728 x 90 Leaderboard

Kriza e energjisë në Kosovë: bizneset vendase shpenzuan 580 milionë euro për blerje gjeneratorësh

Nga Bashkim Kastrati

Hulumtimet e fundit dhe indikatorët tjerë ekonomik flasim për një përmirësim të ambientit të të bërit biznes, por në këto raporte përmenden edhe pengesat e mëdha dhe të vazhdueshme që pengojnë të bërit biznes dhe pengojnë ardhjen e investitorëve të huaj.

Problemet e furnizimit me energji elektrike e kanë shoqëruar Kosovën që nga paslufta, pavarësisht investimeve të mbi një miliard eurove në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Bizneset janë dëmtuar më së shumti nga ndërprerja e energjisë elektrike, pasi që përveç ndaljes se prodhimit, dëme të konsiderueshme ata kanë pasur edhe në makineritë e tyre, pasi që ndërprerja e shpeshtë ka ndikuar që pajisjet të pësojnë prishje.

Të gjendur në këtë situatë, bizneset janë detyruar që të blejnë gjeneratorë, në mënyrë që të vazhdojnë procesin e punës, pasi që ka biznes që për nga aktiviteti nuk bën t’i mungojë energjia elektrike asnjë orë.

Bazuar në hulumtimet e bëra ndër vite nga ana e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), në 10 top barrierat e të bërit biznes në Kosovë ka qenë energjia elektrike dhe furnizimi me energji elektrike. Përveç kostos së lartë të këtyre tarifave, mos ndarjes  së çmimit për amvisni dhe industri, mosndarjesë së çmimit të energjisë elektrike në atë sezonal, mosimplementimi i tarifës ditë-natë, problemi i maksigrafit dhe ndërprerjet e shpeshta që e kanë dëmtuar sektorin privat në Kosovë.

Sipas Odës Ekonomike të Kosovës, janë dëmtuar në veçanti atë prodhues si në kualitet po ashtu edhe në kuantitet dhe kjo ka detyruar sektorin privat për kërkim të alternativave për furnizim me energji elektrike. E tëra kjo e ka një kosto shumë të lart për bizneset vendore e në veçanti për sektorin prodhues ku e pamundëson të jemi konkurrent me vendet e rajonit dhe më gjerë kur në start prodhimi vendor është 13% më i shtrenjtë se ai që vjen nga konkurrenca.

“Bazuar në informacionet e Administratës Tatimore  të Kosovës (ATK) në Kosovë janë aktive afër 80,000 ndërmarrje dhe në qoftë se kostoja e një gjeneratori për prodhim të energjisë elektrike është prej 300 – 30,000 euro dhe pothuajse të gjitha këto kompani posedojnë një gjenerator të tillë. Si nevojë urgjente kalkulimet tregojnë se sektori privat në Kosovë gjatë këtyre viteve ka shpenzuar më tepër se 580 milionë euro për blerje duke mos kalkuluar shpenzimet e derivateve të naftës”, thuhet në hulumtimin e Odes Ekonomike të Kosovës.

OEK konsideron se sikur institucionet vendore të kishin bërë më tepër në zgjidhjen e këtij problemi dhe këto mjete të dedikuara dhe shpenzuara për blerjen e gjeneratorëve të ishin investuar në punësim, standardizim, certifikim, licencim, menaxhim të kualitetit dhe në brendim të produkteve dhe shërbimeve “Made in Kosova” me siguri realiteti ekonomik dhe social në Kosovë do të ishte shumë më i favorshëm.

Paradoksi qëndron në faktin se këto dukuri negative sa i përket furnizimit me energji elektrike janë duke e përcjellë Kosovën edhe 18 vite pas luftës dhe 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

“Me skepticizëm pranojmë faktin se kjo është pasojë e mungesës së përgjegjësisë institucionale dhe individuale në Kosovë sidomos mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit dhe këtë mungesë po e paguan qytetari i Kosovës. Sot penalizohet dhe gjobitet ai që nuk e paguan rrymën elektrike që e mbështesin, por nuk penalizohet dhe gjobitet ai që e dëmton në masë të madhe qytetarin e Kosovës, komunitetin e biznesit e në veçanti sektorin prodhues në Kosovë”, thuhet në raportin e OEK. /tesheshi.com/

 

 

Related posts