728 x 90 Leaderboard

Kriza e ujit në Fushë Kosovë: rroftë bidoni!

Nga Bashkim Kastrati

Një pjesë e madhe e Fushë Kosovës vazhdon të mos ketë ujë të pijshëm. Ndërtimi i fabrikës së ujit në fshatin Shkabaj të Prishtinës nuk e ka zgjedhur këtë problem. Kjo për faktin se Komuna e Fushë Kosovës tash e sa vite nuk e ka instaluar një tubacion i cili nuk duhet të jetë më i gjatë se katër kilometra.

Vendosjen e këtij tubacioni e kishte premtuar kryetari i Komunës së Fushë Kosovës Burim Berisha që nga viti 2011, por, ende nuk është zgjidhur. Ai në fushatat e fundit zgjedhore e ka përsëritur këtë premtim. Ndoshta qytetarët i kanë besuar, sepse në zgjedhjet e fundit lokale, Berisha mori 63 për qind të votave.

Ai duke u përballur me kundër kandidatët e tij gjatë fushatës zgjedhore, ka deklaruar se në fshatin, përkatësisht në shtëpinë e tij ka ujë, por atë ujë e merr nga bunari që e ka hapur në oborr.

Aktualisht pjesët e Fushë Kosovës furnizohen nga ujësjellësi i Kozminit, por ky ujë përdorët për nevoja të tjera, e jo për ta pirë, sepse ka përmbajtje gëlqeres.

Vetëm lagja “Dardania” furnizohet me ujë të pijshëm, ndërsa ana tjetër e rrugës nuk furnizohet me ujë të pijshëm.

Të gjendur në këtë situatë, banorët që jetojnë në qytet duhet  ose ta blejnë ujin, ose ta marrin në një çezme, e cila ndodhet në hyrje të Fushë Kosovës.

Në bazë të atyre që shihen duke marrë ujë në këtë çezme, shihet se një pjesë e madhe e qytetarëve furnizohen nga ajo çezme. Disa prej tyre udhëtojnë deri në një kilometër për të marrë ujë, disa e kanë më afër.

Ekipi i tesheshi.com ka biseduar me disa qytetarë që merrnin ujë në këtë çezme. Ata kishin ardhur me disa bidonë për t’i mbushur. Ka nga ata që vijnë me traktorë të vegjël, me makina, me karroca, me biçikleta, por ka edhe nga ata që e bartin ujin në këmbë.

“Vij çdo dy-tri ditë për të marrë ujë, sepse uji që vjen në banesë nuk pihet, prandaj detyrohemi të vijmë këtu për të marrë ujë. Shpesh duhet pritur në radhë për t’i mbushur bidonët. Nga komuna kanë dhënë pretime se edhe ne do të furnizohemi me ujë nga liqeni i Batllavës, por ajo ende nuk po ndodh. Ta kesh obligim aq shpesh të marrësh ujë është më të vërtet e bezdisshme, thjesht lodhesh”, thotë njëri nga qytetarët që priste për t’i mbushur bidonët me ujë.

Por me të vështirë se ky e kishte një qytetar tjetër që detyrohet për çdo ditë të mbushë nga dy bidonë me ujë.

“Po duhet çdo ditë me ardh, sepse unë ujin e dërgoj duke e bartur me dorë dhe nuk mundem më shumë se dy bidonë. Edhe ashtu këta bidonë janë mjaftë të rëndë. Nga këtu e deri në shtëpi i kam rreth një kilometër për të ecur. Herë i dërgoj bidonët në dorë, e herë me autobusë. Por nuk po kam llogari me autobus, sepse vajtje ardhje duhet paguar 0.80 centë. Që sa vite jemi duke pritur që të na lëshohet uji i pijshëm edhe neve, e t’i heqim këta bidonë nga dora, por kjo nuk po ndodh. Është shumë për keqardhje që kemi mbetur në këtë gjendje. Siç kanë thënë nuk duhet investim i madh për të na sjellë ujin, pasi që ujë ka mjaftë në Batllavë”, thotë ai.

Fushë Kosova është qytezë dhe komunë në pjesën qendrore të Kosovës. Komuna i takon Regjionit të Prishtinës ajo është formuar në vitin 1989 nga një pjesë e Komunës së atëhershme të Prishtinës. Sot është një nga komunat më dinamike e cila po përjeton ndryshime të mëdha urbanistike. Qyteza ndodhet përafërsisht gjashtë kilometra në jug-perëndim të qendrës së Prishtinës. /tesheshi.com/

 

Related posts