Kruma: si u krijua, si u bjerr, si po rilind!

Nga Agime Kastrati  

Kruma do ishte ndër kryelajmet në zgjedhjet lokale të vitit 2011. Ashtu siç Kavaja, edhe aty ndodhi e papritura kur vota nga tradicionalisht djathtas, kaloi sakaq majtas, në qeverisjen lokale.

Ndodhte kjo, ndërsa harresa kishte pushtuar këtë qytezë. Pjesë dhe ajo e tranzicionit, si çdo qoshk i këtij vendi, Kruma pësoi një rrënim social në vite. Shumë banorë të saj u zhvendën drejt metropoleve, përfshirë këtu dhe largimin në emigracion.

Për ata që ndoshta nuk e kanë të qartë ende nga pikëpamja gjeografike, Kruma ndodhet 30 kilometra larg nga qyteti i Kukësit, një distancë që përshkohet vetëm në 25 minuta. Kjo falë rrugës së rikonstruktuar vitet e fundit, pasi me atë të vjetrën, të degraduar, të duheshin deri në më shumë 2 orë. Dhe ka qenë pikërisht kjo rrugë sinjali i parë i një rilindjeje të qytezës, kryeqendër e Hasit, e vendosur mes Kukësit dhe Tropojës.

Kruma është tipik një qytezë produkt i komunizmit, por dhe jo aq. Ajo është një qendër banimi që në lashtësi. Vendodhja e saj mes një kurorë malesh, është tregues i faktit se të parët e atyshëm kanë qenë njerëz të mençur. Sepse nga pikëpamja e shfrytëzimit të resurseve natyrore në funksion të plotësimit të nevojave ekonomike, ka rezultuar një zgjidhje mjaft efikase. Si njerëzi e si bagëtia e atyshme, nuk ka vuajtur kurrë për ushqim.

Ka patur pra një popullsi autoktone, sigurisht rurale;  por me përmbytjet nga liqeni i Fierzës, të ardhurit nga fshatrat e përfunduara nën ujë i dhanë Krumës formën e një qyteze klasike.

Ndodhi kjo në vitin 1972. Po në ato vite, lindi dhe Kukësi i ri, për të njëjtin motiv: krijimi i detyrueshëm i liqenit të hidrocenralit të Fierzës. I vendosur në rrëzë të malit të Pashtrikut në lartësinë prej 450 metra mbi nivelin e detit, si çdo qytet i ri produkt i komunizmit, Kruma u ndërtua sipas një plani urbanistik dhe arkitekture të thjeshtë.

Pas rënies së komunizmit, qyteza pësoi një bjerrje. Shumë banorë u larguan, ata që mbeten shfrytëzuan afërsinë me Kosovën për të marrë e dhënë, por dhe për të punuar. Nga pikëpamja sociale dhe ekonomike, mund të thuhet se Kruma sa është e Shqipërisë, është po aq dhe e Kosovës.

Dhe tashmë qyteza ka marrë një tjetër pamje. 100 milionët e investuara nga Fondi i Zhvillimit në funksion të projektit të Rilindjes Urbane, ka bërë që gria e tmerrshme e saj të marrë një pamje më të gëzuar. Rrugët e shtruar dhe terrenet publike të rregulluara, ai suvatimi dhe ajo bojatisja e pallateve, që shpeshherë edhe ironizohet nga një pjesë e politikës, siç dhe mbivlerësohet nga një pjesë tjetër, gjithsesi e ka bërë efektin e saj në krijimi e një ndjesie tërheqëse, për banorët e atyshëm padyshim, e për ata që kanë ikur e që rikthehen herë pas here. Kjo shihet dhe në planin ekonomik, ku nuk janë të pakta investimet në hoteleri, gjë që tregon se turizmi mund të jetë një burim goxha i mirë të ardhurash. Bëhet fjalë për një zonë ku mikëpritja është “arma” më e fortë në funksion të atraksionit turistik, përfshirë natyrën e rrallë si dhe produktet artizanale.

Kruma ka dy punishte, të cilat drejtohen nga dy zonja me përvojë të madhe në artizanatin e kësaj zone. Në to përgatiten sixhade, mbulesa, shami, kostume popullore. Nga pranvera deri në vjeshtë, lista e porosive per veshje popullore tradicionale të zonës si për burra, gra e fëmijë sa vjen e shtohet.

Çdo vizitor, ashtu si edhe banori më i thjeshtë e shfaq me shumë entuziazëm ndryshimin e ndodhur në infrastrukturën dhe në rritjen e mirëqenies në këtë zonë. Mjaft banorë të Hasit kanë lëvizur dhe vazhdojnë të lëvizin, duke tentuar që të integrohen më vrullshëm në jetën e vendit apo edhe më gjerë.

Më e rëndësishme është që ata vijojnë ta duan vendin e tyre dhe t’i gëzohen kur shohin që ai ndryshon për mirë. /tesheshi.com/

 

 

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts