Kryeprokuror i përkohshëm: Thoma Jano, kandidati më më i përfolur; ja një profil i shkurtër i tij…

Tashmë, kohët për zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm janë shtrënguar shumë. Sot pritet që të paraqiten kandidaturat që do të vetëofrohen për të drejtuar institucionin e akuzës deri në zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm. Sipas dispozitës kalimtare, kandidatët që mund të drejtojnë përkohësisht Prokurorinë duhet të kenë ose të paktën eksperiencë 15-vjeçare në Prokurori ose të kenë mbaruar shkollën e Magjistraturës.

Ndërkaq, siç mësohet se dy janë kandidaturat për të marrë postin e Kryeprokurorit kujdestar: Thoma Jano, aktualisht shef i përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Dritan Rreshka, prokuror i Task Forcës në Prokurorinë e Tiranës.

Jano ka një përvojë të gjatë dhe kjo mund t’i japë pikë më shumë, ndërkohë që Rreshka mësohet se përveç magjistraturës së përfunduar gëzon edhe simpatinë e faktorit ndërkombëtar. Sipas burimeve, deri tani Thoma Jano mbetet më i kuotuari, por ende nuk dihet nëse do të përfundojë në listat zyrtare që shoshiten sot.

Thoma Jano është në fakt një kandidaturë që gërsheton përvojën në thuajse të gjithë periudhat e drejtësisë shqiptare. Ai është nga të vetmit që i kanë mbijetuar furtunave të mëdha politike që kanë trazuar institucionin më të rëndësishëm të akuzës në vend. Jano ka punuar për hetimet që në periudhën e para viteve 1990 ku ka qenë shef i hetuesisë në Krujë.

Në kupolën e Prokurorisë është ngjitur pas vitit 1997, kur punoi si kreu i prokurorisë së Tiranës gjatë kohës që institucioni drejtohej nga Arben Rakipi. Fatos Nano, kur ishte kryeministër e afroi në qeveri, duke e emëruar zv.ministër të Rendit Publik për të drejtuar sektorin e hetimeve në këtë dikaster të rëndësishëm. Më pas, edhe në erën “Sollaku” dhe “Ina Rama”, Jano punoi si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Me Adriatik Llallën, Thoma Jano merr një pozicion shumë delikat, pasi punon në sektorin e përgjimeve. Në këtë post, si prokuror, më shumë se përgjimet ai ka ndjekur ligjshmërinë e aktit të përgjimeve që kryhen nga specialistët e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Në tërë periudhën e punës së tij, Jano nuk është i përfolur as për afera e as për çështje të bujshme. Njihet si jurist i shkallës së lartë që e njeh jurisprudencën në mënyrë perfekte. Në të gjithë pozicionet që ka mbajtur, më shumë se punët praktike në çështje të caktuara, Thoma Jano është marrë me jurisprudencën dhe vlerësimin ligjor. Dhe kjo duket se është pika më e fortë e tij.

Nga ana tjetër, një tjetër anë pozitive e Janos është se ka punuar me shumë administrata dhe nuk është përfshirë kurrë në politikë, çka në fakt përbën edhe një pikë thelbësore për integritetin e një kandidati për Kryeprokuror. /tesheshi.com/

 

Related posts