilir Metën me gati të gjithë deputetët e tij, madje edhe me Nard Ndokën që të hyjnë në grevë urie.

Më pas, kur situata u eksplodua më shumë si një përplasje në të majtë sesa me Berishën, LSI nisi rebelimin në bashkitë ku së bashku me PS-në kishin fituar zgjedhjet vendore të 2007-s.

Pas një zinxhiri votash “kundër” në të gjithë vendin, kulmi u arrit në shkurt të 2009-ës, ku LSI udhëhoqi bashkë me PD-në përpjekjen për të rrëzuar buxhetin e bashkisë Tiranë me kryetar Edi Ramën.

Nuk ia arritën vetëm nga vota e kryetarit të Partisë Konservatore, Armando Ruço, të cilit iu premtua se nuk do t’i prishej lokali te 21-shi, por aty nisi përplasja e madhe që zgjati deri në vitin 2013.

Kronika më pas dihet: koalicioni i Metës me Berishën, video Meta-Prifti, 21 janari, zgjedhjet e 8 majit 2011, e deri tek koalicioni i 29 qershorit 2013 qe kurrë nuk i ngjiti PS-në me LSI-në si parti normale të së majtës.

Sinjali i parë politik i një çarjej ebrenda koalicionit nuk erdhi në Durrësm ku LSI hapur bashkoi votat me PD-në kundër buxhetit të kryebashkiakut Vangjush Dako, por në Dibër, pikërisht pas daljes së videos së Shukri Xhelilit, ku LSI ishte në luftë të hapur me kryebashkiakun e PS-së.

Më pas gjithçka doli në dritë ku u fol LSI ishte një nga “lehtësueset” për publikimin e videoskandalit të Shukes.

Por që ta shënojmë si kronikë politike, ishte fundi i vitit 2015 ku LSI bashkoi me PD votat kundër buxhetit të kryebashkiakut.

Pikërisht pas këtij akti politik aleanca nuk ishte si më parë dhe nisi “thatësira” e madhe.

Në Shqipëri prej atëherë janë zhvilluar dy palë votime: në Dibër dhe Kolonjë, ku ka qenë PDIU aktori kryesor brenda koalicionit të majtë dhe LSI thuajse nuk ka marrë pjesë fare.

Por ç’ndodhi dje?

Në komisionin e Reformës Zgjedhore, LSI ka bashkuar sërish votat me PD-në për të kërkuar votimin elektronik.

Oerd Bylykbashi, bashkëkryetari i Komsionit për Reformën Zgjedhore deklaroi se është vetëm PS ajo që nuk e pranon numërimin elektronik.

Petrit Vasili i përmendi PS-së grevën e vitit 2008 ku Ilir Meta deklaroi se fajtori është Edi Rama.

Interesant do të jetë fakti se nëse LSI e bën “ves” votimin së bashku me PD-në, do të kalojë në minorancë PS-në në KQZ, duke kthyer situatën para vitit 2011… /tesheshi.com/