728 x 90 Leaderboard

Kthehet mbizotërimi i Mercedes-it, Hamilton triumfues i padiskutueshëm në Spanjë

Britaniku, kampioni i botës në fuqi në Formula 1, pati fituar krejt rastësisht në Baku dy javë të shkuara. Krejt ndryshe ka ndodhur në Çmimin e Madh të Spanjës, ku Hamilton nuk e ka diskutuar për asnjë çast vendin e parë.

Mund të thuhet pa frikë se gara e pestë e sezonit, ajo në pistën e Barcelonës, ka qenë më e mërzitshmja deri tani. Përjashtuar një incident në xhiron e parë, me tre pilotë të larguar e me futjen e makinës së sigurisë në pistë, nuk ka patur asgjë tjetër për t’u shënuar.

Hamilton e Bottas kanë përfunduar në dy vendet e para, duke treguar se Mercedes-i i ka lënë pas ditët e mjegullta, i kthyer si një pretendues kryesor sërish.

Ferrari ka patur një ditë të keqe. Vettel e ka mbyllur garën në vend të katërt, i pafuqishëm për të luftuar për një renditje më të mirë. Akoma më keq ka shkuar për Raikkonen-in, i tërhequr për probleme teknike të makinës së tij.

Verstappen plotësoi podiumin me vendin e tretë, ndërkohë që piloti tjetër i Red Bull-it, Ricciardo, u rendit i pesti.

Magnussen, Sainz, Alonso, Perez dhe Leclerc plotësuan dhjetëshen e parë në finishin e garës së sotme.

Hamilton u shkëput disi nga Vettel me këtë fitore në renditjen e përgjithshme, me 95 pikë në kryesim kundrejt 78 pikëve të gjermanit. Mercedes-in po ashtu e shohim në vend të parë për konstruktorët, ndjekur nga Ferrari dhe Red Bull, përkatësisht me 153, 126 dhe 80 pikë. /tesheshi.com/

 

 

Related posts