728 x 90 Leaderboard

Krizë e rëndë kuadrosh në Universitetin e Prishtinës: ja cilat fakultete rrezikojnë mbylljen

Nga Bashkim Kastrati

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, një numër i madh i profesorëve kanë statusin e të angazhuarve apo bashkëpunëtorëve të jashtëm. Kjo e ka vështirësuar punën në disa fakultete të këtij universiteti në atë masë saqë rreziku për mbyllje të disa departamenteve është shumë i madh. Sipas statutit të Universitetit të Prishtinës (UP), për t’u akredituar një departament duhet t’i ketë së paku tre profesorë të rregullt.

Ky është njëri aspekt që rrezikon mbylljen e disa departamenteve, ndërsa aspekti i dytë është se UP nuk ka buxhet për të punësuar profesorë të rinj në mënyrë që të përmbushë nevojat që kanë shumë fakultete.

Për shkak të mungesës së stafit të rregullt akademik, për arsye të mungesës së kualifikimit akademik në njërën anë dhe mungesës së buxhetit për të punësuar profesorë të rinj që i plotësojnë kriteret akademike, disa departamente në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin e Bujqësisë dhe i Veterinarisë, Fakultetin e Filologjisë, Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit rrezikojnë të mbyllen. Mbyllja e disa departamenteve kryesore në këto fakultete do të rrezikonte edhe mosakreditimin e tyre dhe rrjedhimisht mbylljen e tyre.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr, që funksionon në kuadër të organizatës Çohu!, UP-ja në masë të madhe është e varur nga bashkëpunëtorët e jashtëm, madje në disa raste disa fakultete më shumë funksionojnë me bashkëpunëtorë të jashtëm se me profesorë të rregullt.

Bashkëpunëtorët e jashtëm konsiderohen vlerë për përvojën që e sjellin në universitet, por në UP në shumë raste ata nuk janë të rregullt në ligjërata, në konsultime e në ushtrime, sepse zakonisht e kanë një punë tjetër me orar të plotë dhe UP-ja i paguan pak për punën që e bëjnë.

Të dhënat për vitin akademik 2017/2018 tregojnë se numri i profesorëve të angazhuar apo i bashkëpunëtorëve të jashtëm vazhdon të jetë i madh. Sipas këtyre të dhënave, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike 41 profesorë janë me statusin e të angazhuarve, ndërsa 32 janë të rregullt. Në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës 39 profesorë janë të angazhuar, ndërsa 41 janë të rregullt. Në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit numri i profesorëve të angazhuar është 21, aq sa është edhe numri i profesorëve të rregullt. Në Fakultetin e Arteve 78 profesorë janë të angazhuar, ndërsa 79 janë të rregullt.

Kriteri diskriminues i moshës

Kriteri i moshës për avancim në profesor të rregullt është njëri prej kritereve që ka paraqitur problem për shumë fakultete. Disa profesorë që plotësojnë kriteret akademike për t’u bërë profesorë të rregullt, nuk po lejohen për shkak se i kanë bërë 50 vjet, ndërsa në anën tjetër fakultetet kanë nevojë shumë për këta kuadro. Mundësia e tyre e vetme është të punojnë si bashkëpunëtorë të jashtëm, e që mesatarisht paguhen rreth 100 euro në muaj. Për këtë arsye ata kanë një punë primare në sektorin privat.

Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, ku më shumë se gjysma e stafit janë bashkëpunëtorë të jashtëm, kriteri i moshës e pengon edhe më tej punën.

“Edhe ashtu në tregun e Kosovës nuk kemi njerëz, dhe në qoftë se imponojmë edhe kufizime në moshë atëherë vështirësohen edhe më shumë kriteret”, thotë dekani i këtij fakulteti Enver Hamiti.

Si pasojë e mungesës së kuadrove në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, rrezikohet të mbyllet Departamenti i Elektroenergjetikës, që konsiderohen si ndër departamentet kryesore të këtij fakulteti.

Dekani Enver Hamitit thotë se ky departament rrezikon të mbyllet për shkak se aktualisht nga tre mësimdhënës të cilët janë në marrëdhënie të rregullt të punës, dy do të pensionohen këtë vit dhe i treti pensionohet në vitin 2019, atëherë kur duhet startohet me akreditimin e ri.

“Kjo i bie se ne nuk do të kemi asnjë mësimdhënës në periudhën e ardhshme të akreditimit në fushën e elektroenergjetikës, që është shumë e rëndë, shumë e vështirë dhe është një prej dështimeve më të mëdha që na shkruhet neve, edhe si menaxhment, si fakultet, si universitet dhe si shoqëri”, thotë Hamiti.

Megjithatë, disa vite më parë ka pasur një vendim gjykate me të cilin hiqej kufizimi i moshës për t’u bërë profesor në UP. Sipas vendimit të Gjykatës, neni i Statutit të UP-së që e përcakton moshën është antikushtetues, në shpërputhje me Ligjin e Punës dhe me të drejtat e njeriut.

Në UP thonë se ky vendim i gjykatës për moshën ka të bëjë me një rast të vitit 2010 kur kjo e drejtë ishte kufizuar në kundërshtim me dispozitat e statutit, pra kufizimi i moshës nuk ishte i normuar me statutin e vitit 2004-2012.

Rreziku i mbylljes së disa fakulteteve ka alarmuar edhe Qeverinë e Kosovës që ka premtuar gjetjen e një zgjidhje të shpejtë për të përmirësuar situatën në Universitetin e Prishtinës në këtë aspekt.

Kujtojmë që Universiteti i Prishtinës është institucioni më i rëndësishëm i edukimit të lartë në Republikën e Kosovës. /tesheshi.com/

 

Related posts