Kuvendi i Kosovës si i Shqipërisë: përplasja më e fundit mbi të vrarët e luftës

Nga Blendi Gashi

Çdo seancë në Kuvendit të Kosovës pothuajse degradon në akuza e kundërakuza, ku veçon e djeshmja e luftës.

Të rënët e lirisë, thënë ndryshe varret e tyre, janë zakonisht “lënda e parë” për kacafytjen mes deputetëve.

Ngjau kështu dhe në seancën e së martës ku deputetë të PDK-së e LDK-së u masakruan me fjalë mes shoqi-shoqit për masakrën e Poklekut.

Çështja ishte se kush bëri dhe kush nuk bëri homazhe te varrezat e fshatit. Dhe kjo ndodhi ndërsa në rend dite ishte raporti për kompaninë publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSST).

Po si u devijua debati?

Gjithaçka ndodhi pasi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, mori fjalën për të diskutuar rreth raportit të KOSTT-it, ngase kryetarja e Komisionit përkatës, Sala Berisha-Shala nga PDK, mungonte pasi po merrte pjesë në përkujtimin e masakrës në fjalë. Kjo e fundi sapo erdhi në sallë, tregoi se ka qenë për homazhe dhe ju hakërrye koleges.

Sot është përvjetori i njërës nga masakrat me të rënda, masakra e Poklekut, në të cilën edhe kam pasur obligim me qenë aty. Nuk është tragjike mos me qenë kryetarja këtu. Ke mundur të diskutosh lirshëm. Unë i kam deleguar detyrat e mia edhe mos e mbaj gajlen ti. Ty s’ta kam përmendur emrin sepse nuk je në hierarkinë së Komisionit”, i tha Berisha-Shala, deputetes Bajrami.

Kjo e fundit reagoi menjëherë duke i thënë koleges nga PDK se duhet t’i vijë turp përdorimi i të rënëve për përfitime politike.

Mjaft i përdorët viktimat dhe përvjetorët për përfitime politike, turp duhet me ju ardhur”, tha Bajrami.

Në këtë debat u përfshi edhe deputetja tjetër e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha se turp duhet t’iu vijë atyre deputetëve, të cilët sot ishte dashur të jenë në Poklek për nderime.

E them me sinqeritetin me të madh, sot është dashur që ky Kuvend t’i mbyllë dyert në orën 10:00 dhe të gjithë të ishim në Poklek për të bërë nderime para atyre viktimave që fatkeqësisht familjet e tyre nuk e kanë as nga një varr ku duhet t’iu qesin lule me të dashurve të tyre, tha Musliu.

Si një reagim ndaj Musliut e dha shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se në këtë vend nuk ka rend shtëpie, sepse po të kishin ftesa të gjithë do të ishin në Poklek.

Nderimi më i madh atyre viktimave iu bëhet nëse gjithë deputetët do ishin paraqitur në orën 10:00 sot në seancë. Po të kishte pasur një organizim të duhur nga Kryesia e Kuvendit, të kishim ftesë gjithë deputetët, të gjithë do ishim duke bërë nderime atje. Por, nuk ka rend shtëpie këtu, nuk mund të ketë asnjë seancë të rregullt”, tha Hoti.

E gjitha kjo mënyrë e të bërit parlamentarizëm, tregon se porsi Shqipëria, ashtu dhe Kosova janë përfshirë nga një krizë e thellë në raportet politike, individuale apo kolektive, ku palët nuk pikëtakohen për asgjë e ndahen për gjithçka. /tesheshi.com/        

 

 

Related posts