Las Vegasi i perandorisë Romake: rrëfime nga fundi i detit për qytetin e mëkateve

Baia ishte qyteti i mëkateve në perandorinë Romake – vendi ku të pasurit dhe të fuqishmit vinin për të mbaruar çështjet e tyre të fshehta e të palejueshme.

Super-të pasurit e Romës së lashtë ndërmerrnin udhëtime në fundjavë drejt qytetit Baia për të festuar. Burra shteti të fuqishëm kishin ndërtuar vila luksoze në plazhet e tij, me banja të nxehta dhe pishina të ndërtuara me qeramikë të zbukuruar, ku të mund të realizonin gjithë dëshirat më të egra. Një banor madje porositi edhe një vend nimfash – një shpellë private rrethuar nga statuja mermeri, kushtuar vetëm e vetëm për “kënaqësinë tokësore”.

Më shumë se 2 mijë vjet më parë, Baia ishte Las Vegasi i perandorisë Romake – një qytet resort afërsisht 30 kilometra nga Napoli në bregun perëndimor të Italisë me ngjyrat e tij të pafundme, e që tërhoqi një numër po aq të madh njerëzish të famshëm, nga poetët tek gjeneralët e gjithë të tjerët ndërmjet. Oratori i madh, Ciceroni krijoi fjalime nga shtëpia e tij e pushimit pranë plazhit, ndërsa poeti Virgjili dhe natyralisti Plini mbanin aty banesa brenda qasjes së banjave rigjallëruese publike.

Qyteti ishte po ashtu vendi ku të pasurit dhe të fuqishmit kryenin aferat e tyre të palejueshme.

“Ka shumë rrëfime për intriga të lidhura me Baian”, thotë John Smout, kërkues që është partner me arkeologët lokalë për të studiuar vendndodhjen antike. Ka zëra që thonë se Kleopatra u arratis me varkën e saj nga Baia pasi u vra Jul Çezari në vitin 44 para erës sonë, ndërsa Julia Agrippina komplotoi për vdekjen e burrit të saj, Klaudius në Baia në mënyrë që djali i saj, Neroni të mund të bëhej perandori i Romës.

“Ajo e helmoi Klaudius me kërpudha vdekjeprurëse”, shpjegon Smout. “Por, ai në një farë mënyre, mbijetoi kështu që po të njëjtën natë,  Agrippina urdhëroi mjekun e saj t’i jepte një porcion kungull të egër që më në fund ia arriti qëllimit”.

Ujërat minerale dhe klima e butë tërhoqën së pari fisnikërinë e Romës në Baia, në gjysmën e dytë të shekullit të 2-të përpara erës sonë, dhe qyteti njihej prej tyre si “Fushat e Zjarrta”, për shkak që kratereve vullkanikë që vishnin rajonin.

“E vizitova këtë vend kur isha djalë, dhe guida nguli një çadër në tokë dhe avulli e llava dolën prej andej”, kujton Smout.

Krateret vlerësoheshin nga grekët dhe romakët e lashtë si hyrje për në botën e nëndheshme, por po ashtu ato nxitën një numër përparimesh teknologjike: banorët vendas shpikën çimenton që nuk e regjte uji, një përzierje gëlqereje dhe guri vullkanik, që shtoi ndërtimin e kupolave të hapura dhe fasadave prej mermeri, sikundër edhe pellgje private peshkimi dhe shtëpi luksoze banjash termale.

Por duke pasur parasysh reputacionin mëkatar të Baias, ndoshta mund të thuhet se bollëku i aktivitetit vullkanik në zonë ishte po ashtu është rrëzimi i saj. Përgjatë disa shekujve,  ngjitja dhe rënia graduale e sipërfaqes së tokës, shkaktuar nga aktiviteti hidrotermal dhe sizmik, bëri që pjesa më e madhe e qytetit të zhytej në një varr ujor, ku ende qëndron edhe sot.

Interesi turistik në bregdetin dikur shumë popullor u rilind vetëm në vitet 1940, kur një pilot publikoi një fotografi të zonës nga shuma pak distancë prej sipërfaqes së oqeanit. Shpejt, gjeologët nisën të kërkonin shpjegim të habitur nga vrimat e lëna prej molusqeve në rrënojat e gjetura shumë pranë bregut, shenja që tregonin se pjesë të kodrës kishin qenë më herët poshtë nivelit të detit.

Dy dekada më pas, zyrtarët italianë porositën një nëndetëse për të vëzhguar pjesët nënujore të qytetit.

Ajo që gjetën ata ishte kaq tërheqëse: që nga kohët e romakëve, presioni nënujor kishte bërë që toka që rrethonte Baian të ngjitej vazhdimisht dhe të binte, duke i shtyrë rrënojat nënujore lart drejt sipërfaqes së ujit përpara se t’i gëlltiste sërish – një lloj purgatori gjeologjik ky.

Rrënojat poshtë sipërfaqes së detit ishin zotërim i vetëm pak arkeologëve të guximshëm, deri së fundmi. Vendndodhja arkeologjike nënujore nuk u formua e dizenjuar si një zonë e mbrojtur detare deri në vitin 2002 kur ajo u hap për publikun. Me daljen e teknologjisë 3D që skanon gjithçka dhe përparime të tjera në arkeologjinë detare, janë ofruar edhe vështrimet e para në këtë kapitull të antikitetit:  zhytës, historianë e fotografë kanë kapur imazhet e ndërtesave rrethore me kolona dhe portikë, përfshirë edhe tempullin e famshëm të Venusit (që në fakt nuk ishte një tempull, por një sauna termale) – zbulime këto që në këmbim mundësuan të dhëna për sjelljet më të harbuara të Romës.

Për shkak të valëzimit të kores së tokës, këto rrënoja aktualisht shtrihen në ujëra relativisht të cekëta, në një thellësi mesatare prej 6 metrash, duke lejuar që vizitorët të shohin disa prej strukturave të çuditshme nënujore përmes anijeve me bazament xhami apo video-varkave.

Qendra lokale zhytjeje ofrojnë ture në qytetin nënujor pak kilometra brenda detit Tiren. Në një ditë të qetë, vizitorët mund të dalojnë kolonat romake, rrugët antike dhe sheshet e shtruara me shije. Statujat e  Octavia Claudia (motrës së perandorit Klaudius) dhe Odisesë shënojnë hyrjen në shpellat nënujore, ndërsa krahët e tyre të shtrirë janë të shenjuar me krijesa të vogla detare.

Ka shumë gjëra për të parë edhe sipër sipërfaqes së ujit. Në fakt, shumë nga skulpturat e zhytura janë kopje: origjinalet mund të gjenden në majë të kodrës në kështjellën e Baias, ku agjencia argeologjike e Kampanias ka hapur një muzeum me reliket e nxjerra nga deti. Shumë nga rrënojat romake sipër tokës, po ashtu janë të vizitueshme në parkun Arkeologjik që ndodhet pranë, e ku mendohet se ndodhet pjesa e qytetit antik ende nën nivelin e detit. Rrënojat u gërrmuan së pari në vitet 1950 nga Amedeo Maiuri, arkeologu që po ashtu nxori nga toka Pompein dhe Herkulaneumin, vendndodhjet tokësore historike që përmbajnë mbetje të tarracave me mozaikë dhe banjave të kushtueshme.

Përreth Parkut Arkeologjik “Terme di Baia”, Baia moderne ngjan vetëm me një hije të madhështisë së dikurshme, edhe pse qyteti ende mban të fshehur shpirtin e moskokëçarjes dhe kënaqësive tokësore. Aktualisht, vija bregdetare që dikur ishte e mbushur me shtëpi e sauna, ka vetëm një hotel të vogël detare dhe disa restorante me ushqime deti, që zënë vend në një rrugë të ngushtë që të çon në verilindje drejt Napolit.

Koha mund të mos jetë e mjaftueshme për të parë reliket e humbura të bollëkut të Italisë: sizmologët parashikojnë aktivitet të mëtejshëm vullkanik përgjatë bregut të Baias në të ardhmen e afërt, gjë që e bën fatin e qytetit të pasigurtë sërish. 20 tërmete të vegjël u regjistruan në zonë vetëm gjatë vitit të kaluar, dhe ka zëra që kërkojnë mbylljen e përhershme të rrënojave të mbytura për vizitorët.

Për momentin, sidoqoftë, vizitorët mund të kontrollojnë në këtë qytet nënujor për një hyrje të fshehtë – nëse jo drejt botës së nëndheshme, atëherë të paktën drejt ndonjë thesari spektakolar nëntokësor.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts