Kush e shtriu për toke shëndetësinë kosovare? Si përplaset ministri i PDK-së me kryetarë komunash

Gjendja në shëndetësinë kosovare, konkretisht emërimi i drejtorëve të spitaleve ka përplasur ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe të Vushtrisë Xhafer Tahiri.

E gjitha ka filluar pas këta dy të fundit kanë hedhur akuza në drejtim të PDK-së se po politizon zgjedhjen e drejtorëve të spitaleve në qytetet që udhëheqin ata.

Nëpërmjet një reagim të përbashkët Bahtiri dhe Tahiri kanë kërkuar nga qeveria, kryeparlametari dhe presidenti, që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për anulimin e konkurseve për drejtor të spitaleve, për të cilat thonë se ministri Ismaili, po tenton t’i emëroj dy persona nga PDK-ja dhe që nuk i përkasin fushës së shëndetësisë për çka thonë se kjo parti ka qëllim primar kapjen e pozitave kyçe në shëndetësi dhe përmes tyre kontrollimin dhe presionin ndaj personelit shëndetësor.

I bëjmë thirrje PDK-së që t’i mbajë duart larg nga shëndetësia, sepse veprimet e tyre të fundit janë rrezik për sistemin shëndetësor të komunave tona me më shumë se 200 mijë banorë. Personi i vlerësuar me më së shumti pikë për spitalin e Vushtrrisë është asambleist i PDK-së dhe ish drejtor komunal në dy mandate. Po ashtu edhe kandidatja e vlerësuar me më së shumti pikë për spitalin në Mitrovicë është gruaja e këshilltarit politik të Kadri Veselit. Anulimi i këtij konkursi dhe hapja e një gare të mirëfilltë, ku pjesë e saj do të ishin specialistët më të devotshëm të shëndetësisë, do t’ia kthente dinjitetin sistemit shëndetësor dhe shpresën qytetarëve se mund të trajtohen profesionalisht në spitalet e tyre, e jo të marrin rrugë drejt spitaleve të shteteve rreth nesh”, thuhet në reagimin e Bahtirit dhe Tahirit.

“Po largohen njerëzit që ju shërbejnë klinentelave”

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ashpër ministri Uran Ismaili ka thënë se  kreytari i Mitrovicës dhe Vushtrrisë mund të jenë të shqetësuar, mirëpo, jo për qytetarët dhe as për sistemin shëndetësor, por për veten.

Ashtu siç është e vërtetë se kur flasin për ‘politizim’ dhe ‘dëmtim të sistemit shëndetësor’, realisht mendojnë në ‘punët’ që kanë bërë, e që do t’u ndërpriten, në komunat e tyre”, ka thënë Ismaili.

Më tej, ministri, ka thënë se vizioni i PDK-së, të cilin ai si ministër i Shëndetësisë është duke e shtrirë me kënaqësi të madhe dhe vullnet të fortë gjithandej institucioneve shëndetësore, është ekskluzivisht për qytetarët.

Me reformat që kemi nisur në shëndetësinë kosovare – largohen të papërgjegjshmit që u shërbejnë klientelave dhe afrohen profesionistët që u shërbejnë qytetarëve. E di se kjo dhemb shumë. Sepse, për ata që kanë instaluar klientelizmin në qytetet e tyre, qoftë në spitalet rajonale, qoftë në shërbimet spitalore, prerja e rrënjëve të krimit – nënkupton dobësimin e tyre dhe forcimin e qytetarëve. Bahtiri dhe Tahiri bëjnë mirë të mos përzihen në kompetencat e drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Uinversitar të Kosovës. Ky është presion që bëhet për t’i ruajtur interesat e tyre. Por, i siguroj që të dy, dhe këdo tjetër, se nuk do të ketë dorëzim në luftimin e krimit dhe në qëllimin e mirë që më në fund të kthehet mbarë shëndetësia”, shkruan Ismaili në Facebook..

Ministri Ismaili më tej akuzon LDK-në se gjatë mandatit të kaluar qeverisë që ka drejtuar MSH-në e ka shtrirë atë përtokë.

E di se do të marrë kohë për ta çuar në këmbë. Por, punët e mira kanë nisur dhe ato do të vazhdojnë. Së fundi, jam ndjerë jashtëzakonisht i kënaqur me statistikat që tregojnë se me funksionalizimin 24-orësh të shërbimit të kardiokirurgjisë me kardiologji invazive, në kuadër të QKUK-së, është rritur dukshëm vëllimi i punës dhe janë shënuar rezultate në reduktimin e listave të pritjes. Ndër të tjera, janë kursyer edhe 3 milionë euro”, thotë ministri Ismaili.

Kujtojmë se mandatin e kaluar ministër i Shëndetësisë ka qenë Imet Rrahmani nga LDK, dhe po kjo parti ka udhëhequr më së shumti nga paslufta me ministrinë në fjalë.

Përgatiti: Blendi Gashi – tesheshi.com

Related posts