728 x 90 Leaderboard

Kriza e Sirisë: rreziku ka zënë pritë në një fushëbetejë influencash me shumë lojtarë

Nuk është pa vend debati se kur bota ka qenë për herë të fundit në një situatë të tillë kaq të rrezikshme – dhe me jehona shqetësuese të Luftës së Parë Botërore.

Si sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres e ka për detyrë që të shtojë paralajmërimet ndaj fuqive të mëdha se po nxitojnë drejt një katastrofe. Në prag të sulmeve ajrore të drejtuara nga amerikanët në Siri, ai ngriti edhe një herë tjetër alarmin në sesionet Këshillit të Sigurimit për Sirinë,  ku ngërçi shfaqej hapur.

“Lufta e Ftohtë është kthyer hakmarrëse dhe me një ndryshim”, tha Guterres. Ndryshimi është se nuk është më e ftohtë. Trupat amerikane tashmë janë fluturimin e një granade larg nga rusët dhe iranianët në Siri dhe këtë fundjavë, raketat dhe avionët nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca fluturuan mbi regjimin sirian.

“Mekanizmat dhe levat e sigurisë që ekzistonin për të parandaluar përshkallëzimin në të kaluarën, duket se nuk janë më”, tha sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Eshtë e debatueshme se kur saktësisht bota e ka gjetur veten së fundmi, në një situatë të tillë të rrezikshme. Ndoshta me ngërçin e raketave të vitit 1983 në Europë, kur një stërvitje e NATO-s, Able Archer, pothuajse nxiti një sulm bërthamor nga paniku prej Bashkimit Sovjetik.

Niveli i paranojës nuk ka arritur ende kulmin, por aspekte të tjera të krizës aktuale janë me gjasa më të rrezikshme. Ka më pak komunikim midis Uashingtonit dhe Moskës dhe nuk ka më vetëm dy lojtarë në skenë, por një nxitim gjysëm i çmendur i fuqive të mëdha në rënie dhe ndërhyrje të fuqive në ngritje. Ndjekja e axhendave kombëtare në një fushë-betejë kaq të ngjeshur me lojtarë pa u përplasur me njëri-tjetrin është shumë e vështirë. Shënjestrimi preciz i sulmeve të së premtes ishte pikërisht për të shmangur një përplasje të tilla katastrofike. Por sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis dhe gjeneralët e tij raportohen se kanë qenë nën presionin e Shtëpisë së Bardhë për t’i përdorur sulmet si një mundësi për të kryer një fshesë ndaj Iranit.

Këto joshje nuk kanë gjasa të shkojnë, sidomos pas mbërritjes në Shtëpinë e Bardhë të John Bolton, një skifteri radikal në lidhje me Iranin, pozicionimi i të cilit si Këshilltar për Sigurinë pranë veshit të Trump, do të jehojë atë që ka për të thënë Izraeli, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në rëndesën gravitacionale të këtyre axhendave dhe aleatëve, ka jehona trazuese nga pragu i Luftës së Parë Botërore. Ka më shumë se një duhmë nga Sarajeva e vitit 1914 – me armët bërthamore që nuk janë shumë larg skenës.

Linjat e frontit në Siri janë shumë më të komplikuara sesa në Ballkanin e ditëve të fundit të Habsburgëve. Perëndimi dominohet nga regjimi, mbështetësit e tij rusë dhe iranianë dhe milici të  klientëve të ndryshëm. Kryengritësit në enklavat e mbetura në pjesën perëndimore janë një përzjerje e vetëmbrojtjes lokale në aleancë me sponsorë të ndryshëm rajonalë. Tashmë regjimi ka garantuar kontrollin mbi Damask, dhe mbijetesa e enklavave duket si kokëfortësi.

…..

Pasi humbi shpresën e një ndërhyrjeje të madhe amerikane kundër Assad dhe Iranit,  lideri izraelit, Benjamin Netanjahu është përpjekur të bindë Moskën për të përmbajtur zgjerimin ushtarak iranian në afërsi të territorit izraelit. Deri tani, Rusia nuk e ka përdorur forcën e vet të mbrojtjes ajrore kundër avionëve izraelitë, më së fundmi javën e kaluar kur Izraeli bombardoi një bazë dronësh të Rojes Revolucionare iraniane në provincën e Homsit, pavarësisht apeleve të Teheranit për mbrojtje. Ky i fundit është zotuar të hakmerret ndaj sulmit.

Linjat e frontit nuk janë vetëm gjeografike. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca thonë se ndërmorrën sulmet ajrore për të garantuar një normë – ndalimin e përdorimit të armëve kimike që është shkelur vetëm në pak raste gjatë një shekulli. Sulmi me agjentin Noviçok në Salisbury shtoi ndjesinë e urgjencës dhe ndjesinë se nevojitej një veprim i fortë që nëse nuk merrej, do të bënte që armët kimike të përdoreshin rëndom për herë të parë që pas Luftës së Parë Botërore.

Sidoqoftë, sa më ambicioze fushata, aq më i madh rreziku i përshkallëzimit. Mattis luftoi fort që të mbante sulmet ajrore ngushtësisht të fokusuara në tre mjedise të dyshuara të armëve kimike. Si një veteran i luftimeve në Marinë, ai është plotësisht i vetëdijshëm për logjikën ushtarake të një përshkallëzimi pasi nisin të shtënat dhe secila palë përpiqet të japë goditjen vendimtare.

Edhe ushtria ruse është po aq e vetëdijshme për rreziqet dhe duket se nuk e ka aktivizuar mbrojtjen e saj të mrekullueshme ajrore kur erdhi moment, duke vënë re se raketat nuk do drejtoheshin aspak afër bazave të tyre kryesore në Latakia dhe Tartus.

Këtë radhë, manovra u ekzekutua suksesshëm, por nuk ka garanci që do të funksionojë në të ardhmen. Ka qenë gjithnjë e paqartë sesa ndikim ka Moska në veprimet e Assad dhe përdorimi i armëve kimike ka qenë një mjet efektiv në shtypjen e enklavave rrebele.

Ndërkohë, linja tjetër e konfliktit dhe konkurrenca e ashpër për të kontrolluar territorin e lënë bosh nga ISIS do të vazhdojë të tërheqë aktorë të tjerë në vorbull. Nëse Trump me inkurajimin e Bolton do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin muajin e ardhshëm, ashtu siç ka kërcënuar vazhdimisht, ndjesia e rrezikut në Iran do të rritet. Nëse Teherani përgjigjet duke rikthyer programin e pasurimit të uranium, kjo do të sjellë një përballje të nderë ushtarake që vendos Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Arabinë Saudite përballë Iranit. Siria do të jetë një nga fushëbetejat, me shumë gjasa fushëbeteja kyçe, ku mund të luhet konfrontimi. Ndërsa rriten përplasjet midis Izraelit dhe Iranit, është e vështirë të thuash se kjo Shtëpi e Bardhë do të qëndrojë jashtë luftimit.

Rusia mund të dëshirojë që të mungojë në këtë betejë, por me kaq shumë arsenal ushtarak që fluturon përreth një hapësire të kufizuar,  potenciali për aksidente dhe keq-llogaritje rritet vazhdimisht.

Ndërsa hetimet për Rusinë shtrëngojnë darët rreth Trump, respekti i tij për Vladimir Putinin duket, për momentin, se është thartuar në armiqësi personale, nxitur edhe nga ndjesia e tradhtisë që Moska nuk e ka mbajtur Assad nën kontroll. Ishte Rusia që Trump paralajmëroi “të bëhej gati” për raketat që po vinin pas sulmit me armë kimike në Duma, dhe Rusia, paralajmëroi ai, do të paguajë “një çmim të majmë” për vënien e bastit pro Assad.

Nëse ndodh ndonjë përplasje e paparashikuar dhe e paplanifikuar, gjendja mendore e kryekomandantit është e rëndësishme në pikën kritike.

Mungesa e ndonjë kontrolli në protokollin e nisjes së armëve bërthamore që do të lejonte çdo zyrtar tjetër amerikan të kthente pas një urdhër të drejtpërdrejtë presidencial, mbetet me gjasa fakti më i tmerrshëm në botë.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts