Kriza, Kisha i “bie këmbanës” për politikën: për hir të Zotit, duajeni Shqipërinë!

Krerët katolikë dolën me një deklaratë, me anë të së cilës u bëjnë apel politikës që t’i kthehet dialogut e të shpëtojnë vendin nga kjo krizë e rëndë.

Ata i kanë kujtuar politikës se krenarinë e shprehur për bashkëjetesën fetare, ta tregojnë dhe vetë ata te bashkëjetesa mes tyre.

“Në emër të Zotit, ne, ipeshkvinjt katolikë në Shqipëri, me shumë besim, ju lutemi të tregoni dashuri më të madhe dhe të sinqertë ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve, duke na treguar që me vendosmëri kërkoni një zgjidhje serioze e paqësore për këtë situatë, duke shmangur çdo rrezik që e keqja të na çojë drejt një të keqeje më të madhe. Paqja e vërtetë nuk do të thotë të mbyllim sytë për anomalitë që ekzistojnë. Nuk ka paqe të vërtetë, nëse nuk ndërtohet mbi drejtësi e vërtetë.

Ju lutemi të hapni një kapitull të ri në politikën tuaj. Harroni fjalët e forta që ju vetë u keni drejtuar kundërshtarëve tuaj, harroni gjithashtu fjalët që kundërshtarët tuaj ju kanë drejtuar juve. Harroni planet që kishit hartuar për t’i luftuar kundërshtarët. Harroni edhe premtimet me të cilat kishit mbushur mendjet e ndjekësve tuaj.

Jini të sigurt se asnjë shqiptar, që e do atdheun dhe të mirën e përbashkët më shumë sesa të mirën e partisë, nuk do t’ju qortojë apo t’ju akuzojë që nuk keni mbajtur fjalën, nëse arrini të kërkoni një rrugë te ndryshme nga rruga që keni ndjekur deri më sot. Jini të sigurt se shumica e popullit tonë kërkon prej jush vullnet të mirë për të shmangur çdo rrezik që do të na çojë drejt një humnere vdekjeprurëse.

Ka pasur raste kur të gjithë ju jeni shprehur me krenari për fatin tonë të lum që mes besimeve të ndryshme, në këtë vendin tonë të dashur, ekziston një traditë bashkëjetese ndërfetare në harmoni. Këtë vlerë të rëndësishme duhet ta mësoni nga ne. Besimet nuk na kanë ndarë. Mos lejoni që politika të bëhet shkak përçarjeje për popullin tonë.

Populli yne i dashur, inteligjent dhe shume fisnik e ka memorien historike të largët dhe të afërt të freskët dhe është i vetëdijshëm që politika nuk do të arrijë t’i perçajë për t’i bërë keq vendit të vet dhe bashkevëllezërve Shqiptarë.

Zoti ju ndriçoftë dhe ju dhëntë guxim për të zgjedhur rrugën e drejtësisë dhe të paqes!

Ipeshkvinjt katolikë e Shqipërisë”, përfundon deklarata. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts