KUJTESË/E kundërta e Jovan Bregut, roli tjetër i madh i Roland Trebickës: ç’përfaqsonte xha Spirakja?

Padyshim që i ndjeri Roland Trebicka, me “Jovan Bregun” e tij, mbetet një prej monumenteve të aktrimit teatror shqiptar. Ai ka qenë një ndër kulmet e tij si aktor, mbetur thellë e pashlyeshëm në memorie, falë një fabule fantastike siç ka qenë “Pallati 176” e një loje po ashtu fantastike të çdokujt të kastës së aktorëve.

Por Landi do kishte dhe një tjetër rol po aq të madh në galerinë e personazheve të tij, i cili ka qenë e kundërta e Jovan Bregut që vlonte nga dëshira për t’u bërë magazinier. Ai është xha Spirake te “Valsi i Titanikut”, një ndër komeditë me të famshme rumune, e vënë në skenë atëbotë në Teatrin Kombëtar (quhej Popullor para ’90-ës.

Ndryshe nga Jovani, xha Spirake është i urtë, i ndershëm, modest. Si një nëpunës i thjeshtë bashkie, ai përpiqet sa mundet që të mbajë familjen e tij, pa patur asnjë ambicie për karrierë. Sidomos, të marrurit me politikë ai e konsideron si një vetëposhtërim të njeriut, për shkak të korruptimit moral.

Por në familje i ka pothuajse të gjithë kundër, veç një vajze me gruan e parë, ku veçon gruaja më vjehrën, që të dyja të etura për pasuri, së bashku me djalin e vajzën tjetër, të cilët përfitojnë e bëhen të pasur nga trashëgimia e lënë prej vëllait të Spirakes, Takes, i cili pëson një fatkeqësi e vdes. Ndryshe nga Spirakja i varfër, Takja ishte njeri i pasur. Por ç’ndodh më vonë? Ata, gruaja, vjehra e dy fëmijët duan që ai, Spirakja, të bëhet edhe deputet, e për këtë paguajnë (me paratë e Takes), një sekser politik. Ky i fundit arrin ta fusë në lista Spiraken, që nga ana e tij shkon e u thotë zgjedhësve që të mos e votojnë. Epilogu përshkohet nga situata emocionuese me një lojë aktoreske brilante dhe jo vetëm nga i ndjeri Trebicka.

Vjen kjo sekuencë e kësaj komedie si një kujtesë për një prej roleve më madhështorë të Roland Trebickës, për ironi e kundërta e Jovan Bregut, por me lojë po aq mjeshtërore sa e Jovanit, si dhe për një kujtesë publikut, se tema e dilemës morale përballë politikës si rrezik njollosjeje karakteri, ka ekzistuar gjithnjë. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts