728 x 90 Leaderboard

KUJTESË/ 26 maj 1996: si nisi rënia e “votës së lirë e të ndershme”

26 majin e 2018-ës, opozita e ka boldizuar në kalendar si një ditë të madhe proteste kundër qeverisë Rama; por kjo datë ka hyrë sakaq në historinë politike të pas ‘90-ës si dita kur nisi rënia e moralit për zgjedhje të lira e të ndershme. Deri atëherë, në katër palë zgjedhje të zhvilluara në kushte pluraliteti, asnjëra prej tyre nuk ishte kontestuar.

Më 26 maj 1996, vendi do të shkonte në zgjedhjet e dyta parlamentare pas atyre të 22 marsit 1992, kur dhe kishte ndodhur ndryshimi historik i pushteteve. Atmosfera politike qe e atillë sa PD-së i paralexohej fitorja. Kjo për shkak të një situate ekonomike me plot të ardhura pasi kish nisur lulëzimi i firmave piramidale. Por ama, PD-ja vetë vinte nga shija e hidhur e humbjes së referendumit për Kushtetutën dy vjet më parë, gjithashtu nga humbja e lokalve në maj të ‘92-shit, pra nga dy disfata, ndaj dhe kishte ankth nëse mund të fitonte dhe një mandat të dytë. Kjo u pa që gjatë fushatës kur në qytetete të ndryshme sajoheshin skena me popull që dilte në rrugë me “vullnet të lirë” dhe vendoste barrikada gurrësh për të penguar përfaqsuesit e opozitës së majtë të kryenin aktivitete elektorale.

Ndërsa në ditën e zgjedhjeve, në orën 4 të pasdites, opozita do vendoste bojkotin e tyre total me pretendimin se një valë e madhe manipulimi po ndodhte. Kjo u reflektua tek rezultatet  e shpallura në mbrëmje, me të dhëna rekord siç ishte dhe marrja e një vote ose dhe asnjë në zona të ndryshme, nga ana opozitës. Televizioi shtetëror ofronte fitoren e PD-së në shifra që sfidonin çdo logjikë elektorale.

Më pas goditja do vinte nga faktori ndërkombëtar, që me në krye administratën amerikane i kontestoi zgjedhjet, pra mbështeti pretendimet e opozitës për manipulime, duke kërkuar rivotim në 40 zona.

Gjithçka ndodhi në një klimë tensioni pasi opozita doli në protestë dhe, më 28 maj, në sheshin “Skënderbej”, u regjistruar shenja dhune ndaj eksponentëve të saj, të cilat bënë xhiron e botës, duke qenë një material shtesë denoncues për ndërkombëtarët.

Ç’prej 26 majit 1996, zgjedhjet në Shqipëri nisën të kontstoheshin rregullisht, siç ndodh dhe sot, duke e patur këtë datë si pikënisjen e mosbesueshmërisë mes palëve për votë të lirë e të ndershme. /tesheshi.com/

 

Related posts