reklama juaj ketu

Kryediplomati turk: trupat gjermane në bazën e Inxhirlikut mund të largohen nëse duan

Debatit të hapur për largimin e trupave gjermane që ndodhen në bazën ushtarake të Inxhirlikut në Turqi, Mevlüt Çavuşoğlu, shefi i diplomacisë turke, i është përgjigjur sot thjesht e ftohtë: “Nëse duan të shkojnë, do t’u themi mirupafshim!”

Ministri i Jashtëm i Turqisë ka folur për një prej kanaleve televizive informative turke, për NTV-në, ku ka qenë mjaft i prerë për këtë çështje.

“Nëse duan të largohen, është punë për ta. Ne nuk do t’u lutemi,” është shprehur ai në intervistë.

Çështja e forcave gjermane në bazën e Inxhirlikut po diskutohet pas refuzimit të Ankarasë për t’i lejuar së fundi një numër deputetësh gjermanë që ta vizitonin atë.

Një vizitë e tillë ishte parë si e papërshtatshme për momentin nga autoritetet turke, duke ngjallur kështu mërinë e gjermanëve, në më të fundit fërkim mes palëve.

Ministria gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, tha një ditë më parë se po shqyrtohej mundësia e zhvendosje gjetiu të këtyre forcave, mbase në Jordani.

Turqia është e zemëruar me dhënien strehë nga Gjermania të akuzuarve për pjesëmarrjen në grushtin e dështuar të shtetit të 15 korrikut të vitit të shkuar. /tesheshi.com/