Krizë e stilit grek me përmasa italiane: ngjitja në pushtet e populistëve alarmon BE-në

Ka analistë që druhen se koalicioni midis lëvizjes “Pesë Yjet” dhe Ligës do ta drejtojë Italinë në rrugën e një krize të stilit grek.

Qeveria e re e Italisë që me gjasa do të konfirmohet zyrtarisht brenda pak ditëve, vendos një precedent të rrezikshëm për Brukselin: shënon herën e parë që një anëtare themeluese e BE-së të drejtohet nga populistët, forcat kundër bllokut.

Nga perspektiva e Bashkimit Europian, koalicioni midis lëvizjes anti-rrymë, “Pesë Yjet” dhe të djathtës ekstreme, “Liga” duket kokëfortë dhe i paparashikueshëm, me gjasa edhe plot të papritura. Drafte të  nxjerra pa autorizim të “kontratës” qeverisëse mes tyre përfshijnë edhe “komitet pajtimi” për të sheshuar mosmarrëveshjet e pritshme.

Më së shumti, e gjitha duket alarmante. Të dyja partitë e ulën tonalitetin e retorikës së tyre më të ashpër kundër BE-së gjatë fushatës së zgjedhjeve, duke lënë mënjanë thirrjet e mëparshme për referendum mbi anëtarësinë në eurozonë, (votimet popullore për traktate ndërkombëtare janë, sidoqoftë, të ndaluara nga kushtetuta italiane). Por, ndërsa i afrohen pushtetit, euroskepticizmi tradicional i “Pesë Yjeve” dhe “Ligës” po rishfaqet.

Në një version të hershëm të marrëveshjes mes tyre flitet për rinegociim të traktateve europiane, krijimin e një mekanizmi që mund të nxjerrë jashtë vendin nga zona e monedhës së përbashkët, reduktimin e kontributeve të Italisë për buxhetin e BE-së dhe anulimin e borxhit prej 250 miliardë eurosh të qeverisë italiane.

Liderët e dy partive,  Luigi Di Maio i “Pesë Yjeve” dhe Matteo Salvini i “Ligës” (të cilët llogarisin si aleatë Marine Le Pen dhe Viktor Orbán) , shpejtuan të thonë se drafti i publikuar në media ishte i parakohshëm dhe një version më i vonë i kontratës së tyre tregon se seksioni për Europën është lehtësuar.

Mekanizmi për zgjedhjen e qëndrimit në eurozonë ka avulluar, dhe thirrjet për ndryshim të traktateve të BE-së dhe politikave monetare të bllokut janë shënuar me te kuqe, që do të thotë se duhen ende të dakordësohen. Por ende drafti apelon për debat mbi qëndrueshmërinë e BE-së dhe paktit të rritjes, fuqive më të mëdha për Parlamentin Europan, denoncimin e masave të kursimit dhe rikthimin e “disa kompetencave të BE-së” në duart e shteteve anëtare.

Në pjesën më të madhe sugjerohet se qeveria e re nuk do të zmbrapset nga besimi i saj që – me fjalët e një zyrtari të lartë të Ligës, Lorenzo Fontana – “njerëzit vijnë përpara detyrimeve ekonomike”. Duke u ankuar për “eurokratët e pazgjedhur”, Di Maio i “Pesë Yjeve” tha se është koha që Italia të “tregojë kurajo … dhe ta ndryshojë këtë”.

Koalicioni po ashtu mund të mos përputhet me Brukselin në lidhje me planet për një kontroll mbi emigracionin dhe thirrjen për të anuluar të gjitha sanksionet ekomonike mbi Rusinë. Por, me një shqetësim shumë më të madh në kryeqytetet e BE-së janë pritur propozimet për politika të reduktimit të taksave, rritjen e mirëqënies dhe politika të rritjes buxhetore ekonomike dhe sociale. Këto mund të nxisin telashe serioze në eurozonë.

Të dyja manifestet elektorale të partive premtojnë të anulojnë ndryshimet në pensione bërë në vitin 2011. Po ashtu në to planifikohet zbatimi i  një taksimi të sheshtë 15-20% dhe disa forma të të ardhurave bazike, dy propozime që edhe mund të lehtësohen por me siguri do të reflektohen në shkurtime drastike taksash dhe rritjen e madhe të shpenzimeve për shtetin social.

Ekonomistët dhe media italiane e kanë vendosur koston e programit të koalicionit “Pesë Yjet”-“Liga” midis 65 dhe 100 miliardë eurove. Dhe dy partitë në vijimësi kanë thënë se nuk ndjejnë asnjë nevojë të respektojnë detyrimet europiane në zbatimin e programit të tyre.

Të ngopur prej kohësh me rënien e gjatë, e në dukje të pakthyeshme, ekonomike të vendit, këmbëngulëse në papunësinë e lartë dhe krizën e refugjatëve, votuesit italiane ia nxorën inatin qendrës politike që ka qeverisur (apo dështuar të qeverisë) Italinë që prej viteve 1980.

Por, disa analistë druhen se nëse qeveria e re radikale që këta votues zgjodhën, do të shkojë përpara me politikat e premtuara, rezultati mund të jetë një krizë borxhesh dhe sistemi banker të stilit grek, në ekonominë  e tretë më të madhe të eurozonës.

Borxhi i akumuluar i Italisë është 2.3 trilionë euro, ose 132 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, niveli më i lartë sesa kudo gjetkë në Europë përveç Greqisë. Nëse – dhe kjo është një “nëse” e madhe – koalicioni nis të zmbrapsë reformat e fundit dhe të shtojë deficitete, tregjet do ta humbisnin me shpejtësi besimin në aftësinë e Italisë për të ripaguar. Dhe nëse kjo ndodh, gjërat do të merrnin me shpejtësi për keq.

Frika më e madhe e Europës, e sidomos e eurozonës, është se nëse Italia zhytet në këtë lloj shkrirje ekonomike që në vitin 2005 iu afrua shumë afër Greqisë, që drejtohej, duhet mbajtur mend, nga një qeveria e majtë radikale e cila e kishte me qejf hedhjen poshtë të rregullave të BE-së, edhe ky shtet mund të afrohet po aq afër flakjes nga zona e monedhës së përbashkët.

Paralelizmi sigurisht që nuk është perfekt, por as “Pesë Yjet” dhe as “Liga” nuk duken se po kërkojnë me ngulm ta shmangin llojin e betejës që dikur kërkoi Syriza. Por BE mund të bëjë edhe pa një krizë të stilit grek në përmasa italiane.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts