Lahi Brahimaj, daja i Ramushit dhe deputet i AAK: Dosja “Haradinaj” u selektua në Prishtinë

Shprehet tejet i mllefosur se si edhe pas nëntë vitesh nga pavarësia e vendit, ish-ushtarët e UÇK-së arrestohen në shtete të ndryshme me urdhër-arreste të lëshuara nga Serbia. Thotë se për këtë që po ndodh fajin e ka qeveria pasi ka dështuar në tërësi.

Ky është Lahi Brahimaj, deputeti i AAK-së, njëherit daja i Ramushit, i cili në një intervistë për tesheshi. com flet për arrestimin e liderit të partisë, njëkohësisht nipit të tij…

Intervistoi: Blendi Gashi

Kur është njoftuar AAK me arrestimin e liderit Ramush Haradinajt? A keni pasur ju apo dikush nga familja kontakte me të pas arrestimit?

AAK është informuar menjëherë pas ndalimit, gjithashtu edhe familja. Kontakte ka pas gjatë gjithë kohës.

Pas arrestimit të nipit tuaj, udhëheqësit e shtetit i keni quajtur të paaftë dhe servilë. Kritikat tuaja më shumë janë në drejtim të Thaçit, Mustafës apo Veselit?

Nuk po flasim për daj e për nipa por për ish-kryeministrin e Kosovës dhe komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit. Sa i përket kritikave të mia se ndaj kujt janë drejtuar besoj se e dijnë vet ata. Nëntë vite pas pavarësisë të merremi me aktakuza nga Serbia është rezultat i politikave selektive të qeverisë së Kosovës. Kjo është e pafalshme.

A ka dështuar në tërësi politika e jashtme  në planin diplomatik? A duhet kërkuar përgjegjësi?

Po shihen rezultatet. A duhet që unë të flas kur ka situata të tila. Besoj që realiteti po shihet.

Cili duhet të jetë hapi i parë që duhet ndërmarrë qeveria ndaj Serbisë? Reciprociteti? A ka guxim të bëj një gjë të tillë?

E pse tē mos ketë guxim. Ne kemi marrë vendime të guximshme edhe duke qenë të okupuar nga Serbia e lëre më sot. Veprimi si ky i Serbisë është konfirmim se çdo politikë ndaj këtij shteti e cila nuk është e bazuar në reciprocitet është e kushtueshme për Kosovën.

Për rastin në fjalë kanë reaguar edhe krerët e Shqipërisë. Ç’ndihmë mund të japë shteti në fjalë që Kosova të anëtarësohet sa më parë në INTERPOOL?

E mirëpresim reagimin e tyre. Po shihet që Kosova dhe Shqipëria kanë nevoj për koordinim edhe më të madh jo vetëm në çështjen e anëtarësimit në INTERPOOL por pothuajse në të gjitha temat

A keni informata se kur mund të lirohet lideri i partisë suaj?

Ramushi do të lirohet shumë shpejt.