728 x 90 Leaderboard

Kupa e Mbretit: Barça në finale për të katërtën herë rresht, e pafat Atletiko

Ekipi më i suksesshëm spanjoll në Kupën e Mbretit shkoi sërish në finalen e këtij aktiviteti pas një 90-minutëshi drithërues në “Camp Nou”.

Diego Simeone pati premtuar luftë gjer në fund kur Atletiko e Madridit do të humbiste 1-2 të mërkurën e shkuar në fushën e vet. Dhe kështu ndodhi vërtet në gjysmëfinalen e dytë, që pati gola, kartona të kuq, penallti të humbura dhe vendime të padrejta të gjyqtarit, siç qe anulimi i golit të Griezmann-it.

Një pjesë e parë e dominuar thuajse totalisht nga Atletiko, edhe pse në fushë kundërshtare, por që pati në fund të saj një gol pikërisht në portën e udhëtuesve. Luis Suarez shfrytëzoi një top të kthyer nga portieri i Atletikos pas një gjuajtje të Messi-t, dhe e dërgoi atë në rrjetë.

Në pjesën e dytë u pa të nxirren jashtë tre lojtarë me nga dy kartona të verdhë, të kthyer në të kuqe, Sergi Roberto e Luis Suarez për Barcelonën, e Carrasco për Atletikon e Madridit.

U bë zhurmë e madhe javë më parë për një gol që nuk iu njoh Barcelonës në transfertën ndaj Betisit për kampionat, por ç’do të thonë tani katalanasit, pas një anulimi të padrejtë mbrëmë të golit të Griezmann-it?

Vendim skandaloz qe ai i minutës së 61-të, kur u anulua për pozicion jashtë loje një gol i rregullt i Griezmann-it.

Në minutat e fundit bëhet protagonist një tjetër francez i Atletikos, Gameiro, që fillimisht çon dëm një 11-metërsh e pastaj shënon dhe i çon shifrat në 1-1.

Me gjithë përpjekjet e Atletikos, rezultati nuk ndryshon më tej: barazimi dërgon Barcelonën në finale.

Kjo është finalja e katërt radhazi për Barcelonën. Para tre sezonesh humbi finalen ndaj Realit të Madridit, për ta fituar trofeun e Kupës së Mbretit në dy sezonet e fundit, në finalet ndaj Atletik Bilbaos dhe Seviljes.

Kë ekip do të ketë këtë herë në finale, Alavesin apo Selta Vigon? Këtë Barcelona do ta mësojë sonte, kur këto dy ekipe të ndeshen për të dytën herë në gjysmëfinale, me sfidën e parë të mbyllur pa gola. /tesheshi.com/     

 

Related posts