728 x 90 Leaderboard

Krahasimi me rastin e Teatrit Kombëtar: kur Berisha donte të rrafshonte Piramidën

Të prishet apo jo godina e Teatrit Kombëtar, është sot në vlimin e radhës si çështje ku fillimet i ka që në vitin 2000. Atëkohë, Rama, në rolin e ministrit të Kulturës e më pas në atë kryebashkiakut, mbrojti idenë e shembjes së saj për t’u zëvëndësuar me një të ri. Argumenti: është tejet e amortizuar si godinë dhe nuk përfaqson ndonjë vlerë arkitektonike të veçantë. Ndërsa kundërargumenti i komunitetit artistik: aty është historia e teatrit shqiptar.

Por një lloj i ngjashëm debati ndodhi vite më parë dhe në lidhje me Piramidën, ish-muzeun e Enver Hoxhës për tre vjet (‘88 – ’91), që më pas u shndërrua në një hapësirë me statusin e Qendrës Kombëtare të Kulturës, duke u emëruar dhe “Pjetër Arbnori” më vonë, e ku u instalua dhe Top Media. Dhe ishte gati e kuptueshme që e ideja e shembjes nuk ishte veçse një lojë për largimin prej aty të gjigandit mediatik në fjalë.

Bëhet fjalë për vitet 2010-2012 kur u konsumua ideja e prishjes, sipas versionit zyrtar për të ndërtuar aty parlamentin e ri, promovuar dhe mbrojtur kjo nga ish-kryeministri Berisha. Pra, PD që sot është vënë krah të atyre që protestojnë kundër prishjes së godinës së TK-së, ishte në anë të kundërt në rastin e Piramidës, natyrshëm pasi nuk mund të qe ndryshe, gjersa lideri i saj kërkonte ta rrafshonte. Argumenti: u krijua për Enver Hoxhën – dhe kjo 20 vite pas rënies së regjimit – dhe se duke ekzistuar mbante gjallë kujtimin e tij.

Ndërsa ata që e kundërshtonin nuk para merreshin me argumenta politikë por thjesht arkitektonikë. Ata thonin se stili i saj, pavarësisht se pse u ndërtua e funksionit të mëpasshëm, është unik, është diçka shqiptare si e tillë, është shndërruar në ikonë arkitektonike e Tiranës, dhe se asnjë lloj godine tjetër nuk mund të rrijë aq saktë në atë vend. Sipas tyre, ishte ndër të rrallat raste kur një ndërtim, për vetë llojin, dhuron dhe nuk merr hapësirë.

Berisha nisi të tërhiqej e debati të zbehej, sapo Top Media nisi të japë shenjat e para se do zhvendosej që aty. Siç dhe ndodhi vite më pas. Piramida thjesht degradoi, por nuk u shemb. /tesheshi.com/                             

Related posts