728 x 90 Leaderboard

Kriza në Siri: Perëndimi bën gati klauzolën e Luftës së Ftohtë për të shmangur veton ruse në OKB

Sipas një ideje në diskutim, duket se sulmet kimike do t’i referohen Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku nuk aplikohet vetoja që Rusia ka në Këshillin e Sigurimit.

Kombet perëndimore dëshirojnë t’i japin fund paralizës njëmujore në Kombet e Bashkuara në lidhje me Sirinë, duke e referuar çështjen e përdorimit të armëve kimike, gjithë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku Rusia nuk mund të aplikojë veton që mban në Këshillin e Sigurimit.

Ideja është të ndërmerret një rrugë që është përdorur rrallë e që së pari u krijua si e tillë gjatë Luftës së Ftohtë për të transferuar përgjegjësinë për aspekte të krizës tek Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh.  

Rusia e ka përdorur veton e saj në Këshillin e Sigurimit 11 herë për të bllokuar aksione që shenjëstronin aleaten e saj, Sirinë. Një mekanizëm i OKB-së që ia atribuonte përgjegjësinë për përdorimin e armëve kimike, përfundoi në nëntor pasi Rusia vendosi veton për rezolutën që duhet të zgjeronte mandatin e këtij mekanizmi, duke u ankuar se ai përbënte një paragjykim kundër qeverisë siriane.

Ian Martin, ish-zyrtar i OKB-së dhe shef i Amnesty International thotë: “Vetoja ruse nuk duhet të jetë fundi i përpjekjeve për aksion kolektiv nga Kombet e Bashkuara. Përgjegjësia e nxjerrjes para Drejtësisë për përdorimin e armëve kimike dhe për t’i dhënë fund tmerreve të konfliktit sirian, qëndron mbi gjithë komunitetin ndërkombëtar si një i tërë”.

Propozimi mësohet se ka marrë mbështetje mes zyrtarëve perëndimorë.

Lëvizja u ngrit në një takim të përvitshëm me dyer të mbyllura gjatë fundjavës, ku merrnin pjesë ambasadorët e sigurisë, në Suedi, dhe tashmë ka gjasa të diskutohet edhe më tej në një seri takimesh këtë javë. Fuqitë perëndimore i druhen mungesës së një mekanizmi atribuimi që jo vetëm i lë shteg Sirisë për të vazhduar përdorimin e armëve kimike, por po ashtu për t’i dhënë goditje të fuqishme ndaj rendit ndërkombëtar botëror.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe ndërmorrën sulme ajrore mbi vendndodhjet e dyshuara të armëve kimike 10 ditë më parë në përgjigje të përdorimit nga qeveria siriane të këtyre armëve në një sulm në Duma, më 7 prill.

Inspektorët nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike janë në Duma. Por, pavarësisht gjetjeve të tyre, organizata nuk ka fuqinë të atribuojë përgjegjësinë. Që pas sulmeve, ka pasur përpjekje të reja diplomatike, më së shumti të ndërmjetësuara nga Suedia, për të dakordësuar një rezolutë të OKB-së që të kërkojë mekanizëm të ri hetimor, por deri tani gjithçka ka qenë e pafrutshme.

Qeveritë perëndimore, të shqetësuara se ngërçi po dobëson autoritetin më të gjerë të Këshillit të Sigurimit, dëshirojnë të zgjedhin një rrugë të përdorur rrallë, së pari të ngritur në krizën koreane të vitit 1950.  E quajtur “bashkimi për paqen”, ajo do të mundësonte një grup prej nëntë anëtarësh të trupës prej 15 anëtarësh të Këshillit të Sigurimit, të anashkalonin veton ruse dhe ta referonin çështjen për votim të plotë në Asamblenë e Përgjithshme ku duhet të dakordësohet edhe një mekanizëm për atribuimin e përgjegjësisë.

“Bashkimi për paqen” i vitit 1950 u dizenjua në mënyrë eksplicite për t’u përdorur kur këshilli i Sigurimit nuk mund të përmbushte përgjegjësitë e veta për ruajtjen e paqes.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka deklaruar se bota ka hyrë në një periudhë të re të luftës së ftohtë kur kërcënimi për paqëndrueshmëri ishte edhe më i madh sesa në luftën e ftohtë të mëparshme.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts