Kush u gëzua në Shqipëri nga arrestimi i Saakashvilit dhe pse?

Arrestimi i ish-presidentit të Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili në Ukrainë, është komentuar shumë edhe në Shqipëri.

Shumë e çuditshme, por ata që sot gëzohen nga prangat në duart e presidentit të parë jo-komunist të Gjeorgjisë janë ithtarët e PD-së dhe LSI-së në rrjete sociale. Pse? Sepse Mikhail  Saakashvili ka qenë për një periudhë, në vitin 2013, këshilltar i Edi Ramës. Kaq e thjeshtë është.

Po si ishte rasti i politikanit të famshëm, një nga armiqtë më të egër të Vladimir Putinit?

Ai dje u arrestua dhe u lirua më pas nga mbështetësit e tij. Saakashvili, dy vjet më parë la shtetësinë gjeorgjiane dhe mori atë ukrainase, kur presidenti aktual, Petro Poroshenko e emëroi si Guvernator të Odesës, që u pushtua nga Rusia.

Gjeorgjia i hoqi shtetësinë dhe kërkon ekstradimin e tij. Në Tbilisi,president është një politikan i përzgjedhur nga Vladimir Putin.

Saakashvili, që prej një viti e ka akuzuar presidentin ukrainas për korrupsion dhe ka propozuar që të nisë një Prokurori Speciale ndaj korrupsionit.

Pak muaj më parë ish-presidenti gjeorgjian me shtetësi urkainase themeloi një lëvizje politike për zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 kundër Poroshenkos. Por presidenti i Ukrainës i hoqi shtetësinë Saakazhvilit dhe dje çoi policinë speciale për ta arrestuar.

Saakazhvili u ngjit në çatinë e banesës së tij dhe u bëri thirrje njerëzve të ngriheshin. Ai u arrestua dhe më pas u lirua nga presioni i turmës. Por në Tiranë u dha vetëm lajmi i arrestimit.

Moska për herë të parë ishte në një mendje me Kievin. Këshilltari nr.1 i Putinit, Dimitri Peskov tha se “Saakashvili është mistrec që i shkakton dhimbje koke çdokujt. Ne nuk ja urojmë as armikut tonë këtë të keqe”.

Në vitin 2003, kur Saakashvili udhëhoqi “revolucionin e trëndafiltë” kundër ish-presidentit dhe ish-kryediplomatit sovjetik, Edëard Shevarnadze, Sali Berisha atëherë lideri i opozitës e mbësheti fuqishëm. Madje e cilësoi një hero në betejën kundër “Klanit të Zemunit” të qeverisë së Fatos Nanos.

Por sot e gjithë opozita është gëzuar sikur është arrestuar një njeri i kabinetit të Edi Ramës, pasi e akuzon atë si “njeri të Sorosit”. Po pse në 2003-shin nuk ishte i tillë? Punë konjukturash…/tesheshi.com/