728 x 90 Leaderboard

Lojrat e Fatit: kur Italia fashiste jua ndaloi shqiptarëve bixhozin edhe në shtëpi

Në muajt e parë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, mbyllja e gjithë lojrave të fatit dhe ndalimi i kumarit në çdo ambient, ishte një prej urdhrave të bujshëm të mëkëmbësit të Viktor Emanuelit në Shqipëri, Françesko Jakomoni.

Por zbatimi i këtij urdhri dukej se qe i vështirë. Një varg shkresash të vjeshtës së ‘39-ës, dëshmojnë se sfida për t’i mbyllur të gjithë lojrat e fatit ishte e madhe. Një varg lokalesh e restorantesh ishin mbyllur e mbaheshin të bllokuara pasi i kishin kapur klientët e tyre në flagrancë duke luajtur kumar.

Por kjo luftë ishte shtrirë edhe më gjerë. As në shtëpi nuk mund të organizoheshin lojra të tilla.  Një avokat në Durrës i cili mblidhte njerëz në shtëpinë e tij për të luajtur kumar, kishte rënë në sy të informatorëve, të cilët ksihin lajmëruar në Ministrinë e Brendshme këtë shkelje të rëndë.

Pas këtij informacioni, vetë ministri Maliq Bushati urdhëronte Prefekturën e Durrësit ta shihte këtë çështje. Pas hetimeve kishte rezultuar se lajmi ishte i vërtetë. Ja çfarë thonë ekzaktësisht këto dy dokumente:

Dokumenti i parë

Mbretnija Shqiptare, Ministrija P.Mbrendshme

Zyra sekrete

Nr.674

Tiranë, 7/XI/1939

Prefekturës Durrës

Kemi informata se shpesh herë, mbremane, shumë tregtarë mblidhen në shtëpinë e av.Sulo Bogdos ku lozin lodra fati.

Ata më kryesorët janë: Skënder Pojani, Lazer Dovana, Spiro Spiro, si dhe kryetari i Gjyqit Thanas Meksi. Megjithëse kjo ministri nuk beson se në atë shtëpi dhe ata persona të lozin kumar. Lutemi hetoni dhe nëse rezulton e vërtetë. Të këshillohen personat e përmendur si dhe ata që mund të frekuentojnë atë lokal me qëllim luajtjeje, që të rezervohen e të mos u japin shkak raportimeve.

Ministri Maliq Bushati

 

Dokumenti i dytë

Mbretnija Shqiptare, Prefektura e Durrësit

Nr.241

Durrës 19/XI/939

P.T.

Ministrisë së Punëve të Mbrendshme

Zyra sekrete

Tiranë

Përgjigje shkresës nr.674 dt.7 të këtij muaji.

Asht e vërtetë se në shtëpinë e Av.Sulo Bogdos në Durrës, shumë veta mblidhen e lozin lodra fati.

Sa për kryetarin e Gjyqit z.Thanas Meksi, mbas hetimeve të sigurta rezulton se nuk e frekuenton atë shtëpi.

Sul Bogdo u këshillue që të mos sjelli në shtëpi njerëz me qëllime lodre. /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts