728 x 90 Leaderboard

Kujtimet e një prifti nga Bosnja: ju tregoj besën dhe hakmarrjen te shqiptarët

Nga Shefki Sh. Voca

Lovro Mihaçeciq (1856 – 1920), ka qenë një frat (prift) katolik i lindur në Kreshovë të Bosnjës Qendrore. Ai si i tillë ka kaluar 14 vite në mesin e shqiptarëve i ngarkuar me detyrë fetare, nga udhëheqësi suprem i rendit françeskan në Romë. Kjo kishte ndodhur sipas kërkesës së tij. Në Shqipëri shkon dy here. Njëherë në vitin 1883, me përqëndrim në Manastirin Troshanë në detyrën e mësuesit të rregullt të të rinjve, ku qëndron dhjetë vjet, kur më pas iu është desh të kthehet në Bosnje, dhe herën e dytë  ai arrin në Shqipëri në gusht të vitit 1906, ku qëndron katër vjet.

Herën e dytë të qëndrimit të tij në Shqipëri ai plot katër muaj i kalon duke udhëtuar dhe vizituar gati tërë Shqipërinë nga Epiri deri te Maqedonia dhe një pjesë të Kosovës ku përfshiheshin shtatë dioqeza të shtrira në provincat françeskane duke mbledhur dhe tubuar shënime me informata të ndryshme që ndërlidheshin me gjitha ato që kanë të bëjnë me shqiptarët. Si rezultat i këtyre viteve dhe të udhëtimeve që zgjatën katër muaj, Fra. Lovro Mihaçeviq pas kthimit në atdhe i boton të gjitha shënimet që kishte marrë dhe tubuar për shqiptarët. Ato i boton në Zagreb dhe Sarajevë, me moton që siç thotë edhe vetë, që edhe populli kroat ta njoh pak a shumë Shqipërinë dhe popullin e saj me gjithë  trimërinë, besnikërinë, bujarin, respektin, nderin dhe dashamirësinë e tyre.

Shënimet e para i boton në vitin 1909 në Sarajevë me titullin “Nga Shqipëria për Shqipërinë”, veprën e dytë e boton në Zagreb në vitin 1911, me titull “Nëpër Shqipëri-Përshtypjet nga udhëtimet”, prej së cilës ne i kemi shkoqitur nga kapitulli i IV, dy nënkapituj, 7 dhe 8: “BESA TEK SHQIPTARËT” dhe “HAKMARJA E GJAKUT TEK SHQIPTARËT”, faqe 100-105. Kurse vepra e tretë  e tij titullohet “Shënime nga historia e shqiptarëve”, botuar në Sarajevë në vitin 1912.

 

Besa tek shqiptarët

Besa – besim i fortë – fjalë e ndershme – tek shqiptarët është diçka e shenjtë. Kush nuk e mban besën, ai nuk mund të jetë as njeri, ndërsa i ndershëm assesi.  Shqiptarët besën njëri-tjetrit ia japin në mënyrë reciproke që atë ta ruajnë dhe ta mbrojnë. Dy persona apo më shumë që gjenden në konflikt ia japin besën njëri-tjetrit deri në kohë të caktuar sipas marrëveshjes, dhe për hakmarrje as që dëshirojnë dhe guxojnë të mendojnë. Shqiptari më parë do ta mbys veten, se sa ta shkeli fjalën e dhënë besën, veçanërisht  nëse dikë e ka marr nën mbrojtjen dhe sigurinë e vet.

Besa jepet duke ia shtrirë njëri-tjetrit dorën e djathtë, dhe me këtë gjest ajo kryhet. Besën e japin për kohëra të gjata dhe të shkurtra, për shembull për njëzet e katër orë, për dhjetë apo tridhjetë ditë, por ajo epet edhe për një vit dhe më shumë. Gjatë tërë kohës së besës së dhënë palët që gjenden në konflikt munden bashkë të bisedojnë, shëtisin dhe të shoqërohen pa ndonjë rrezik për jetë, edhe pse të tillët rregullisht i shmangen njëri tjetrit.

Nëse dikush nga fisi dhe bajraku tjetër vjen në një shtëpi dhe e lut krye parin e asaj shtëpie, që ta përcjellë deri te fshati i afërm, ku do kishte ca punë, ky e konsideron si obligim që këtë shërbim t’ia bëjë, dhe e merr pushkën e varur nga muri, duke u nisur bashkë me te në drejtim të vendit të caktuar. Por gjatë rrugës nikoqiri që ishte në shërbim të këtij të ardhuri, kupton se dikush nga fisi apo bajraku i këtij të ardhurit e paska vra një person të fisit apo bajrakut të tij. Përnjëherë të dytë ndalen se e kuptojnë që qenkan në konflikt hakmarrës. Tani ose duhet që këtu të vriten ose të kërkojnë besë. Kjo ka ndodhur në një fshat për mua të njohur, dhe përcjellësi rrugës i jep besë mysafirit të ardhur te ai. Pasi që arrijnë në fshatin e afërm, i ardhuri i kryen punët që kishte. Tani përcjellësi kishte për obligim që ta përcjellë deri te vendi i sigurt, dhe pastaj ta lejoj që ai vetë të shkoj. Mirëpo më të dalë nga fshati, fare pa menduar dhe nga pakujdesia mysafiri i thotë përcjellësit: “Ti tani mund të kthehesh në shtëpi, sepse nga këtu e më tutje do të vazhdojë rrugën vet!” Ndërsa ky i thotë: “Mirë është, për më tutje nuk të nevojitem – dhe me kaq besa që ta kam dhënë merr fund!” – e ngreh pushkën dhe në vend e vranë deri – më tani – mysafirin e vet.

Për vërtetimin e besës së fortë të shqiptarëve, ja edhe një rast: një natë të xhumasë duke dal xhemati nga xhamia e tyre, fillojnë të mahiten, ndërsa kjo mahitje përfundoj me vrasje. Dy pak më të rinj filluan ta përgënjeshtronin njëri tjetrin, kjo kaloi në grindje. Në këtë gjendje ata i nxjerrin revolverët nga shoku. Njëri prej këtyre dy të rinjve e vranë kundërshtarin e vet dhe menjëherë fillon të ikë nga vend ngjarja. Mirëpo së shpejti veç edhe errësohet, ndërsa ai duke ikur e sheh një plakë pranë dyerve të oborrit të një shtëpie, dhe i tregon që ka ra në gjak, duke e lut për konak dhe besë se nuk do ta tradhtoj. Plaka ia jep besën dhe e merr në shtëpinë e saj. Ajo as që ka mund të dyshojë se kënd e ka pranuar në shtëpi me besën e dhënë, por as ai nuk ka ditur se në shtëpinë e kujt gjendet. Në anën tjetër, babai dhe dy vëllezërit e të riut të vrarë menjëherë ngasin pas vrasësit, por askund nuk e arrijnë, dhe ashtu të lodhur kthehen në shtëpi. E zonja shtëpisë ju kishte përgatitur darkën për të ngrënë, dhe duke parë se djali i tretë nuk është, i pyet ata për te? Këta ia rrëfejnë ngjarjen, se si ishte vrarë para xhamisë, dhe se si deri më tash e kanë ndjekur vrasësin, kurse ai më të ra terri arriti t’ju ikë hakmarrjes së tyre. Plaka duke dëgjuar këto fjalë fillon të zbehet, gjaku i shtrëngohej nëpër vena, por fshehtësinë e vet nuk e tradhtoj. Vrasësi i djalit saj ishte në duar të saja. Ndërsa ajo e kishte pranuar me besë, kurse besa është e shenjtë, që nuk guxon të thyhet. Pasi që babai me dy djemtë e tjerë ngrënë darkë, u ngritën, i morën lopatat dhe mjetet tjera të nevojshme për hapjen e varrit dhe shkuan drejt e te xhamia për me e varros të vdekurin. Këtë rast e shfrytëzon plaka, dhe e thërret vrasësin, i jep një copë bukë me djathë duke i thënë: “Mere këtë ushqim, që të gjendet rrugës; të kam pranuar  në besë dhe atë e mbajta, dhe tani shko, por mallkuar qofsh pse ma ke vra djalin!”

 

Hakmarrja e gjakut tek shqiptarët

Tek shqiptarët hakmarrja është obligim dhe nevojë. Ai ende si fëmijë u formësua për hakmarrje. Mban mend mirë, nëse pleqtë i kanë lënë amanet, që të hakmerrej për ndonjë vrasje, dhe po sa të rritet dhe aftësohet për pushkë, ai e kërkon rastin e volitshëm për te. Nëse ai heziton që të hakmerrej; atëherë familjarët dot mendonin: që ai nuk po donë të hakmerret ose nuk po mundet ta kryej këtë akt. Nëse vjen në shprehje e para, atëherë ai e turpëron shtëpinë dhe fisin të cilës i takon, po që se nuk mundet, atëherë është tradhtar, dhe sërish bie turpi mbi shtëpinë dhe fisin. Shumica kishin pas dëshirë që kjo punë të përfundojë me paqe dhe mos të ketë përlyerje duarsh me gjak të huaj dhe të vjetruar, por këtë nuk guxon ta lejojë nga rrethi, dhe gjithsesi se duhet vepruar ashtu si i kanë lënë amanet.

Nëse shqiptari padashur e vret dikën, për shembull duke e mbrojtur shtëpinë e vet, hambarin apo ndonjë pronë tjetër, ai njësoj do të bie në gjak dhe do ti nënshtrohej hakmarrjes. Hakmarrja nuk guxon të harrohet, ajo duhet, deshtë apo nuk deshtë, të merret. Ai duhet ta pret rastin e volitshëm që ta merr hakun , dhe kjo kishte me qenë më mirë dhe më e ndershme, që sa më shpejtë ta kryejë atë. Vrasësi, që të paktën për një kohë të fshihet nga hakmarrja, ai duhet ta lëshoj shtëpinë e tij dhe të shpërngulet në ndonjë fshat tjetër. Por kushërinjtë e të vrarit kanë të drejtë ta vrasin jo vetëm bash vrasësin, por edhe dikë nga anëtarët e familjes së tij ose të afërmit e tij, ndonëse dhe para se gjithash, çdoherë mbetet obligimi që të vritet bash vrasësi. Kështu që duke provokuar hakmarrja, hakmarrjen, ndodhë që të rritet numri i gjakut për gjak, ashtu që, duke u vrarë mes veti, rrezikohen familje të tëra të shuhen dhe të  mbesin pa meshkuj. Hakmarrja zgjat deri në pesë, dhjetë, njëzet, e mund të shkoj edhe në më tepër se pesëdhjetë vjet. Në hakmarrje nuk bëhen dallime fetare; aty e vret njëri tjetrin, vetëm nëse e ka fyer apo provokuar me gjak.

Hakmarrja e gjakut abrogohet dhe hiqet në dy mënyra: duke paguar një sasi të gjobimit me pare apo të falet gjaku pa gjobitje. Në mënyrën e parë veprohet kështu: ndërmjetësuesit e pajtimit të hakmarrjes kanë për obligim që pajtimi të bëhet me pëlqimin e të dy palëve. Pajtimi bëhet në shtëpinë e vrasësit. Nëse familja e tyre është pasanike, atëherë thirren – zakonisht famullitari, përkatësisht hoxha i vendit, dhe njëzet e katër pleq, dymbëdhjetë nga ana e viktimës dhe dymbëdhjetë nga ana e vrasësit. Po që se është familja e varfër atëherë thirren dymbëdhjetë pleq, nga gjashtë prej të dy palëve, të cilët me atë rast do të flasin për dhe kundër: duke mbrojtur secili anën e vet. Atë ditë të gjithë vishen me gune të zeza dhe të gjata (gunë-lloj petku fshatar Sh. V.) të quajtura “tallagan”, dhe me vete bartin armët zakonisht pushkët. Në shtëpi i heqin tallaganët dhe pushkët, dhe ulen të renditur sipas moshës, njëri grup në një anë dhe grupi tjetër për ballë tyre, apo në anën tjetër. Kur kleriku hynë në shtëpi, të gjithë i heqin kapelat dhe përmendin emrin e Zotit. Kleriku i pyet për gjendjen shëndetësore dhe për  mirësi, duke u përshëndetur me secilin dorë për dore, dhe ulet në vendin e parë ku më pas të gjithë shërbehen me kafe. Pas pak heshtjeje kleriku e hap tubimin duke filluar të flas; pas tij fillojnë me radhë të flasin të tjerët. Kur njëri flet, të tjerët heshtin, kurse kur e përfundon, tjetri e merë fjalën, duke reaguar në fjalët e parafolësit, kurse i treti sërish reagon, ndërsa secili flet goxha gjatë, por me maturi, seriozitet dhe në frymën e paqes. Nëse rastësisht bie ndonjë fjalë pak e rëndë, heshtin, ndërsa kleriku përpiqet që atë fjalë ta zbus, arsyetoj dhe ndikimin e saj ta zvogëloj. Renditen dëshmitarët dhe garantuesit, kurse kleriku për një siguri më të madhe përgatit një deklaratë me shkrim më nënshkrimet e tyre – apo duke shtypur gishtin. Nëse famullitari apo hoxha nuk janë prezent, dëshmitarët edhe vetë shërbehen me deklaratën e shkruar.

Me rastin e arritjes së marrëveshjes së të dy palëve, atëherë i dëmtuari pyetet, a pajtohet, me vendimin e pleqve të thirrur, dhe kur përgjigjet, se pajtohet, atëherë që të gjithë i falënderohen për zemërgjerësi, ndërsa dy vetë dalin, ta sjellin vrasësin i cili ishte duke i pritur diku për thirrje. Vrasësi hyn në shtëpi – tek të tubuarit – para tyre gjendet me duar të lidhur përmbrapa, kokë ulur e të mbuluar, dhe ashtu gjunjëzohet para klerikut. Ky e dorëzon tek i dëmtuari, përderisa të gjithë, të dëmtuarin e lusin që t’ia zgjidh duart dhe t’ia heq perden nga koka e mbuluar, të cilën veprim ky menjëherë e kryen dhe e shpall të lirë. Të dytë qohen në këmbë, përqafohen, ndërsa tani ia fillojnë urimet njëri tjetrit, pastaj në shtëpinë e vrasësit që të gjithë fillojnë të hanë drekë.

Mënyra tjetër e pajtimit bëhet kështu: në prag të ndonjë feste të shenjtë (qoftë myslimane apo krishtere Sh. V.) vrastari apo dorasi me duar të lidhura përmbrapa, i shoqëruar nga dy apo tre miq të vet vjen vonë në mbrëmje te dyert e shtëpisë së të dëmtuarit; trokasin, kurse në pyetjen, se kush është, ata përgjigjen: “Jemi miq!” Dyert hapen, dhe këta hyjnë brenda, kurse  nikoqiri në vend të miqve para veti e sheh armikun e tij. Vrasësi menjëherë i bie në gjunjë nikoqirit, derisa shokët e tiji heqin kapelat nga kokat e tyre dhe para fotografisë të ndonjë të shenjti (nëse palët janë të krishterë Sh. V.) dhe zëshëm luten, ta ndjejnë dhembjen e zemrës të dëmtuarit, që t’ia falë fyerjen mikut të tyre. I dëmtuari i prekur thellë në shpirt ia zgjidh duart fajtorit të penduar, kurse të tjerëve ua vë kapelat në kokë, dhe i urdhëron, të ulen, dhe me këtë pajtimi merr fund., pa gjobitje. Tani nikoqiri i gostit, iu bënë konak kurse të nesërmen i përcjellë nga fshati tij, dhe në këtë mënyrë edhe tërë fshati kupton, se ç’kishte ndodhur mbrëmë në shtëpinë e tij.

Ekziston edhe një mënyrë e pajtimit. Pasi që vrasësi kot u mundua me të gjitha të mundshmet, që të arrij të pajtohet me armikun e vet, dhe nuk ka mundur, ai tenton edhe me një mënyrë tjetër. Dorasi e merr djalin më të vogël të tij dhe ia dorëzon dy miqve të vet, që ta dërgojnë në shtëpinë e palës së dëmtuar. Në mbrëmje vonë ata shkojnë në shtëpinë e palës së dëmtuar dhe duke trokitur në derë prezantohen si miq të tij, me të hapur derra ata futen brenda. Tani fëmija fillon të qaj, kurse nikoqiri nga mëshira e merr fëmijën në gryk, e fut në dhomë, ku i thirr edhe ata të dy, i merr gërshërët, dhe në mënyrë kryqësore ia prenë fëmiut  flokët dhe e puth, ndërsa kjo puthja është shenja e plotë e faljes dhe pajtimit me babën e atij fëmije. I ndalë në shtëpi, dhe i gostit, e tek pastaj ata shkojnë bashkë me atë fëmijë në shtëpi. Disa ditë pas këtij rasti përgatitet edhe fajtori – babai i atij fëmiju – dhe i shkon në vizitë mikut të ri, me të lidh kumbari dhe shoqëri, po edhe vëllazëri. /tesheshi.com/

 

Related posts