Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

“LEXO!”/ Nga Agim Baçi: Letërsia dhe “detyra për të shkuarën”

“Njohja është i vetmi moral i romanit”, shprehet Milan Kundera në librin e tij “Arti i romanit”, duke qenë vetë përshkrues me romanet e tij i absurdit që përfshin njeriun nën diktaturë, me pikëpyetjet mbi rrugët që çuan në dehumanzimin e tij, me pikëpyetjet për perceptimin real për veten, tjetrin e botën. Ndërkaq, qindra shkrimtarë, të cilët kanë përshkruar njeriun nën diktaturë, na bëjnë të kujtojmë se letërsia është ajo që e ka ruajtur njeriun. Por, ai njeri që pranoi të bëhej pjesë e makinës çnjerëzore, nuk u zhduk për një ditë. Vijoi jetën e tij edhe më pas. E në Shqipëri, përveç letërsisë dhe disa zërave të veçuar, zbardhja e pasojave të “Njeriut të ri” mbeti në hije, duke lënë ende mes nesh ende njeriun që “tund kokën për gjithçka e mendon shumë pak”, atij njeriut që “beson se nuk ka fuqi”, e që dalëngadalë, me mësimin për t’u përshtatur, lëshon çdo ditë nga vetvetja, duke e shuar zërin, deri në kufijtë e murmurimës.

Edhe letërsia shqipe në vitet e fundit, me disa autorë, ka tentuar ta ndërtojë grafikën e njeriut të përçunduar nga përbindëshi i asaj kohe, që përgatiti rezervatin me “Njeriun e ri”, i cili më pas ishte njeriu që ndërmerrte praktikimin e modeleve që shpikte diktatura – një model që bazohej te njeriu që kishte humbur moralin, që kishte humbur dinjitetin. “Njeriu i partisë” duhej të shkundej më parë nga çdo vlerë. E ç’mund të ndodhë me njeriun që humb gjithçka? Cila është fytyra e mëpastajme morale? Ç’mund të prisnim nga njeriu që partia e gradonte “i ditur” pikërisht për të qenë veçse veshi dhe syri i partisë, duke synuar vetëm të frikësojë, spiunojë, e të mbjellë frikën.

Ja si e sjell mënyrën  “njeriu i partinë” Koço Kosta, një prej shkrimtarëve që ka guxuar të provokojë që në atë kohë me novelën “Ata të dy dhe të tjerë”. E tashmë, duke iu rikthyer kohës kur përgatitej “Njeriu i ri” Kosta sjell fytyrën e atij që ruante vigjilencën e kohës.

Atë pasdite, operativi i sigurimit për zonën, më tha:

-E sheh këtë lumë?

-Po.

Ja, te ky vend e te këto ujëra zbriste në pushime ai Gavril Besho. Ulej diku dhe hidhte grepat dhe e mbante kallamin nga bishti.

E vështroja drejt.

Ne kemi bërë shkollë,- tha operativi i Zonës. Ne dimë sa lugë e sa pirunë ka çdo familje. I tillë është Sigurimi Ynë! Po të besoj: Di ti ç’bënte me grepat dhe me atë kallam Gavril Besho? Nuk do më dekonspirosh, ë?

Unë s’doja të dëgjoja të liga për Gavrilin.

Vazhdoi operativi:

-Ai grepi ishte një lloj aparati që ia kishte sjellë spiunazhi dhe ai sojëzi Gavril Beshoja afronte buzët te goja te fundi i kallamit dhe i jepte të dhëna UDBës. Ai fliste direkt me Titon dhe po me atë grep, po nga ai kallam i dërgonin porosi. Mos u habit”. (Koço Kosta, Absurdi, Dudaj, Tiranë 2009, f. 253)

Për shumë persona sot, ky dialog konkurron hapur me trillin, me fantazinë. Por për këdo që ka jetuar në atë kohë apo është njohur me dokumente e dëshmi të kohës, do të kuptojë se realiteti i kohës ishte edhe më përtej kësaj që përshkruhet në romanin e Kostës, sepse ishte në konkurrim të hapur me absurdin.

Ndërkaq, gjithçka duhej të mendohej nga partia. “Mendimet më të mira” dilnin nga ata që dinin se çdo partia. Si pasojë e kësaj mënyre të menduari shumë nga ata që dolën nga diktatura nuk mundën dot të përtypnin jetën as në liri. Fatos Kongoli ka mundur të sjellë një nga ata situata, kur edhe jeta më intime, ishte pjesë e direktivave partiake. “…E quanin Sotir… Ky ishte një burrë i shkurtër, i bëshëm, me bark të kërcyer e flokë të rënë. Prindërit e mi e repsketonin: punonte në komitetin e partisë të rrethit. Me këtë shpjegohet përse fjala e tij në shtëpinë tonë peshonte. Për çdo gjë do të pyetej ai, madje disa vjet më vonë, kur Anila i vuri në dijeni prindërit se tashmë ajo e quante veten të fejuar dhe u kërkoi ta bënin fakt të kryer, këta, të paktën formalisht, kërkuan mendimin e Sotirit, të cilit iu deshën vetëm pak orë për të kthyer përgjigje, siç pritej, pozitive. Kandidati për dhëndërr, Dhimitër Mikeli, i përmbushte të gjitha kërkesat: familje e shëndoshë në pikëpamje politike, pa të burgosur, të internuar apo të arratisur në farefis, pa ndonjë të përjashtuar nga partia”. (Fatos Kongoli, Jetë në kuti shkrepsesh, Toena, Tiranë 2012, botimi katërt, f 60)

Këto e pasazhe të tjera, të ardhura nga Kongoli e Kosta, por edhe shumë të tjerë të cilët me letërsinë e tyre kanë përshkruar atë kohë, janë një thirrje që të mbështetemi shumë në “porositë letrare”, sepse të paktën, letërsia na e ka dhënë këtë kurajë, sepse ajo flet për kohën që as nuk e ç’bëjmë e as nuk e lemë dot në harresë. Thjesht na duhet ta njohim sepse kështu, më së paku, mësojmë se si nuk duhet të jemi. E në rastin më të mirë, të kuptojmë se çfarë duhet të jemi. Që një ditë, të mos themi: “Bëra sa munda! Aq më kërkuan!”

Unë e kundërshtoj të drejtën e doktrinës për të përligjur krimet e kryera në emër të saj. Unë e kundërshtoj të drejtën e atij njeriu bashkëkohës për të gjykuar sipas kritereve të veta të kaluarën dhe të ardhmen, ndërsa harron se është krej i mjerë me atë çka njeriu mund të jetë”,  thotë në librin e tij “Mendja e robëruar” (f.16) nobelisti Çesllav Millosh teksa përshkruan gjithë mekanizmin kur, arti i pari, u kthye në pasqyrë të fytyrës së të keqes, duke fjetur mbi autoçensurë – një sëmundje që vijon të mbetet ende e pashëruar për shumë nga ata që e jetuan atë kohë. Dhe ai e thotë këtë duke pohuar se ka qenë nga ata që sistemi diktatorial e ka përdorur.

Letërsia e ka këtë “detyrim” për ta treguar gjithnjë njeriun, siç ka qenë e si mundet, sepse është rojtarja e fytyrës dhe zemrës njerëzore. Jo më kot, pas librave të shenjtë, ajo që i ka mbijetuar më shumë se gjithçka kohërave është Letërsia. Për të përshkruar veçantinë e madhe të librit në historinë njerëzore, por edhe raportin e tij me atë që duhet të kujtojmë dhe mbrojmë, do të shkonim përmes thënies së Jose Luis Borges: “Ndër instrumentet e shumta të njeriut, pa dyshim, libri është më i mahnitshmi. Instrumentet e tjera janë zgjatim i trupit të tij. Mikroskopi dhe teleskopi janë zgjatim i shikimit; telefoni është zgjatim i zërit; kemi edhe parmendën dhe shpatën, kuptohet zgjatime të krahut. Por libri është diçka tjetër: libri është zgjatim i kujtesës dhe imagjinatës” (Ligjërata, f. 141). /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts