728 x 90 Leaderboard

KUJTESË/ 5 tetor 2000: kur serbët rrëzonin Millosheviçin. Ironia: ish-njerëzit e tij sot qeverisin Serbinë

Këtu e 18 vjet më parë, më 5 tetor 2000, në Beograd do shërthenin protesta masive kundër Millosheviçit, ku për pasojë pati dhe dy viktima. Kryeqyteti serb u kall nga shpërthimi i dhunës, e kjo ndodhi më shumë se vit pasi vendi ishte zbrapsur nga sundimi në Kosovë ku kishte lënë një tokë të djegur nga masakrat e ushtrisë dhe policisë.

Ishin pikërisht këto protesta që i dhanë fund sundimit të Millosheviçit, njeriut që i kish vënë flakën gati gjysmës së ish-Jugosllavisë me tre luftra të përgjakshme.

Protestat shpërthyen pasi Millosheviçi refuzoi të njohë rezultatet e zgjedhjeve për president.

Në zgjedhjet e 24 shtatorit 2000, ai humbi ndaj kandidatit DOS dhe lider i Partisë Demokratike të Serbisë, Vojisllav Koshtunica.

Kjo bëri që mijra protestues të zemëruar të mblidheshin para Kuvendit të atëhershëm Federal, sot Asambleja Kombëtare, të ardhur nga e gjithë Serbia me autobusë, kamionë e makina private. Ata u përballën me barrikadat policore dhe këtu nisi dhuna.

Ndërtesës së Kuvendit Federal iu vu zjarri, e po ashtu dhe Radio Televizionit të Serbisë.

Ndodhi më pas që policia u dorëzua dhe zgjodhi t’ju bashkohet qytetarëve të zemëruar.

Në mbrëmjen e 5 tetorit, nga tarraca e Kuvendit, presidenti i ri Vojisllav Koshtunica iu drejtua turmave në mënyrë triumfatore, dhe të nesërmen, më 6 tetor, Millosheviçi pranoi humbjen në zgjedhje dhe përgëzoi Koshtunicën.

Viktimat në protesta ishin: Jasmina Jovanoviç Miloševaç e cila përfundoi nën rrotat e blindave dhe Momçillo Stakiç që vdiq nga një atak në zemër. 65 persona të tjerë u plagosën.

Por pas 18 vjetësh, njerëzit në ish-qeverinë e Millosheviçit kanë zënë pozitat më të rëndësishme në vend.

Presidenti Aleksandar Vuçiç, në atë kohë ishte ministër i Informacionit; ish-nënkryetarja e qeverisë federale, Maja Gojkoviç tani është presidente e parlamentit; Aleksandar Vulin, figurë në partinë e Millosheviçit, tani është ministër i Mbrojtjes, ndërsa ish-zëdhënësi i partisë, Ivica Daçiç është ministër i Jashtëm.

Ndërkohë, Koshtunica është sot jashtë politikës, ndërsa kryeministri Zoran Gjingjiç u vra më 12 mars 2003, përballë ndërtesës së qeverisë serbe.

Millosheviçi vdiq në vitin 2006, në paraburgim në Hagë, ku ai po gjykohej për krime lufte; ndërsa gruaja e tij Mirjana Markoviç është në Rusi, ku mori azil. /tesheshi.com/

Related posts