“In Love” i Preç Zogajt: i zhgënjyer nga politika, i rikthehet poezive të dashurisë

I ngecur mes poetit dhe politikanit, politikanit dhe publicistit, Preç Zogaj në moshën 60-vjeçare i është rikthyer pasionit të rinisë, të shkuajë poezi dashurie.

Libri “In Love -101 poezi dashurie” botim i Mapo Edition që promovohet të premten paradite sjellë një përmbledhje me poezitë se “ode” mbi dashurinë të Zogajt.

Zogaj tentoi të rifutej në politikë pas një shkëputje të gjatë duke u “riatdhesuar” tek Partia Demokratike ku kishte qenë në fillimet e dhjetorit ’90, por një renditje jo e mirë në listën e Lezhës nga ana e kryetarit Lulzim Basha dhe një rënie e përgjithshme e elektoratit të kësaj partie në këto zgkedhje ai nuk u fut në Parlament.

Mesa duket, koha e këtij zhgënjimi të ri prej politikës nga 25 qershori i ka shërbyer për të bërë gati librin e poezive.

Në parathënien e librit, Gëzim Basha shkruan se “përzgjedhja “In Love”, si thuajse krejt poezia e Preç Zogajt, është një koleksion odesh moderne, ku klasi teknik, efektet poetike dhe finesa gjuhësore ofrojnë diagramin e ndjeshmërive të një mendjeje refleksive që e sheh botën me sy lirik.”.

Zogaj ka shkruar poezi që kur ishte ende gjimnazist dhe në Lezhë, qytetin e tij të lindjes ai dhe disa poetë të tjerë të rinj kishin krijuar rrethin e tyre letrar, ku bënte pjesë Ndoc Gjetja, Rudolf Marku, etj.

“Zogaj ishte produkt i grupimit letrar lezhjan, që nisi si një counterculture, por shpejt u bë epiqendër e një poezie ndryshe – më saktë njëra nga epiqendrat e poezisë shqipe, e cila, ndoshta edhe për shkak të represionit politik në qendër, pati marrë karakter regjional duke ikur në margjina si Lezha, Tropoja dhe Tepelena”, thotë Gëzim Basha  në parathënien e librit të Zogajt duke e krahasuar lirikën e politikan-poetit shqiptar me lirikën e Pablo Nerudës.

 

Poezia që e ritakoi me Lulzim Bashën dhe PD-në 

Politikani nga Lezha kishte bërë disa vajtje-ardhje në Partinë Demokratike dhe kur ajo ishte në pushtet 2005-2013 ai ishte në opozitë në krah të Edi Ramës, por kur Rama erdhi në pushtet Zogaj e gjeti përsëri veten si opozitar dhe me një lidershiptë ri në selinë blu tentoi të afrohej përsëri tek PD-ja.

Në mënyrë krej koncidenciale ishte po një libër me poezi që e ritakoi publikisht atë me Lulzim Bashën, vetëm një vit më parë në shkurt 2016.

Libri i fundit i tij titulluar “Ushtrimet e Melankolisë” i promovuar në një mbrëmje poetike tek hotel Carlsberg kishte sjellë miq nga letërsia dhe politika ndër ta dhe Lulzim Basha. Më tej Zogaj u gjend në krah të tij deri në zgjedhjet e qershorit kur priste që të rifutej në Kuvend si deputet i zonës së tij, por vendosja i katërti në listë e bëri të pamundur. Zogaj e shprehu hapur zhgënjimin e tij dhe u krijua një ftohje e re mes tij dhe partisë me të cilën ka prej afro 3 dekadash një histori dashurie-urrejtje.

Zogaj më parë ka shkruar publicistikë politike, ku ka trajtuar ngjarje të aktualitetit politik që nga vitet ’90 deri më sot. Por rikthimi tek poezia lirike duket se është ilaçi i ri me të cilin shëron plagët e politikës. /tesheshi.com/