Kur ta bën gjyqin i riu, Gurakuç Kuçi: bastardimi i diplomacisë kosovare, si mbahet sekret numri i njohjeve

As pas 9 vjetësh shtet, Kosova zyrtarisht nuk e di sa vende e kanë njohur saktësisht, pasi Ministria e Punëve të Jashtme asnjëherë nuk e ka treguar listën me numrin e shteteve që e kanë njohur. Deklarativisht thonë se ky numër ka shkuar në 114 shtete, por në portalin shtetëror ekzitojnë vetëm 96 njohje.

Dhe kjo paqartësi vije konkretisht për shkak të degradimit të diplomacisë në vitet e fundit ku janë punësuar militantë partish e jo njerëz profesional.

Se duhet të ndodhë një ristrukturim i diplomacisë kosovare nga fillimi deri në fund, si në stafin civil ashtu edhe në atë politik e thotë edhe Gurakuç Kuçi, njohës i kësaj fushe dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ai në një intervistë tesheshi.com tregon se ç’kontribut mund të japë kryediplomati Pacolli në këndellje të këtij shërbimi, për atë nëse një shtet mund ta tërheq njohjen, flet për mungesën e njohjeve, për kërkesën e Thaçit që Shqipëria t’i japë pasaporta për kosovarët etj.

 

Intervistoi: Blendi Gashi

Si e keni parë udhëheqjen e diplmacisë kosovare viteve të fundit? Me ç’suksese dhe dështime është përcjellë?

Diplomacia për vendet si Kosova pa trashëgimi nga marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomatike ka qenë sfiduese pas rënies së “Perdes së Hekurt” dhe rrëzimit të blloqeve komuniste, sepse pastaj diplomacia ka ndërruar dhe pësuar format të ri, dinamikë të re, polarizim dhe ndërvarshmëri të reja. Kjo dinamikë vendet pa ndonjë trashëgimi të tillë dhe me qëndrime të brendshme “me demokraci formale dhe oligarki funksionale” i ka gjetur pa dëshira për ndërtimin e shtetit duke shikuar vetëm interesat personale, klanore dhe partiake. Politikanët nuk janë kujdesur aspak për politikën e jashtme duke e shndërruar gjithçka në sferë militante, sferën më të rëndësishme të një shteti në shekullin e ri. Dhe kjo ka pasur pasoja fatale për Kosovën pasi gjithçka është varur nga dëshirat dhe impenjimet e huaja, dhe ne vetëm kemi qenë robot nënshkrues pa kuptuar asnjë impakt për të ardhmen. Andaj çdo gjë e arritur në arenën ndërkombëtare është meritë e aleatëve të Kosovës dhe asgjë e vendorëve.

Në qeverinë e re pozitën e ministrit të Jashtëm e ka marrë Behgjet Pacolli? Sa pritni t’i japë shtytje diplomacisë? Konkretisht sipas juve në ç’drejtim duhet të angazhohet më shumë?

Biznesmenët, është treguar praktikisht që në vendet me demokraci të brishta dhe të dala nga blloqet komuniste nuk i kanë bërë mirë politikës e madje as që janë marrë seriozisht në diplomaci nga vendet të cilat kanë një status serioz të shtetit në politikën e jashtme. Rasti i postit të fituar tani nga z. Pacolli si i pari i MPJ-së, është një post i fituar pa meritë dhe si i tillë do të shfrytëzohet. Andaj edhe tani ai nuk po merret seriozisht as nga vendet fqinjë si Mali i Zi, e lëre më me larg. Por sidoqoftë diplomacia e Kosovës ka nevojë për një ristrukturim që nga fillimi e deri në fund, edhe stafi administrativ është vetëm një punësim militantësh në shumicë të rasteve, e stafi politik pa idenë më të vogël për diplomaci. Diplomacia kërkon strategji, vizion dhe dinamikë shumë-nivelesh, kërkon synime të qarta dhe analizë të saktë se ku duhet të arrihet, dhe jo vetëm veprime dhe taktika ditore.

Jo rrallë herë shërbimi diplomatik është bastarduar ku janë shënuar skandale të ndryshme. A duhet të bëhet një riformatim i diplomacisë?

Diplomacia e Kosovës është vetë skandali, pastaj vijnë skandalet tjera me njerëz të drogës, të dehur, injorantë, etj. Andaj, ri-formatimi është i nevojshëm deri në fund, si në stafin civil ashtu edhe në atë politik. Të paktën kjo ministri nuk është dashur të bastardohet pasi është imazhi ynë jashtë vendit. Por kjo nuk ka gjasa as teorike e as praktike të bëhet nga vetë njerëzit që e kanë sjellë në gjendje të tillë. Gjendja do të rregullohet vetëm atëherë kur në krye të saj vijnë njerëz që e dinë që diplomacia nuk është shaka, nuk është post për të fituar ndere, nuk është post që duhet të guxoj secili ta marrë në përgjegjësi pa një background të fuqishëm dhe nuk do jetë pjesë e pazareve banale.

Së fundmi u bë shumë zhurmë rreth tërheqjes apo jo të njohjes nga Surinami. A mund të ndodhë që një shtet që ka njohur Kosovën ta tërheq njohjen apo kjo është e pamundur? Ç’thotë e drejta ndërkombëtare?

Tërheqja e njohjes në të drejtën ndërkombëtare nuk njihet si formë juridike, por në politikën ndërkombëtare njohja mund të tërhiqet, dhe këtë veprim e njeh tashmë praktika ndërkombëtare ku kemi rastin e Maqedonisë që ka tërhequr njohjen me Tibetin të cilën e patë njohur në emër të disa investimeve, dhe raste kryesisht në Azi, Afrikë dhe Lindje të Mesme. Por, sot ka shtete në botë që kanë shumë më pak njohje se Kosova por megjithatë janë pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe pjesë integrale e sistemit ndërkombëtar. Pra, esenca qëndron tek materializimi i njohjeve më shumë se sa tek njohjet formale. Tërheqja e njohjes së Surinamit mund të jetë një vendim nga ndonjë premtim i Serbisë apo Rusisë për ndonjë investim dhe të përdoret për dekurajim ndaj shteteve që dëshirojnë ta njohin Kosovën. Kosovën e njohin pothuajse gjitha shtet e rëndësishme të botës dhe ato sigurojnë ekzistencën e Kosovës si entitet ndërkombëtar, kjo është shumë e rëndësishme. Sidoqoftë, tërheqja e njohjes nga Surinami duhet të merret si një alarm për të forcuar diplomacinë dhe marrëdhëniet me shtet që na njohin, që shtet të tilla të mos kenë hapësirë ndikimi nga Rusia dhe Serbia, sepse mund të shkaktohet në një precedencë që mund të na shkaktoj shumë telashe, por sa ka diplomaci Kosova ta bëjë këtë, ajo dritë nuk shihet askund.

Pasi jemi te njohjet, a pritni tëvije ndonjë njohje e re apo jo? Po ndonjë nga 5 vendet e BE-së që se ka njohur Kosovën mund të ndrrojë mendim?

Shtetet e fuqishme dhe kryesore që e përkrahin Kosovën tashmë na njohin dhe sigurojnë qenësinë ndërkombëtare të Kosovës. Njohje të reja mund të vijnë nëse diplomacia e SHBA-së dhe BE-së angazhohen për të siguruar vota të reja për anëtarësim në organizatat si UNESCO dhe INTERPOL, ndryshe Kosova mund të marrë ndonjë njohje fiktive si disa njohje që dikur pretendonte se i ka sjellë z. Pacolli, por që në realitet ata kanë votuar kundër nesh kur ka qenë nevoja. Qëndrimi i pesë vendeve të BE-së, ndaj njohjes së Kosovës, tani edhe më nuk do të ndryshoj pas rastit të shpalljes së pavarësisë nga Katalunia, dhe një konflikti që po lindë atje. Por këto mosnjohje nga anëtarët e BE-së po përdoren edhe si mjete për të treguar neutralitetin e BE-së ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës në marrëdhënie me Rusinë dhe Serbinë. Njohjet nga këto vende do të vijnë kur Kosova dhe Serbia do të kenë një marrëveshje Modus Vivendi mes vete, pasi për traktat nuk bëhet fjalë, në të cilën marrëveshje ne duhet të kemi kujdes të jashtëzakonshëm.

Kosova sivjet u tërhoq nga aplikimi për anëtarësimin në INTERPOL dhe UNESCO. Është vendim i drejtë apo i gabuar sipas jush? Kur pritni që vendi të bëhet pjesë e këtyre dy organizatave?

Pjesë aktive e UNESCO-së më nuk është as SHBA-ja. Tërheqja nga aplikimi ka qenë një veprim që nuk është varur nga Kosova, sepse diplomacia jonë nuk ka aftësi të tilla të siguroj vota për anëtarësim, andaj edhe tërheqja erdhi si pasojë e mos-gjetjes së përkrahjes së SHBA-së për shkak të vendit se ku mbaheshin mbledhjet, neutralitetit të SHBA-së ndaj anëtarësimit të Palestinës, pozicionimit të balancave gjeostrategjike dhe frikës nga teoria e kaosit që po zbaton Rusia të ideuar nga Gjenerali Gerasimov. Por, Kosova gjithashtu edhe nuk pati të përmbushura gjitha kriteret për UNESCO, dy ligjet e nevojshme, gjë që më mirë u arsyetua nga ish-ministri në detyrë se sa nga i tanishmi. Kosova do bëhet anëtarë i këtyre dy organizatave atëherë kur përfshirja e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi do jetë direkte siç është paralajmëruar, dhe do ndalet bashkëpunimi i njëanshëm i BE-së me Serbinë pa një pjesëmarrje të denjë të Kosovës, gjë që Kosova vetë nuk mund ta bëj.

Si e shini propozimin e presidentit Thaçi që Shqipëria t’i japë pasaporta për popullin e Kosovës?

Një propozim retorik, demagogjik, si kërcënim fiktiv ndaj BE-së për mos-liberalizim vizash dhe marrëveshjet e këqija të cilat ia ka sjellë Kosovës. Propozim ky që menjëherë u hodh poshtë nga vetë Shqipëria. Pasi edhe z. Thaçi e di se liberalizimi i vizave edhe me votimin e demarkacionit, nuk mund të arrihet lehtë, sepse kushti tjetër për luftimin e korrupsionit nuk është punë që bëhet me votim në Kuvend e as brenda natës. Poashtu duhet të kemi parasysh që edhe jepja e pëlqimit për liberalizim nga BE-ja, i kërkon pastaj minimumi 18 muaj procedura të brendshme në BE. Dhe kjo është esenca e diplomacisë pa krye dhe lejimit të futjes së Kosovës në ujërat e kompromiseve mes BE-së dhe Rusisë për ruajtje të balancave gjeostrategjike. Po flasim për një diplomaci merimangë të ndërtuar nga Rusia me Serbinë, po flasim për një BE, e cila nga problemet e brendshme nuk është e gatshme për zgjerim, dhe ne me injorancën tonë po biem pre e kësaj rrjete. E ardhmja do jetë befasuese! /tesheshi.com/