728 x 90 Leaderboard

Kuotat e reja: a u ul realisht tarifa e Rrugës së Kombit dhe pse janë kosovarët “aksionerët” e saj

Qeveria shqiptare ka prezentuar tarifat e reja të Rrugës së Kombit duke i cilësuar ato si lehtësime, por që në fakt nuk përfaqësojnë thelbësisht një gjë të tillë.

Bëhet fjalë për pas 17 shtatorit kur do të aplikohet tarifa për aksin që lidh Shqipërinë me Kosovën.

Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj, dy superministrat e Edi Ramës kanë deklaruar se banorët e Kukësit do të paguajnë vetëm 100 lekë tarifë, por ulje do të kenë edhe ata që e përdorin shpesh këtë aks e që s’janë nga Kukësi, pra qytetarët e Kosovës.

 “Qeveria po merr rriskun më të madh. Ne po marrim rriskun financiar për të zgjidhur një problem social meqenëse Kukësi është zonë e varfër, është deri diku e izoluar, nuk ka rrugë të qënësishme alternative dhe jemi koshient për këtë. Ne mendojmë që kjo punë të fillojë në Shtator. Pra, kjo verë të kalojë duke dëgjuar edhe bizneset, pjesën e Kosovës. Nga 17 Shtatori të fillojë të aplikohet tarifa. Këto favore për biznesin janë njësoj edhe për Kosovën. Pra, nuk kemi ndjekur parim diskriminues”, tha Gjiknuri.

Shkurt e shkoqur: do të paguajnë 5 euro veturat e 11 euro kampionët. Por do të ketë ulje për ata që e përdorin shpesh.

Ksuh bën 30 kalime në muaj do të ketë ulje 10%, pra do t’i merren, 4.5 euro për kalim.  Kush bën 50 kalime në muaj do të paguajë 4 euro, pra do ketë ulje 20%.

Kush do të bëjë 60 kalime në muaj, pra të udhëtojë përditë, vajtje-ardhje, do paguajë 3.5 euro pra me 30% zbritje.

Kush bën më shumë se 60 kalime në muaj, paguan 3 euro.

Por realisht, këto llogaritje nuk qëndrojnë pasi nuk ka njeri që udhëton çdo ditë ose më shumë se njëherë në ditë për Tiranë a Durrës nga Kosova, përveç mjeteve të transportit të udhëtarëve si furgonë a autobusë.

Përcaktimi i qytetarëve të Kosovës si përdorues të shpeshtë nga qeveria është gjithsesi një veprim jo vetëm normal por i domosdoshëm, pasi qytetarët janë ata përdoruesit realë dhe “aksionerët” e rrugës Milot-Morinë.

Rruga e Kombit, që prej hyrjes së saj në përdorim, e ka vërtetuar tashmë se nuk është një korridor i mirëfilltë ekonomik, por një arterie e komunikimit njerëzor më shumë se e kapitaleve mall.

Dhe lëvizja njerëzore ka gjithsesi brenda dhe kapitalin që ata sjellin me vete.

Shkurt e saktë: banorët e Kosovës, janë realisht “përdoruesit e shpeshtë” të Rrugës së Kombit.

Që prej vitit 2009, rruga nga Miloti deri në Morinë frekuentohet thuajse gjithë vitin në mbi 70 përqind të saj nga qytetarët e Kosovës që lëvizin mbi të gjitha për të kryer udhëtime të shkurta në Shqipëri, kryesisht për fundjava e jo vetëm.

Pjesa tjetër e udhëtuesve nga Kosova janë ato gjatë sezonit turistik ku fluksi është marramendës.

Sipas të dhënave vjetore që regjistrohen nga Policia e Kosovës, në 3 muaj kosovarët që udhëtojnë për në Shqipëri gjatë verës i kalojnë 1 milionët, natyrisht me hyrje me dalje.

Këtu duhet shtuar edhe numri i madh i emigrantëve të Kosovës që përdorin Rrugën e Kombit për të vizituar familjet e tyre gjatë verës, duke kaluar nga Kroacia, Mali i Zi, Shkodra, Lezha e më pas në rrugën Milot-Morinë.

Duke pasur parasysh këtë fakt thelbësor, mund të thuhet pa frikë se qytetarët e Kosovës janë “aksionerët” numër një të Rrugës së Kombit. Ata janë përdoruesit më të shpeshtë të saj, që kalojnë çdo kategori tjetër.

Rruga u ndërtua për të pasur sukses edhe si koridor ekonomik, por deri tani mund të thuhet se ky aspekt ende nuk ka sjellë frytet e saj, edhe pas 9 vjetësh që ky aks vital është vënë në përdorim.

Ndërkaq, vendimi i qeverisë shqiptare për të vendosur tarifë përdorimi duke mos biseduar, kontaktuar, apo dëgjuar asnjë grup interesi apo shoqëror, e mbi të gjitha përfaqësuesit legjitim të Kosovës, është krejtësisht arrogant dhe pret në besë ata që rrugës i japin kuptim.

Studimi për të thithur tarifën e rrugës duhet bërë i plotë dhe gjithëpërfshirës, ndoshta duke e vëzhguar me hollësi për 6 muaj se kush janë ata që e rrahin “”Rrugën e Kombit”.

Tarifa si parim vendoset për përdoruesit normal të një aksi i cili gjithashtu nuk është alternativë e vetme e kalimit, pra ekziston paralelisht një aks rrugor pa pagesë.

Nëse autostradat e Kroacisë ne i paguajmë sa herë kalojmë, kjo nuk është njësoj me fluskin që ndodh në Rrugën e Kombit.

Nëse një kategori e caktuar e përdor këtë aks rrugor në mënyrë permanente, pasi edhe nuk ka alternativë tjetër lëvizjeje, nuk kemi të bëjmë me përdorues, pasi ky grup hyn tek frekuentuesi dhe kontribuesi i përditshëm i saj.

Banorët e Kosovës, kryesisht fundjavave i japin “Rrugës së Kombit” kuptimin se ai aks është arterie nacionale, përndryshe mbetet një rrugë lokale, e cila nuk justifikon aspak atë investim gjigand prej 1 miliardë e kusur eurosh.

Plus shifrës gjigande që rruga kërkon për mirëmbajtje, e kthen këtë ndërmarrje në një aset që kërkon investim strategjik, por edhe qasje të tillë, duke komunikuar dhe respektuar “aksionerët” e saj.

Vendosja e tarifës prej 5 eurosh për qytetarët e Kosovë për një kalim, i rëndon shumë buxhetit të familjeve të tyre.

Siç dihet, frekuentuesit më kryesor të rrugës janë familjarët që kalojnë një fundjavë në Tiranë, Durrës, Lezhë, apo gjetkë, duke shpenzuar në Shqipëri pjesë të buxhetit të tyre në strukturat e shërbimit apo hotelerisë.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, deklaroi në dhjetor gjatë një takimi me një grup të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë se numri i turistëve nga Kosova është dyfishuar dhe priste që në 2018-n të ketë një katërfishim. Pra në Korçë.

Këtë parashikim kryebashkiaku e merrte direkt nga kërkesat që strukturat hoteliere të Korçës e merrnin nga qytetarë të Kosovës çdo ditë.

Pa folur këtu për “armatën” gjigande të kosovarëve që zgjedhin bregdetin shqiptar për pushimet verore, duke rritur ndjeshëm buxhetin e familjeve që mbahen nga turizmi.

Shto këtu bizneset e qytetarëve të Kosovës në qendrat e mëdha pushuese të Shqipërisë që janë kontribues të mëdhenj dhe direkt të buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë, pra hotele, bare, restorante, agjenci udhëtimi, qendra shërbimesh etj që janë në një numër të madh.

Plus që një pjesë jo e vogël e qytarëve të Kosovës janë shtetas të Shqipërisë që votojnë dhe paguajnë detyrimet që u takojnë me ligj.

Vetëm në Tiranë, sipas të dhënave të INSTAT kanë blerë apartamente mbi 35 mijë qytetarë të Kosovës, pa përmendur  Durrësin, Golemin, Gjirin e Lalzit, Shëngjinin, Velipojën, Vlorën, Sarandën, Pogradecin, ku edhe pse s’ka shifra të sakta flitet për numra me shumë zero.

Politikanë, intelektualë, biznesmenë, gazetarë nga Kosova kanë vilat dhe apartamentet e tyre verore në Shqipëri, por edhe qytetarë të shumtë.

Me një fjalë, qytetarët e Kosovës janë kthyer tashmë në një realitet permanent i Republikës së Shqipërisë, që kontribujonë fuqishëm në GDP-në. Që do të thotë se nuk guxon që kjo pjesë tashmë e rëndësishme e realitetit të Shqipërisë të mos jetë pjesë e konsultimit për një aks rrugor që ajo është përdoruese edhe aksionere.

Por përveçse shqiptarët e Kosovës, aksionerë të rrugës së Kombit janë edhe shqiptarët e Malit të Zi, ulqinakët dhe malësorët, por edhe banorët e Plavës e Gucisë, të cilët në shumicë punojnë në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, e zonat përreth dhe lëvizin në fundjavë pambarimisht gjatë vitit në Rrugën e Kombit për të mbërritur destinacionet e tyre familjare.

Gazetarë, punonjës të administratës, organizatave të shoqërisë civile, madje edhe biznesmenë por edhe profesionistë që punojnë në industri, ndërtimtari, etj., janë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh të Malit të Zi, banorë të Kosovës, që destinacionet familjare i kanë të përçdojavshme.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shumë studentë nga Presheva që në Tiranë kanë mbushur universitetin publik si dhe ato private në degën e mjeksisë, stomatologjisë dhe laborantëve të imazherisë.

Pra, një taksë 5 euro pa u konsultuar me kosovarët, e në fakt jo vetëm me ata por edhe shqiptarët e Malit të Zi dhe të Preshevës, jo vetëm që nuk është zgjidhje por është arbitrare që në gjenezë.

Rrugët sesi mund të zgjidhet pagesa, që natyrisht është e nevojshme për mirëmbajtjen e kësaj rruge që shqiptarët e kanë paguar si “frëngu pulën”, janë të pafundme.

Nëse ka vullnet zgjidhjet mund të gjenden në disa forma, por kurrë duke anashkaluar konsultimin me përfaqësuesit legjitim të Kosovës, pra qeverinë e Republikës, por natyrisht me aktorë e grupe interesi që përfaqësojnë shoqërinë.

Kjo sjellje ka shumë gjasa që të prodhojë edhe një energji të re “patriotike” për të rritur edhe më shumë jo vetëm komunikimin njerëzor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, por mbi të gjitha ajo që nuk po ndodh, bashkëpunimi ekonomik për tu bërë një treg mallrash dhe kapitalesh për të dalë në Europë si vlerë e shtuar.

A nuk bëjnë kështu vendet e ish-Jugosllavisë që kanë luftuar e janë shfarosur mes njëri-tjetrin?

Një komunikim apo konsultim do të sjellë edhe ndryshimin e mentalitetit që të mos ketë barriera mes dy vendeve tona por facilitete, qoftë për qytetarët qoftë edhe për biznesin.

Përndryshe piramida e kufirit që u shkatërrua gjatë Luftës së Koshares nuk do të kishte asnjë kuptim, nëse do të vazhdojnë të ngremë mure të reja.

Tirana në radhë të parë, pasi e ka detyrim jo vetëm kushtetues për shqiptarët që jetojnë jashtë kufirit, por qytetarët e Kosovës janë “aksionerë” me titull të plotë të Republikës.

 

Related posts