Lojë me letra: parlamentarët britanikë llogarisin mundësinë e një kundërsulmi ndaj Brexit

Në Britani, po rritet gjithnjë e më shumë perspektiva e një kundërpërgjigjeje parlamentare kundër rezultatit të referendumit që largon vendin nga Bashkimi Europian, ndërsa gjithnjë e më shumë figura pro-qëndrimit kanë deklaruar se nuk do të dorëzohen.

Ka nga ata që kërkojnë mbajtjen e një referendumi të dytë pasi të kenë ndodhur negociatat e Brexit. Lordi Heseltine ka vënë në dukje disa aspekte praktike të pasjes së një shumice dërrmuese në dhomën e Përfaqësuesve të atyre që janë kundër largimit nga Bashkimi Europian. “Ka një shumicë rreth 350 të tillë në dhomën e Përfaqësuesve që janë hapur në favor të marrëdhënies europiane”, tha ai.

“Nuk ka asnjë mënyrë që t’i bësh ata njerëz të thonë se e zeza është e bardhë dhe të ndryshojnë mendje derisa të dinë se cila është marrëveshja dhe se ka qenë e mbështetur nga zgjedhjet ose nga ndonjë referendum tjetër”. Kështu, sipas tij, ka një urgjencë dramatike për të vijuar negociatat.

Ai apeloi për një grup ndërpartiak deputetësh që të mblidhen për të shqyrtuar opcionet dhe për “të artikuluar çështjen që Britania të rimendojë rezultatin e referendumit”.

Më herët, ishte Tony Blari që tha se asgjë nuk mund të përjashtohet. “Si e shoh unë, nuk mund të bëjmë asgjë për momentin, por ideja është se nuk duhet të përjashtojmë asgjë”. Blair tha se kombi ka nevojë të marrë në konsideratë pasojat e Brexit përgjatë javëve dhe muajve të ardhshëm.

Tim Farron, lideri i liberal-demokratëve tha se partia e tij nuk do të dorëzohet për këtë çështje, duke u zotuar të luftojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për një manifest që do ta kthente sërish Britaninë në Bashkimin Europian. “Ne jemi të vendosur të flasim për vlerat e 16 milionë njerëzve që votuan pro qëndrimit dhe të atyre 17 milionëve që votuan kundër, po ashtu se Britania është një vend i hapur, e askush nuk mund të izolojë veten e vet”, tha ai për gazetën “The Guardian”. “Si të gjithë paraardhësit e mi, unë do të qëndroj i përkushtuar ndaj Britanisë në BE”.

Farron tha se partia e tij e njeh legjitimitetin e referendumit, por do të dorëzohet. Pikëpamja e tij mbështetet nga deputetë laburistë, që thonë se do të donin të takoheshin me liberal-demokratët për të diskutuar çështjen. “E fundit fare, të paktën duam një votim tjetër”.

Sipas tij, është në fuqinë e parlamentit për të thirrur një referendum të dytë, tashmë që ka precipituar pluhuri i ngritur pas daljes së rezultatit dhe po del në pah realiteti i një kombi post-Brexit. “Ne kemi nevojë për një referendum të dytë mbi bazën e një plani që ende nuk është hartuar”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts