Lokalet e 22 tetorit në Kosovë: mbi 220 vëzhgues në komunat veriore

​OSBE do të përkrahë Komisionin Qendror të Zgjedhejve me mbi 220 vëzhgues në komunat veriore gjatë ditës së zgjedhjeve, më 22 tetor. Këtë e ka konfirmuar shefi i i këtij Misioni, Jan Braathu, gjatë vizitës që i ka bërë KQZ-së, ku tha se ndihma e tyre do të jetë teknike.

“Stafi ynë do punojë me komisionerët e zgjedhjeve nëpër komuna dhe komisionet e vendvotimeve në mënyrë që të sigurojnë zbatimin dhe pajtueshmërinë e duhur me strukturat e KQZ-së”, tha ai.

Ndërkaq, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, shprehi mirënjohje ndaj OSBE-së në Kosovë, duke thënë se sot KQZ-ja është institucion i qëndrueshëm dhe profesionalisht i përgatitur falë mbështetjes së OSBE-së dhe institucioneve tjera .

Ajo ka shtuar se tashmë kanë përfunduar të gjitha punët e mëdha për ditën e zgjedhjeve.

“Kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë deri në ditën e zgjedhjeve dhe nga këtu mund të konfirmoj se të gjitha procedurat e mëdha kanë përfunduar në mënyrë që më 22 tetor të hapen dyert e të gjitha vendvotimeve të Republikës të Kosovës. Më lejoni që të ju njoftoj se edhe në këto zgjedhje do të kemi bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë. Roli i këtij misioni edhe këtë herë do të jetë i limituar, pra ky rol është i kufizuar në ndihmë apo përkrahje teknike për KQZ-në në katër komuna dhe atë vetëm ditën e zgjedhjeve. Nga këtu dua t’i ftojë të gjithë qytetarët me të drejt vote që të dalin të marrin pjesë në votime për komunën e tyre më 22 tetor”, tha ajo.

Duke thënë se dalja e qytetarëve në vendvotime shton vlerën këtyre zgjedhjeve, Daka ka ftuar qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar më 22 tetor, ndërsa, ka bërë thirrje që edhe subjektet politike të respektojnë ligjet dhe rregullat në mënyrë që Kosova të ketë zgjedhje demokratike. /tesheshi.com/