Lëvizjet e fundit për “arrestimin e Llallës”: kush e hodhi lajmin dhe çfarë pritet të ndodhë

Ka disa orë që disa qarqe në vend po qarkullon një frenezi lajmesh dhe komentesh se po përgatitet arrestimi i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Por deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për këtë çështje.

Një burim zyrtar i tha tesheshi.com se nuk ka asnjë të dhënë që ekziston një mandat-arrest i nivelit të lartë i cili detyron policinë e shtetit të veprojë me një protokoll të veçantë, nëse i kërkohet të ekzekutojë urdhërin.

Megjithatë është shumë “kurioze” ajo që ndodh në Shqipëri që qarqet politike dhe mediatike komentojnë nëse është mirë apo keq një lajm ende pa ndodhur.

“Bombën” e hodhi dy ditë më parë Nikollë Lesi, i cili dihet që anën editoriale të Koha Jonë-s së tij e ka pranë LSI-së.

I pari që e komentoi këtë lajm, noralisht pa ndodhur ishte një zyrtar i lartë i shtetit shqiptar i rënë nga fiku, i cili ka qenë as më pak e as më shumë por Ministri i Drejtësisë së Republikës.

Po, është Ylli Manjani, “ylli në ngjitje” i rrjeteve sociale që është kthyer në opozitarin më eksploziv në hapësirën virtuale shqiptare.

“Nëse me arrestimin e Tikut (siç flitet) kapim hapjen e negociatave, atëhere kur të arrestohet Rama llogjikisht bëhemi anëtarë të BE! Formulë interesante! Natyrisht arrestimet do jenë politike, se ligji e drejtësia nuk ekzistojnë më! Të jetë kaq budallaqe BE që ta hajë kaq trashë?! Nejse, të paktën sistemohen me ndonjë punë tjetër pas Shqipërisë Lu dhe Lei, që në fakt janë për t’u ndëshkuar për sa eksperimente kanë bërë në këtë vend, jashtë çdo norme e rregulli diplomatik! Shqiptarët burgun e kanë si ushtrinë tashmë. Për ta bërë e kanë! Lum ato që e hoqën!”, shkruan Manjani në faqen e tij në Facebook, duke vendosur një rekord të vërtetë.

I pari është që komenton një vendim prokurorie apo gjykate ende pa ndodhur, dhe e dyta vendos një standard që e pakta është “i çuditshëm”.

Manjani thotë se meqë Lu dhe Vllahutin, që ai i cilëson me nofkën “Lu e Lei” kanë vendosur të ndëshkojnë klasën politike, burgu “për t’u hequr është” dhe fut togfjalëshin “shqiptarët” si viktima të reformës në drejtësi.

E në fakt, nëse do të ketë ndonjë herë ndëshkime nuk është bërë fjalë fare për shqiptarët, por ata që kanë vjedhur e abuzuar me shqiptarët.

Megjithatë, nuk është i vetmi Manjani që ka dalë të kundërshtojë arrestimin e Llallës. Një tjetër gazetar i opozitës, madje që punon në organin zyrtar të PD-së, thotë se nuk ka prova.

“Ne rast se arrestimi i Tik Llalles po behet pa prova por per hir te shoqes Mogherini, duke kercenuar e shantazhuar prokuroret e ceshtjes me Vetting-un e famshem, jemi ne rruge te mbare… spo hyjme ne BE, po kthehemi te gjyqet speciale te diktatures…” , shkruan Armand Maho.

Nga ana tjetër, analistë dhe politikanë të opozitës nuk rreshtin përditë duke i kërkuar Kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, që të arrestojnë jo vetëm Saimir Tahirin por edhe Edi Ramën, Damian Gjiknurin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin.

Pra, në këtë rast bëjnë prokurorin, ndonëse nuk e shoqërojnë afshin e tyre ultimativ me ndonjë provë konkrete, nga ato që përçohen nga një gjuhë e mirëfilltë konkluduese, edhe juridikisht, mbi aksh shkeljeje.

Faktikisht, ndaj Adriatik Llallës ka nisur një hetim nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018. Dosja me numrin 447 përmban 4 veprat penale: deklarimi i rremë i pasurisë; mosdeklarimi i shumave të të hollave ne kufi; pastrimi i produkteve të veprës penale dhe shpërdorim detyre.

Nëse do të ketë arrest, do të duhet të konfirmohet fillimisht në Gjykatë pasi bëhet fjalë për zyrtar të nivelit të lartë. Megjithatë, ky lajm i “rrjedhur” nga burime të paditura e i komentuar nga lart, ka “pjellë” edhe lajme të tjera.

Media pranë mazhorancës thonë që do të arrestohen mbi 5 ish-krerë të lartë të shtetit dhe ish-ministra. Kjo sikur procedura penale të jetë sallate fshati.

Megjithatë, një burim shumë i rëndësishëm në një agjenci ligjzbatuese i tha tesheshi.com, se vërtet një “peshk i madh” mund të hyjë në rrjetë të hënën, por që nuk është politikan. /tesheshi.com/

 

Related posts