Kualifikueset për “Francë 2016”: Italia konfirmon praninë në europian

Ndeshjet kualifikuese po shkojnë drejt fundit, dhe numri i skuadrave që do të luajnë në kampionatin europian të vitit të ardhshëm po plotësohet nga dita në ditë. Italia është përfaqësuesja e fundit që i është bashkuar karvanit të skuadrave të tjera me pjesëmarrje të siguruar.

Në grupin A është qartësuar gjithçka. Islanda dhe Republika Çeke do udhëtojnë për në Francë si mbajtëse të vendit të parë dhe të dytë në grup. Ndërkohë, për vendin e tretë do të luftojnë deri në fund Turqia dhe Holanda. Dy skuadrat regjistruan fitore në ndeshjet e fundit në udhëtim, respektivisht ndaj Republikës Çeke, (0-2), dhe Kazakistanit, (1-2).

Situata është krejtësisht e qartë dhe në grupin B. Belgjika dhe Uellsi janë dy skuadrat e kualifikuara direkt për në europian. Ndërkaq, Bosnjë-Hercegovina ka rrëmbyer vendin e tretë falë fitores në shtëpi ndaj Uellsit (2-0), si dhe humbjes së Izraelit me Qipron, (1-2).

Në grupin H, Italia konfirmon pjesëmarrjen në Francë, pasi me tre pikët e siguruara ndaj Azerbajxhanit në udhëtim, (1-3), e arrin edhe matematikisht kualifikimin.  Norvegjia, e cila ndodhet në vendin e dytë dhe synon ta mbyllë fushatën kualifikuese në këtë renditje, mposhti Maltën në shtëpi, (2-0). Kroacia, që gjithashtu pret hapin fals të norvegjezëve, do të luftojë gjer në fund për një vend që i siguron pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në Francë. Kroatët fituan sfidën ballkanase ndaj Bullgarisë, (3-0). /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts