Librat shkollorë, ja kategoritë që i përfitojnë falas në Shqipëri…

Shpërndarja e librave për vitin e ri shkollor pritet të nisë javën e ardhshme, ndërsa proçesi përfundon më 10 shtator. Bazuar në udhëzimet e Ministrisë së Arsimit, tekstet do të shiten vetëm në subjektet e liçensuara për libra shkollorë, që mund të jenë libraritë ose në ambientet e institucioneve të arsimit.

“Shitja e teksteve bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera pranë shkollave, nga subjekte të licencuara. Me kërkesën e botuesve, drejtoritë e shkollave janë të detyruara të vënë në dispozicion falas një ose dy ambiente për shitjen e teksteve shkollore. Ato duhet të kenë detyrimisht pullën me hologramën e MAS”, përcaktohet në urdhrin e Ministrisë.

Edhe këtë vit janë parashikuar një sërë kategorish që do t’i përfitojnë tekstet falas. Veç kategorive në nevojë, këtë vit janë shtuar edhe familjet që kanë mbi 3 fëmijë, që ndjekin arsimin parauniversitar. Për këtë qëllim, Qeveria ka ndarë 310 milionë lekë, që parashikohet të mbulojnë nevojat me tekste për rreth 100 mijë fëmijë, shkruan Panorama.

Por për të përfituar rimbursimin, të gjithë prindërit do të duhet fillimisht t’i blejnë tekstet shkollore në periudhën e përcaktuar si dhe të ruajnë faturën, pasi nëse janë pjesë e kategorive përfituese, duhet ta dorëzojnë për t’u kompensuar nga MAS.

Më konkretisht, përfitojnë nxënësit që vijnë nga komuniteti rom apo komuniteti egjiptian, viktimat e trafikimit, nxënës që janë në institucionet e paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit, nxënës që vijnë nga familje që janë me ndihmë sociale, si dhe familjet me më shumë se 3 fëmijë. /tesheshi.com/