Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

“LEXO”/ Nga Agim Baçi: Atë Sergi, mëkati i krenarisë

(Shënime mbi novelën “Atë Sergi” të Leon Tolstoit, përkthim i J. Doksanit)

Njeriu dhe mëkati. Beteja ka nisur bashkë me hapin e parë. Rrugët përballë i ndan një fill i hollë, e kufi i vetëm mbetet vetëm me një pyetje  – je kthyer me sytë te vetja apo të të tjerët? Nuk kërkon përgjigje me zë të lartë. Nuk kërkon numërimin e zgjatjes së dorës. Nuk rreshtohet pas asgjëje dhe askujt. Vetëm zemra mundet t’ia numërojë rrahjet rrugës së cilës kërkon t’i dish emrin.

Leon Tolstoi ka pikturuar krenarinë e hipur mbi kalin që duhet ta shohin të tjerët, kur hapat e kanë kërcitjen për veshin tjetër, për syrin tjetër, për historinë që duhet të të thurin kur je gjallë e pas vdekjes. Një kalë që, gjënë e vetme që di të bëjë më mirë, është të të largojë sa më shumë nga vetvetja, nga ajo shtëpizë brenda kraharorit tënd, brenda qenies tënde.

Togeri Stepan Kasatskin kapërceu derën e Kishës për t’u futur në botën e murgut kur kuptoi se nuk mund të ishte ai që kish menduar në rrugën e tij drejt ngjitjes. Krenaria e drejtoi drejt udhëtimit për të zhvlerësuar dashurinë e nëpërkëmbur. E fejuara, kontesha Korotkova, me të cilën ai krijoi njohjen për t’u bërë i pranuar në oborrin e shoqërisë mondane, ishte dashnorja e perandorit Nikollai Pavlloviçit.

Por ç’mund të ndodhë kur rrugën drejt Zotit e nis me llogaritë për të kërkuar t’i tregosh të tjerëve veçse krenarinë pa zemrën, për të bërë gjithçka që të tjerët të flasin vetëm për ty? “…Ai zgjodhi rrugën e manastirit për të qenë më lart se ata që deshin t’i tregonin se qëndronin më lart se ai”, shprehet motra e Kasatskinit kur ai vendos të bëhet murg menjëherë sapo e fejuara i rrëfen historinë me perandorin. (“Atë Sergi”, L. N. Tolstoi, f. 13, botim 1992, përktheu J. Doksani).

Ajo perde që duket aq e hollë në fillim, kur ti kërkon gjithçka ta bësh që të biesh në sy, nis e thuret përditë si një gardh mes teje dhe zemrës tënde. Kështu ndodh me togerin e Tolstoit. Emri i tij ngjitet e ngjitet. Përballja me epshin është aty, e ai e lufton përditë. Ia di fuqinë. I ruhet. Kërkon të japë nga trupi i tij, nga gjaku i tij, që epshi të mos e përshkruajë. Por, ende ka diçka që nuk ka mundur ta mposhtë: bota rreth tij, epshi për ta bërë një veprim për të rënë në sy – ndoshta epshi më i vështirë se sa seksi për t’u përballur.

Ajo krenari për të mos pranuar se ka humbur është ende e fortë brenda tij, duke qëndruar si një portë e hapur për mëkatin. E mëkati nga mendjemadhësia, nga pafuqia për të falur, e për të pranuar të të ndihmojnë e falin, qëndron aty, për sa kohë nuk ke dashur ta lexosh mrekullinë që vjen nga rruga drejt vetes, pa u menduar se të mendosh për të tjerët duhet të jetë më së pari brenda zemrës tënde, që të jetë për dikë që të sheh nga lart e që di çdo rrahje zemre. Madje, edhe vetëgjymtimi, si i Atë Sergit, për t’i shpëtuar mëkatit me zonjëzën që donte medoemos ta provokonte, nuk, e çon dot britmën deri brenda zemrës, që ajo të hapë rrugëtimin tënd drejt gjërave që do të jenë përherë, përballë teje dhe Atij, pa ndërmjetës, pa pasur nevojë as për veshë e sy të tjerë.

Një novelë që thuajse rrok gjithë portretin e krenarisë për botën. Deri në momentin që i duhet të shohë atë që duhet të bëjë, atë që nuk e ka besuar kurrë se është e vërteta, por që e ka patur pranë që në fëmijëri, me Pashenkën që ka tentuar ta tallë e ta shohë si të kotë. Vetëm kur ndeshet me të, me përulësinë e saj, ai nis të lëvizë perden që e kish penguar gjithnjë zemrën të ecte në rrugën e krenarisë pa mëkatin e mendjemadhësisë.

E sa të tillë janë të padukshëm në mirësitë e tyre, pa fjetur në shtrat krenarie? Shumë, përderisa miliona buzëqeshje shkaktohen nga “gjërat që nuk i dimë si na erdhën”, për fatin me fytyrën e të pamenduarit.

Ja pra, ç’domethënie pati ajo ëndrra ime. Pashenka është njeriu që duhej të isha unë, por që nuk isha. Unë rrojta për njerëzit i fshehur prapa Zotit, ajo rron për Zotin, dhe i duket se rron për njerëzit. Po, një punë e mirë, një gotë ujë që jepet pa bërë hesap shpërblimin, është më e shtrenjtë se bamirësitë e mia drejtuar njerëzve”. (“Atë Sergi”, L. N. Tolstoi, f. 65-66, botim 1992, përktheu J. Doksani).

Një novelë që lexohet e rilexohet, duke sjellë përballë njeriut pyetje që kanë nevojë për përgjigje. Madje, jo vetëm për një. Por e rëndësishme të pyesim: A jemi gati të përballemi me krenarinë tonë për jetën e kësaj bote? E kemi zemrën “në vendin e duhur”? /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts