Kundërshtuesit e martesave të së njëjtës gjini protestojnë në rrugët e Parisit

Mijëra protestues dolën ditën e sotme në rrugët e kryeqytetit francez për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj martesave gej.

Policia njoftoi për 24.000 pjesëmarrës në protestë, ndërkohë që organizatorët pretenduan për një numër më të madh të protestuesve në rrugë.

Në qendër të kundërshtisë së tyre ishte ligji i vitit 2013, që e bën të ligjshme martesën mes dy personave të së njëjtës gjini.

Fushata “Manif pour Tous” është riaktivizuar kështu dy vite pas mbajtjes së një proteste të ngjashme. Një tjetër protestë tre vite më parë është thënë të ketë nxjerrë 1.4 milionë njerëz në rrugët e Parisit.

Francois Hollande, presidenti francez, nuk do t’ua vinte veshin asokohe protestave, e në 2013-n do të legalizoheshin në Francë martesat gej.

Në protestën e sotme u është bërë thirrje kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në vend që t’i mbështesin vlerat tradicionale familjare.

Megjithatë, asnjë nga pretenduesit e së djathtës për të garuar një vit më pas në zgjedhjet presidenciale nuk është shprehur deri tani se do ta shfuqizojë ligjin nëse zgjidhet president. /tesheshi.com/