728 x 90 Leaderboard

Kur politika fut duart në futboll: si po “shembet” Feronikeli, ish-skuadra kampione e Kosovës

Nga Blendi Gashi

Ndërsa xhudo kosovare doli mbi politikën duke “mposhtur” Rusinë e cila u dorëzua dhe pranoi që përfaqësuesja jonë të marrë pjesë në turneun që mbahet më 16 e 17 dhjetor në Sën Petersburg me të drejta të barabarta si shtetet tjera, çudia po ndodh brenda, ku një klub po “shembet” pikërisht për shkak të futjes së duarve të politikës në sport.

Skuadra e Feronikelit nga Drenasi e cila fitoi titullin dy vite më parë (seozni 2015-2016) së fundmi është “kapur” nga kryetari i komunës Ramiz Lladrovci, i cili zyrtarisht kërkoi dorëheqjen e kryetarit të klubit Ekrem Elshani në ceremoninë e shpalljes së sportistit të vitit nga komuna, siç ka thënë për shkak të rezultateve të dobëta.

Ekrem Elshani, ish-drejtuesi i Feronikelit

Dhe pak orë pas kësaj kërkese, Elshani i cili e bëri Feronikelin kampion dha dorëhqje duke pranuar se këtë e bëri pasi ja kërkoi Lladrovci.

Të nderuar bashkëpunëtorë, anëtarë të Bordit, tifozët ‘Tigrat e Zi’ dhe qytetarë të Drenasit. Unë, Ekrem Elshani, deri më tani kryetar i klubit të Futbollit Feronikeli, sot jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet drejtuese të klubit”, ka shkruar Elshani fillimisht në Facebook, duke e treguar më pas edhe vetë arsyen e largimit.

Sot më 11 dhjetor gjatë ceremonisë së shpalljes së sportistit të vitit nga Komuna e Drenasit isha mysafir dhe gjatë fjalimit kryetari z. Ramiz Lladrovci kërkoi publikisht nga unë që të jap dorëheqje dhe t’i liroj rrugë dikujt tjetër që ta çojë klubin përpara. Mua nuk më mbetet tjetër vetëm ta respektoj këtë kërkesë publike të kryetarit të Komunës”, ka shtuar njëri prej kryetarëve më të suksesshëm në futbollin e pasluftës.

Ai më tej dorëheqjen e quan si vendimin më të vështirë që ka marrë në jetën duke lën të kuptohet se po largohet nga presioni e jo me dëshirë.

Sot ishte momenti me i veshtirë i jetes time te ndahem nga familja ime e dytë nga shtepia ime dytë, ishte shumë e veshtirë” ka shkruar ai.

Largohet edhe sponsori kryesor i skuadrës

Pas këtij vendimi të Elshanit, kanë pasuar edhe dorëheqje tjera, ku është larguar njëri prej sponsorve kryesorë, Istref Veliu i cili ka mbajtur edhe pozitën e drejtorit të klubit. Ky i fundit hapur ka deklaruar se e merr këtë vendim në shenjë pakënaqësie ndaj dorëheqjes së “detyruar” të Elshanit, për çka ka hedhur jo pak kritika tek kryetari i komunës Lladrovci.

Istref Veliu, ish-drejtor dhe ish-sponsor

Ai, përmes një statusi në Facebook, duke folur për gjendjen në klub ka thënë se suksesi që ka pasur Ferronikeli dikujt po i pengon.

Sportdashësit por edhe qytetarët e Drenasit, janë në dijeni për pengesat që i janë bërë vazhdimisht klubit “Feronikeli” nga njerëz që tashmë dihen me emër dhe mbiemër! Komuna e Drenasit, dje (12 dhjetori) me një ceremoni ndau çmimet për sportistët më të dalluar të vitit 2017 në këtë qytet. Për habi, i pari i kësaj Komune, Ramiz Lladrovci, në vend se të krenohet me punën dhe suksesin e klubit “Feronikeli”, i kërkoi dorëheqjen njeriut që me mund e shumë punë, e ngriti klubin në nivelin që është sot. Largimi i Ekrem Elshanit, që deri dje ishte Kryetar i Klubit, më demotivoi! Kërkesën për tërheqjen e tij nga klubi, e shoh si shantazh, kërcënim dhe ndërhyrje politike në sport. Elshani ishte ai që mua më bindi ti bashkohem klubit, por në të njëjtën kohë dorëheqja e tij në këtë mënyrë, më solli edhe mua para një vendimi të vështirë por të domosdoshëm! Unë Istref Veliu, Drejtor në Klubin tuaj të zemrës, jap dorëheqje nga pozita që kam, për arsyet e lartëcekura. Është e pamundur, që klubi të funksionoj me këtë formë të presionit të ushtruar nga Komuna e Drenasit!”, ka shkruar Veliu në Facebook.

Plasin reagime…

Ndaj kërkesës së Lladrovcit për dorëheqjen tashmë ish- kryetarit Elshani kanë reaguar opozita por edhe tifoz të kësaj skuadre.

Opozitari Xhavit Drenori akuzon kryetarin Lladrovci që po dëshiron t’i fut duart në të gjitha institucionet publike e private.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i asamblistit Xhavit Drenori. Ai nuk ka hezituar që në statusin e Lladrovcit të komentoi veprimin e bërë nga kryetari.

Dalëngadalë po i ‘fute’ në dorë ‘të gjitha institucionet dhe klubet publike e private. KF Feronikeli është zyrtarisht OJQ, dhe politika do duhej t‘i kishte larg duart nga OJQ-të’”, ka shkruar Drenori.

Kurse dorëheqjen e Elshanit pas kërkesës së Lladrovcit e sheh të rrezikshme.

Ka rrezik serioz të instalimit të një diktature të pa parë ndonjëherë në Drenas”, ka shkruar Drenori në Facebook.

Kurse Besnik Krasniqi, tifoz i Feronikelit, njëherit gazetar i sektorit të politikës në gazetën “Koha Ditore” vlerëson se klubi është i cenuar nga politika.

Ai e quan lajm të frikshëm dorëheqjen e Elshanit, pasi thotë se ky i fundit ju nënshtrua diktatit të kryetarit të komunës.

Lladrovci ka të drejtë të kërkojë llogari nga Kryesia e Klubit për secilin cent që ia ka dhënë Komuna. Ama, nuk është kërkushi që t’i kërkojë llogari për sukses a mossukses në gara. Fundja, kush është kryetari që të vlerësojë se çka përbën sukses e çka jo. Ai do të duhej ta dinte se Feronikeli mbetet në garë për titull kampioni dhe, edhe ekspertët më në zë të futbollit, po e shohin këtë skuadër si një ndër kandidatët më të denjë për titull”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai më tej shpreh frikën se Feronikeli do të pësojë më së shumti pas shpërndarjes së Kryesisë që klubit i ka siguruar sukseset më të mëdha në historinë 40-vjeçare të tij: dy tituj kampioni, kupën e superkupën.

Kryetari Lladrovci është dashamir futbolli. Nuk lë ndeshje pa përcjellë. Por, është fakt se një lloj armiqësie ndaj Feronikelit e ka shfaqur prej rreth një viti. Besoj të mos e ketë burimin te fakti që më nuk luan për skuadrën djali i tij, i cili ka hise të madhe në sukseset e Nikelit. Të njëjtën armiqësi e ka treguar edhe së fundmi, me dhuratën bërë Prishtinës, e cila shumë më shumë arkëton para nga stadiumi i Feronikelit ku i zhvillon ndeshjet, sesa që paguan qera.
Mbetet të shihet qëllimi i kryetarit Lladrovci. Nëse skuadra do të vihet në duar të sigurta dhe sukseset do të dalin në sipërfaqe, do t’i apllaudojmë. Nëse ka për qëllim ta shkatërrojë krenarinë e qytetit, atij duhet faturuar gjithë përgjegjësia
”, ka shkruar Krasniqi.

Kujtojmë se Feronikeli këtë sezon nga 18 xhiro të luajtura renditet në vendin e katërt në tabelë, vetëm gjashtë pikë larg skuadrës së Llapit që renditet i pari dhe ka gjasa që të luftojë për titull. /tesheshi.com/

Related posts