“LLESHAJ NR.2”/ Presidenti Meta: sa LSI-st është në refuzimin e Cakajt?

Në të gjithë gurgulenë e shkaktuar së fundi nga vendimi i presidentit Meta për të mos dekretuar të riun kosovar Genti Cakaj si ministër të Jashtëm, pak ose aspak është gjykuar gjesti tij në kontekstin politik të brendshëm. Pra, thënë ndryshe, Meta është parë si president – zyrtarisht e jo LSI-st – politikisht. Në fakt, e gjithë trajektorja e qëndrimeve të kreut të shtetit përballë kryeministrit, reflekton katërcipërisht dhe nervin e opozitës, për të mos thënë të LSI-së. Është utopike të mendosh, aq më tepër në kushte shqiptare, se vërtet Meta mund të bëjë divorc politik me bashkëshorten e tij, e cila 24 orë në 24 turfullon kundër shefit të qeverisë.

Prova e parë e pamundësisë së këtij divorci, ishte fushata e 2017-ës për zgjedhjet e 25 qershorit të po atij viti. I zgjedhur president por ende pa hyrë në zyrë, Meta u angazhua si partiak në fushatë në krye të LSI-së, e dihet tashmë gjuha e konsumuar për një muaj rresht, e cila nuk kishte asnjë lidhje me “qetësi-dashurinë” e promovuar si kryetar Kuvendit, por as më pozicionin e ri, atë të një kreu shteti. E kjo pasi LSI qe në qeverisje dhe e zotëronte paq porcionin e dëshiruar të pushtetit. E kur gjithçka u prish, Meta pati një shpërfytyrim të atypëratyshëm, ku gjuha e tij fushatore pati një egërsim ekstrem, sidomos ndaj kreut demokrat Basha.

Më pas do qetësohej në rrethana presidenciale, deri në momentin ku në harmoni me kreshendon e ashpërsimit të gjuhës opozitare ndaj qeverisë, posaçërisht të LSI-së, edhe ai do rifutej politikisht në lojë. Pas një serie mosdekretime ligjesh të ardhura nga qeveria, do vinte rasti “Lleshaj”, e tashmë është Cakaj, si afirmim i faktit se Meta ka qenë e do mbetet LSI, jo thjesht një parti, por një emblemë e profilit të tij politik me rrënjë në të kaluarën e largët e të afërt.

Pra, nuk është çështja nëse Cakaj ka shkelur ligjin, nëse është i ri e pa përvojë, apo nëse qenkërka pro-ndryshimit të kufijve – fraza që i ishte marrë për ta përligjur këtë kritikë ndaj tij ishte intepretim diplomatik i një konteksti zhvillimesh me bazë europiane e jo qëndrim nëse duhej apo jo të ndryshoheshin kufijtë – çështja është se në Presidencën shqiptare po shfaqet “Nishani” nr.2, e kjo pas një përvoje me tre presidentë  – Mejdanin, Moisiun dhe Topin – të cilët arritën ta departizojnë postin e kreut të shtetit. /tesheshi.com/                               

auto pjese dak

Related posts